Hulumtim, margarina shkakton depresion

Margarina nxit depresionin”, ndërsa gjalpi “ndikon pozitivisht në të mësuarit”, tregon një hulumtim i zhvilluar nga shkencëtarët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Dokuz Eylül në qytetin perëndimor të Turqisë, Izmir.

Prof. Dr. Nazan Uysal Harzadın nga Fakulteti i Fiziologjisë, në një prononcim për Anadolu Agency (AA), foli lidhur me hulumtimin e zhvilluar mbi minjtë.

Ajo tregoi se kanë ushqyer minjtë me ushqime që kanë 10 për qind vajra dhe kanë hulumtuar se si këto vajra ndikojnë në sjelljen e tyre.

Harzadın potencoi se si rezultat i punimit shkencor, kanë vërejtur se në rastet kur kanë përdorur vaj luledielli, kanë konkluduar se niveli i depresioni dhe ankthit është më i lartë.

“Kur i vendosnim kafshët në mekanizëm, nuk mundeshin të vendosin se ku të shkojnë. Kështu që mendojmë se vaji i lulediellit ndikon negativisht në korteksin prefrontal, gjegjësisht pjesën për vendime të trurit”, tha Harzadın.

Margarina shkakton depresion

“Niveli i ankthit tek kafshët që konsumojnë vaj ulliri është tejet i ulët. Këto kafshë ishin të rehatshme, të relaksuara. Gjithashtu edhe kapaciteti i të mësuarit ishte i lartë tek ato”, shtoi ajo.

Ajo theksoi se periudha kohore e testimit tek minjtë prej 2 muajsh, korrespondon me 10 vite tek njeriu.

Harzadın, gjithashtu duke folur për hulumtimin e bërë me margarinë, tha se në këtë kategori rezultatet janë “dëshpëruese”.

“Simptomat e depresionit më lartë ishin në këtë grup”, tha Harzadın.

Sipas saj, rezultatet më të mira gjatë hulumtimit i kanë marrë në testimet me gjalpin. Ajo e klasifikoi këtë rezultat si mrekulli. “Ata që ushqehen me gjalp kanë një nivel të ulët të ankthit, nuk kanë depresion dhe niveli i të mësuarit është tejet pozitiv”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se në ushqim duhet të preferohet gjalpi dhe vaji i ullirit.