SI TA SHFRYTËZOJMË MUAJIN E RAMAZANIT? – RREGULLA DHE DOBI

  1. Na bëri hije sezona e mirësive dhe na erdhën ditët e dhuntive, mëshirës, bekimeve, pranimit të lutjeve, mbarësisë dhe shumëfishimit të të mirave, pra na erdhi Ramazani, muaji i faljes së gjynaheve dhe i lirimit nga zjarri i Xhehenemit.

Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekare: 185)

Dhe thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare: 183)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur të vijë muaji Ramazan, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.”[1]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyese të mëkateve të bëra në mes tyre, për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha.”[2]

Dhe thotë, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e agjëron muajin Ramazan me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme. Kush ngritet natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[3]

Me një transmetim tjetër: “Kush falet (namazin e teravive) me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[4]

“Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim, dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm agjërimin dhe namazin e natës dhe nxiti për në ta.

“Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet agjëron dhe falet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm agjërimin dhe namazin e tij, dhe ato i kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur vjen nata e parë e Ramazanit, prangosen shejtanët dhe të pabindurit nga xhindët, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjë derë e tij, hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbyllet asnjë derë e tij, dhe një thirrës thërret: ‘O kërkues i së mirës vepro, o kërkues i së keqes freno.’ Për çdo natë Allahu liron robër nga zjarri i Xhehenemit.”[5]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me një hadith tjetër thotë: “I nënçmuar qoftë ai që hyn në Ramazan dhe del prej tij pa iu falur mëkatet atij.”[6]

  1. Agjërimi është nga adhurimet e mëdha dhe të vlefshme që shpërblimet e tij shumëfishohen dhe sevapet e tij rriten. Allahu e veçoi për Veten dhe shpërblimi i agjërimit i takon vetëm Atij, ashtu siç erdhi në një hadith kudsij (të shenjtë) ku Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcjell: “Allahu thotë: ‘Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblej për të… pasha Atë në të cilin shpirti i Muhamedit është në Dorën e Tij, era që del nga goja e agjëruesit tek Allahu është më e mirë sesa era e miskut. Agjëruesi i ka dy gëzime: njërin kur çel iftar dhe tjetrin kur e takon Zotin me agjërimin e tij’.

Në një transmetim tjetër që e shënon imam Muslimi: “Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet, e mira shpërblehet me dhjetë dhe shumëfishohet deri në shtatëqind; dhe Allahu thotë: ‘Përveç agjërimit, Unë shpërblej për të, sepse robi Im e braktisi epshin dhe ushqimin e tij vetëm për hir Timin’.”[7]

Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se e pyeta Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të, cila vepër është më e vlefshme? U përgjigj: “Kapu për agjërimin, sepse nuk ka të barabartë me të.”[8]

  1. Ramazani është muaji i durimit, kurse durimi shpërblehet me Xhenet. Allahu u premtoi durimtarëve shpërblime të mëdha të pakufizuara, të papërcaktuara e pa masë dhe thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” (Ez-Zumer: 10)

Allahu thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (El-Bekare:153). Komentuesi i njohur i Kuranit, Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala “durim” në ajet për qëllim e ka agjërimin[9], ashtu siç erdhi në hadith: “Agjërimi i muajit të durimit dhe tri ditëve nga çdo muaj (ditët e bardha) e largojnë urrejtjen dhe armiqësinë nga gjoksi”[10]. Pra, muaji i durimit është muaji Ramazan.

“Sipas këtij mendimi të Muxhahidit, agjërimi dhe namazi në ajet erdhën proporcionalisht, ku agjërimi e largon agjëruesin nga epshet dhe ia shton asketizmin në dynja, kurse namazi e largon nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar si dhe në të lexohet Kurani, i cili ia rikujton ahiretin.”[11]

Ramazani e përfshin edhe durimin edhe namazin bashkërisht, gjatë Ramazanit shpeshtohen namazi, duatë dhe lutjet drejt Allahut.

  1. Dijetari Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në muajin Ramazan besimtari ballafaqohet me dy lloje të xhihadit (përpjekjes): xhihadit gjatë ditës me agjërim dhe xhihadit gjatë natës me namaz nate.

Ai që i bashkon këto dy lloje të xhihadit (përpjekjes), ua jep hakun dhe bën durim në to, e merr shpërblimin e tij pa masë.”[12]

  1. Namazi i teravive në Ramazan është nga namazi i natës dhe shpërblimi për faljen e teravive është i madh. Kufizimi i teravive në njëmbëdhjetë rekate është më i vlefshëm, sepse kështu vepronte Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, edhe pse nuk ka asnjë pengesë që numri i rekateve të shtohet. Çështja është e gjerë dhe, falënderimi i takon Allahut, që në të ka hapësirë veprimi.
  2. Kush i fal teravitë në xhami, më e mira është që t’i përfundojë teravitë së bashku me imamin dhe ta marrë shpërblimin sikurse të jetë falur natën. Falja e teravive me më shumë se një imam në një xhami, për xhematin llogaritet sikurse të jenë falur me një imam.
  3. Nga vlerat dhe mirësitë e agjërimit është se agjërimi ndërmjetëson për robin në ditën e Kiametit, ashtu siç erdhi në hadith: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: ‘O Zot! Unë e pengova nga ushqimi dhe epshet gjatë ditës, mundësoma të ndërmjetësoj për të.’ Kurani thotë: ‘Unë e privova nga gjumi gjatë natës, mundësoma të ndërmjetësoj.’ Tha: ‘Edhe agjërimit edhe Kuranit u jepet leje që të ndërmjetësojnë’.”[13]
  4. Nga vlerat dhe mirësitë e agjërimit është të veçuarit e një dere të posaçme në Xhenet nëpër të cilën do të hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre, ashtu siç erdhi në hadith: “Vërtet në Xhenet është një derë e cila quhet Rejan, nëpër të cilën ditën e Kiametit do të hyjnë vetëm se agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Do të thirret nga ajo derë ku janë agjëruesit? Pasi të hyjnë ajo derë mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.”[14]
  5. Ramazani është muaji i edukimit në devotshmëri, madje devotshmëria është synimi më i madh i agjërimit, ashtu siç Allahu thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare: 183)

Me devotshmëri nënkuptojmë që robi të vendosë para vetes paramburojë, me zbatimin e urdhrave të Allahut dhe me largimin nga ndalesat që i ka ndaluar Allahu, e cila e mbron nga zemërimi, ndëshkimi dhe qortimi i Allahut.

Robi nëpërmjet devotshmërisë e arrin shoqërimin e Allahut, dashurinë e Tij, përkrahjen e Tij, fisnikërinë e Tij, mbrojtjen e Tij dhe lehtësimin e çështjeve, faljen e gjynaheve dhe rritjen e shpërblimeve, e fiton Xhenetin dhe lumturinë e dynjasë dhe ahiretit.

Agjërimi myslimanin e edukon dhe e vetëdijeson për mbikëqyrjen e Allahut dhe e mëson që në punën e tij ta synojë vetëm Fytyrën e Allahut si dhe ta frenojë veten nga haramet, ashtu siç erdhi në hadith: “Kush nuk e braktis fjalën e keqe dhe të punuarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.”[15]

Omer ibën El-Abdulaziz, Allahu e mëshiroftë, tha: “Frikërespekti ndaj Allahut nuk është në agjërimin gjatë ditës dhe në faljen e namazit gjatë natës dhe bërjen e mëkateve në mes të tyre, por frikërespekti ndaj Allahut është në braktisjen e asaj që Allahu e ndaloi dhe në veprimin e asaj që Allahu e detyroi. E kujt pas kësaj i jepet hairi, kjo është mirësi mbi mirësi.”[16]

  1. Agjërimi myslimanin e ndihmon ta frenojë veten, t’i ruajë gjymtyrët, ta thyejë pasionin dhe kënaqësinë, ia ngushton rrugët shejtanit të depërtojë tek ai me cytjet e tij, si dhe e ndihmon ta përmbajë zemërimin, t’i durojë dëmtimet e të tjerëve kundrejt tij, të pastrojë shpirtin nga e liga dhe nga morali i keq. Me një fjalë agjërimi është pastrim dhe pastërti për shpirtin.

Ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Agjërimi është mburojë.[17]Kur të agjërojë ndonjëri nga ju, le të mos flasë fjalë të ndyta dhe le të mos bërtasë. Nëse ndodh (eventualisht) që tjetri ta shajë apo ta sulmojë, atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm.”[18]

Agjërimi “në dynja është paramburojë nga mëkatet me thyerjen e pasionit dhe kënaqësisë dhe me ruajtjen e gjymtyrëve, kurse në ahiret mburojë nga zjarri i Xhehenemit, sepse ai e mposht epshin dhe e frenon kënaqësinë dhe pasionin, të cilat janë nga armatimi i shejtanit.”[19]

Agjërimi “ka ndikim të mahnitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe fuqisë së brendshme… Agjërimi e ruan shëndetin e zemrës dhe të gjymtyrëve dhe ua kthen atë që nga to e marrin epshi dhe pasionet. Agjërimi, pra qenka ndihmësi dhe përkrahësi më i madh për në devotshmëri.”[20]

  1. Kur agjëruesi ta realizojë devotshmërinë në zemër, pastaj ajo do të reflektojë në gjymtyrët e tij duke iu bindur urdhrave të Allahut, duke e ruajtur veten nga mëkati, duke qenë i kënaqur me caktimin e Allahut, duke qenë i durueshëm gjatë sprovave dhe duke qenë falënderues gjatë begative, dhe duke qenë i drejtë e i sinqertë në thënie dhe vepra.

Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Kur të agjërosh, le të agjërojë edhe dëgjimi, shikimi dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe nga mëkati. Mos e lëndo shërbëtorin dhe bëhu serioz e i qetë gjatë ditës kur agjëron, dhe mos e bëj ditën e agjërimit t’i ngjajë ditës që nuk agjëron në të.”[21]

  1. Ramazani është muaj i pendimit të sinqertë dhe i kthimit kah Allahu, duke i braktisur mëkatet dhe gjynahet, duke ndier keqardhje për bërjen e mëkateve të mëhershme, duke qenë të vendosur që në të ardhmen të mos iu kthehemi atyre si dhe duke ua kthyer padrejtësitë e bëra njerëzve (ato që ndërlidhen me të drejtat e njerëzve): “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që ta arrini shpëtimin!” (En-Nur: 31)

Në Ramazan më veç lehtësohen mundësitë, për të penduarit hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit, prangosen shejtanët dhe thirrësi thërret: “O kërkues i së mirës vepro”; si dhe për fitimtarët hapet dera e lirimit nga zjarri i Xhehenemit.

Në esencë, pendimi është i detyruar në çdo kohë dhe nga çdo mëkat, mirëpo në Ramazan është më se i kërkuar dhe më i detyruar, sepse Ramazani është sezonë e adhurimit, në të zbresin mëshira dhe bekimet, dhe Allahu e premtoi faljen e mëkateve dhe të gjynaheve.

Kush nuk përfiton gjatë këtij muaji, kur do të përfitojë?! Kush nuk e arrin faljen e Allahut në këtë muaj, kur do ta arrijë?! Me të vërtetë i privuar realisht është ai që privohet nga mirësia e këtij muaji.

  1. Ramazani është muaji i Kuranit, i cili i tëri përnjëherë zbriti në Ramazan, në natën e Kadrit, nga libri amzë ‘Levhi Mahfudhi’ në qiellin e dynjasë i quajtur ‘Bejtul Izzeh’, ashtu siç Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El-Kadr: 1), dhe thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.” (Ed-Duhan: 3)

Leximi i Kuranit në Ramazan është nga dukuritë e mëdha të përpjekjes në ibadet që duhet të shtohet gjatë natës dhe ditës. Xhibrili, alejhi selam, për çdo natë të Ramazanit ia lexonte Kuranin Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ashtu siç e përcjell Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte më bujari ndër njerëzit dhe bujaria e tij edhe më tepër shtohej në Ramazan pasi e takonte Xhibrilin për çdo natë dhe e lexonin bashkërisht Kuranin. Kjo e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët.”[22]

Muhamed ibën Shihab Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, kur vinte Ramazani thoshte: “Ramazani është muaj i leximit të Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”[23]

Andaj Ramazani është mundësi e madhe për t’iu kthyer sa më mirë Kuranit duke e lexuar, studiuar, medituar, mësuar dhe duke u edukuar me të.

Përpjekje dhe vetëm përpjekje, ndoshta Allahu do të të shkruajë nga fitimtarët në Ramazan: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)

  1. Të parët tanë të mirë e shpeshtonin leximin e Kuranit në Ramazan, në namaz dhe jashtë namazit, dhe kur hynte Ramazani e braktisnin çdo gjë tjetër dhe merreshin me ibadet.

Ata shumë shpesh e bënin hatme Kuranin në Ramazan, disa e përfundonin për tri net, disa të tjerë për shtatë, e kishte nga ata që e përfundonin për çdo natë.[24]

Kjo ishte shkaku i bereqetit që Allahu ua kishte dhënë në kohë si dhe, rol luante edhe sinqeriteti në nijetin e tyre dhe përkujdesja për kohën e tyre. S’ka dyshim që kjo dallon nga njeriu në njeri, sepse gjendjet, angazhimet dhe punët e tyre dallojnë te çdonjëri, kurse i suksesshëm dhe me fat është ai që atij Allahu i jep sukses.

  1. Fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Kush e bën hatme Kuranin për më pak se tri ditë, nuk e kupton atë”[25], dijetarët thonë se për qëllim është nëse bëhet në vazhdimësi, kurse në kohë të vlefshme, sikurse muaji i Ramazanit e në veçanti dhjetë ditët e fundit, ose vende të vlefshme, sikurse në Meke për vizitorin dhe jo për vendasin e saj, pëlqehet shpeshtimi i leximit të Kuranit me qëllim që të shfrytëzohen koha apo vendi. Kjo është thënie e imam Ahmedit dhe Is’hak Er-Rahavejh dhe të tjerëve, si dhe këtë mendim e përforcon të vepruarit e të tjerëve kësisoji.[26]
  2. Dhikri (përmendja e Allahut) është jetë, pastrim dhe rehati për zemrën, e kënaq të Gjithëmëshirshmin, e largon shejtanin, i fshin gjynahet, dhe ata që bëjnë dhikër vazhdimisht do të jenë para të tjerëve në ditën e Kiametit dhe atyre u është premtuar shpërblim i madh, ashtu siç Allahu thotë: “…dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (El-Xhumua: 10), dhe thotë: “…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)

Andaj agjëruesi është mirë ta shpeshtojë përmendjen e Allahut, në çdo kohë, në çdo moment dhe në çdo gjendje, në veçanti dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, dhikrin pas namazeve, dhe dhikrin në kohë, gjendje dhe shkaqe të ndryshme, gjatë ditës dhe natës.

Agjëruesi është mirë t’i shpeshtojë fjalët: subhanallah, elhamdulilah, la ilahe il-llah, uAllahu ekber. Ai që i thotë këto fjalë i mbillet një pemë në Xhenet, ato janë fjalët më të dashura tek Allahu dhe më të dashura te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli (dynjaja dhe çfarë ka në të).

Prandaj gjuha jote le të jetë në vazhdimësi e lagur nga të përmendurit e Allahut.

  1. Duaja është ibadet dhe arma e besimtarit, gjëja më e ndershme tek Allahu si dhe zbatim i urdhrit të Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem’!” (Gafir: 60)

Në mes të ajeteve ku Allahu flet rreth agjërimit, Allahu na nxiti për lutje dhe dua dhe thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (El-Bekare: 186)

Në një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Tre personave nuk iu kthehet lutja: agjëruesit derisa të çelë iftar, imamit (udhëheqësit) të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi.”[27]

Në një hadith tjetër: “Allahu për çdo ditë dhe për çdo natë të Ramazanit liron robër nga zjarri i Xhehenemit, dhe çdonjëri nga ta e ka nga një lutje të pranuar.”[28]

Prandaj agjëruesi duhet të përulet para Allahut dhe t’i lutet me këmbëngulje, duke i shfrytëzuar gjendjet dhe kohët e vlefshme, si: në sexhde, në pjesën e tretë të natës, kur çel iftar, në kunut në namazin e vitrit, në mes ezanit dhe ikametit, në dhjetëshin e fundit të Ramazanit. Ai që e shpeshton trokitjen e tij nëpër dyer, ka shpresa që t’i hapen atij.

  1. Ramazani është muaj i shpenzimit dhe i lëmoshës, i bujarisë dhe i fisnikërisë, i ndihmës së të ngratëve dhe të nevojtarëve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të ishte më bujari ndër njerëzit dhe bujaria e tij edhe më tepër shtohej në Ramazan pasi e takonte Xhibrilin. Kjo e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët.”[29]

Ne në Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

Ebu Bekër ibën Ebi Merjem, Allahu e mëshiroftë, tha: “I dëgjoja të vjetrit tanë duke thënë: ‘Kur të vijë Ramazani, ai vjen si pastrues (i mëkateve). Dhe thoshin: Në Ramazan shtrijeni dorën dhe shpenzoni, sepse ajo që e shpenzoni shumëfishohet, sikurse shpenzimi në rrugë të Allahut’.”[30]

Imam Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, kur hynte muaji Ramazan thoshte: “Ramazani është muaj i Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”[31]

  1. Dhënia e sadakasë është nënshtrim i madh dhe është dëshmi dhe argument për imanin e sinqertë të atij që e jep. Sadakaja i bën hije ditën e Kiametit atij që e jep, ajo e mbron nga ndëshkimi i Allahut, ajo e ruan nga përfundimi i keq dhe nga sëmundjet, ajo ia shlyen mëkatet dhe e fik zemërimin e Allahut, ajo është shkak për bereqet në pasuri dhe shtim në risk, atij që e jep Allahu ia zëvendëson, ia shumëfishon dhe ia rrit derisa ajo të bëhet më e madhe se mali. Andaj shpeshtojeni dhënien e sadakasë në Ramazan.
  2. Nga bujaria në Ramazan është dhënia iftar agjëruesit. Shpërblimi është i madh, ashtu siç erdhi me një hadith ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i jep iftar agjëruesit, do ta marrë shpërblimin sikurse të atij që agjëroi, pa iu pakësuar asgjë agjëruesit nga shpërblimi i agjërimit të tij.”[32]
  3. Muaji Ramazan është muaj i mbajtjes së lidhjeve farefisnore, i faljes dhe i tolerancës, andaj të parët dhe më meritorët me vizitën, me bujarinë, me butësinë dhe me mëshirën tënde ndaj tyre, le të jenë familjarët dhe të afërmit, e në veçanti të varfrit nga ta.

Ai që i mban lidhjet farefisnore Allahu ia lehtëson riskun e tij, i jep bereqet në jetën e tij dhe e mbron nga përfundimi i keq.

  1. Agjërimi i Ramazanit, robit ia rikujton dhuntinë e madhe të Allahut mbi të, si dhe është rikujtim praktik për urinë e të uriturve dhe mjerimin e të varfërve dhe të ngratëve. Ai që e shijon dhembjen e urisë dhe etjes gjatë ditës për një muaj, do të kthjellet dhe do të vetëdijësohet rreth atij që shumicën e jetës së tij e jeton i uritur, kështu që do të bashkëndiejë me të varfrit dhe të ngratët dhe do të shpenzojë për ta.
  2. Muaji i Ramazanit, umetin e edukon të jetë unik dhe bashkë, jo të përçarë dhe të ndarë, ashtu siç Allahu thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat: 10), dhe thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (Et-Teube: 71)

Myslimanët agjërojnë bashkërisht, bëjnë iftar bashkërisht me thirrjen e një ezani dhe përkujdesen për faljen e namazit me xhemat dhe faljen e namazit të teravive.

  1. Umreja është nga adhurimet e mëdha si dhe, shlyese e mëkateve dhe ajo e largon varfërinë e atij që e kryen. Kryerja e umres në Ramazan ka shpërblim më të madh ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kryerja e umres në Ramazan është e barabartë me haxhin[33], ose me kryerjen e haxhit me mua.”[34]
  2. Në Ramazan pëlqehet përpjekja dhe shtimi në ibadet, ditën dhe natën, si dhe koha të shfrytëzohet në vepra të mira, si: në namaz, lexim të Kuranit, të përkujdesurit për faljen e namazit me xhemat, nisja herët për në xhami, bamirësia ndaj njerëzve, dhënia e shpeshtë e sadakasë dhe qëndrimi në itikaf në dhjetëshin e fundit.

Ibën El-Kajim, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nga udhëzimi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Ramazan ishte llojllojshmëria në ibadet dhe shtimi i tyre; Xhibrili ia lexonte Kuranin në Ramazan dhe takimi me Xhibrilin e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët, ai ishte më bujari ndër njerëzit dhe kulmin e bujarisë e arrinte në Ramazan. Ai e shtonte sadakanë, bamirësinë, leximin e Kuranit, namazin, dhikrin dhe itikafin.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, muajin e Ramazanit e veçonte me ibadet më së tepërmi karshi çdo muaji tjetër.”[35]

  1. Kujdes dy herë që Ramazani mos të të kalojë në gjumë, thashetheme, rënie në mëkate dhe gjynahe.

Ramazani është mundësi e madhe, andaj shfrytëzoje, bëhu i sinqertë në përpjekjet e tua në ibadet, me shpresë që ndoshta do të jesh nga fitimtarët në Ramazan.

O ti, mungesa jote që ishte e gjatë, këto janë ditët e pajtimit.

O ti, i cili ke humbur shumë, erdhën ditët e tregtisë dhe fitimit.

Kush nuk fitoi në këtë muaj, atëherë në çfarë kohe do të fitojë?!

 

E lusim Allahun ta pranojë nga ne agjërimin, namazin e teravive, leximin e Kuranit, dhe të na ndihmojë në adhurimin e Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët. Amin.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed El-Munexhid

Përktheu nga gjuha arabe: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri “SEZONET E ADHURIMIT”)

 

[1] Buhariu (1899), Muslimi (1079).

[2] Muslimi (233).

[3]Buhariu (2014), Muslimi (760).

[4] Buhariu (37), Muslimi (760).

[5]Tirmidhiu (682), Ibën Maxhe (1642), shejh Albani e vlerësoi si të mire.

[6] Tirmidhiu (3534), shejh Albani e saktësoi.

[7] Buhariu (1904), Muslimi (1151).

[8] Nesaiu (2220), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[9] Shih: Tefsir El-Bagavij (1/89), Ibën Kethir (1/251).

[10] Imam Ahmedi (23070), hadithi është edhe në Sahih Et-Tergib (1032).

[11] Tefsir El-Kurtubij (1/372).

[12] Letaif El-Mearif (fq. 171).

[13]Imam Ahmedi (6626), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (3882).

[14]Buhariu (1896), Muslimi (1152).

[15]Buhariu (1903).

[16]Ez-Zuhd El-Kebir, Imam Bejhakiu (964).

[17] Mburojë për qëllim është që agjërimi e mbulojë dhe pengesë nga mëkatet dhe paramburojë nga hyrja në Xhehenem. (sh.a.)

[18]Buhariu (1894), Muslim (1151).

[19]Fajdul Kadir, El-Munavij (242/4).

[20]Zadul Mead, Ibën El-Kajim (2/29).

[21]Musanaf, Ibën Ebi Shejbe (8973).

[22]Buhariu (6), Muslimi (2308).

[23]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 171).

[24]Shih: Tefsir Seid ibën Mensur (150,151), Letaif El-Mearif (fq. 171).

[25]Ebu Davudi (1390), Imam Ahmed (6499), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (5/601).

[26]Letaif El-Mearif (fq. 171).

[27]Tirmidhiu (3598), Ibën Maxhe (1752), Imam Ahmedi (9743), dhe hadithin e saktësuan kontrolluesit e haditheve të El-Musned të imam Ahmedit, sipas rrugëve të haditheve tjera që dëshmojnë në ngritjen e saktësisë së hadithit.

[28]Imam Ahmedi (7450), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (2169).

[29]Buhariu (6), Muslimi (2308).

[30]Fadail Ramadan, Ibën Ebi Ed-Dunja (25).

[31]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 171).

[32]Tirmidhiu (807), Ibën Maxhe (1746), shejh Albani e saktësoi.

[33] Për qëllim është në shpërblim me haxhin. (sh.p.)

[34]Buhariu (1863), Muslimi (1256).

[35]Zadul Mead, Ibën El-Kajim, (2/30).