Allahu i Madhëruar që kur krijoi njeriun e parë dhe e vendosi atë në tokë, i dërgoi atij, dhe më pas pasardhësve të tij shenja, fakte e argumente të shumta, të cilat secila në vete tregon për ekzistimin e Krijuesit dhe se kjo gjithësi e ka një Zot fuqiplotë dhe absolut.
Kjo, përpos shenjave të panumërta të cilat e rrethojnë njeriun kudo që shkon. Ngase çdo gjë në këtë gjithësi dëshmon për një Zot, një Krijues.
E njerëzit herë besojnë dhe i nënshtrohen vullnetit të Zotit, e herë e kundërshtojnë Atë, deri tek ideja se kjo gjithësi është krijuar vetvetiu, vazhdon të mbijetojë vetvetiu etj.
Njerëzit, kështu të ndarë në mendime e bindje të ndryshme, do të vazhdojnë të jetojnë derisa të përfundojë kjo botë, e pastaj ta shohim se kush e paska pas mirë e kush keq. Ta shohim pastaj se cila rrugë paska qenë e vërteta e cila e shtrembra, siç ka thënë Zoti për këtë:
“Thuaj: Secili është duke pritur, pra pritni edhe ju, se së shpejti do ta kuptoni se kush ishin ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush e gjeti të vërtetën.” ( Ta Ha, 135).
Por, megjithatë Allahu vazhdon kohë pas kohe t’iu dërgojë njerëzve shenja shtesë, të cilat nuk janë të rëndomta e që tërheqin vëmendjen e njeriut dhe ia shtojnë frikën e tij, si fjala vjen tërmetet e ndryshme, vullkanet, erërat e forta, shirat e shumta etj., të cilat ka qenë dashur t’ia kujtojnë njeriut madhërinë e Zotit, fuqinë e Tij të madhe dhe pa aftësinë e njerëzve para asaj fuqie, siç ndodhi këto ditë me uraganin “Sandy” para të cilit u gjunjëzua shteti më i fortë në botë.
Nuk ka nevojë të flitet për fuqinë dhe aftësinë e Amerikës, për shtetin e cili brenda pak kohësh mund ta kallë tërë botën. Për shtetin me të zhvilluar në botë, më përparimtarin në shkencë dhe në teknologji. Por çka mundi të bëjë përballë një stuhie të fortë e të shoqëruar me erë, shi dhe valë deti?! Përpos t’i informojë qytetarët e saj dhe t’i evakuojë një numër sa më të madh të tyre.
A mundi ta ndalë erën e fortë, a mundi ta ndalë detin, i cili gati se i përpiu gjithë banorët e Nju Jorkut?! Saqë u quajt “përbindësh”, i cili pas vete la me dhjetëra të vdekur. La pa rrymë miliona njerëz, ndërpreu, dhe thuajse bllokoi, jetën e miliona qytetarëve. Ndërsa sa për dëme materiale nuk dihet ende shifra e saktë, por ato tashmë mund të arrijnë në dhjetëra miliardë dollarë. Gjendja u vështirësua sa që presidenti amerikan shpalli gjendjen alarmante në disa shtete. E kryetari i shtetit Nju Xhersi pasi pa se çka ka ndodhur tha: “Dëmet nuk mund të parashihen”.
E gjithë bota këto ditë e kishte në fokus atë uragan duke pritur se çka do të ndodhte. Por askush nuk dinte, e as që kishte idenë, si të ndalet ai! Nuk kishte idenë, sepse e tërë bota, besimtarë dhe ateistë, kur t’ju ndodh diç e pazakontë ndalen e kujtohen, e iu bie ndërmend se vërtetë qenka një fuqi absolute.
Nuk ka dyshim se ky uragan ishte edhe një argument shtesë se: O ju njerëz, ju sado që arrini të përparoni, sado që arrini në shkencë e teknologji etj., ju edhe më tej vazhdoni të jeni krijesa të vogla e të dobëta në krahasim me Krijuesin e juaj dhe se Ai ju ka në dorë juve dhe çdo gjë tjetër. Andaj mos u rebeloni, mos bëni keq, mos bëni zullum, mos t’ju shkojë mendja se s’ka kush çka t’ju bëjë e tjerë, e tjerë, sepse është Një lart atje, i cili sheh dhe dëgjon, dhe Ai di edhe të ndëshkojë.
Falë Allahut kaloi ai uragan, i cili u cilësua si më i rrezikshmi me dekada, por a thua çka do të ndodhte sikur ai të ishte më i vështirë, çka do të ndodhte sikur ai të zgjaste më shumë, çka do të ndodhte sikur i tërë oqeani të hallakatet e të tërbohet?! Por mëshira e Zotit është e madhe, Ai nuk do t’i shkatërrojë njerëzit, por do t’ua kujtojë atyre se Ai është Zot, e jo njeriu, do t’ju tregojë se jeni në dorën e Tij, nën pushtetin e Tij, por ja që njerëzit siç thotë Zoti:
“Ata nuk e njohën Allahun sa duhet njohur.” (En’amë, 91),
andaj:
“Mëshironi ata që janë në tokë ju mëshiron Ai që është në qiell!” siç ka potencuar Muhamedi alejhi selam.
Natyrisht na vjen keq për dëmet e shkaktuara, për numrin e njerëzve të vrarë e të zhdukur, por përsëri falënderojmë Allahun që përfundoi me kaq e nuk vazhdoi edhe më tej.
Allahu na ruajt nga dënimet e Tij, na mëshiroftë, na udhëzoftë e na drejtoftë!
Amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.
26.10.2012