Allahu azze ue xhel në Kur’an thotë: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit” (El-Bekare: 188)
Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, e komenton këtë ajet dhe thotë: “Ky ajet ka zbritur për atë njeri i cili e merr pasurinë e huaj dhe për këtë s’ka argument, e pastaj kur akuzohet për këtë vepër, e mohon dhe i akuzon te gjykatësi, e ai e di shumë mirë se nuk ka të drejtë dhe se ai është mëkatar, ngrënës i pasurisë haram.”
Allahu, azze ue xhel, në një ajet tjetër thotë: “Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues”. (En-Nisa: 10)
Imam Ahmedi në Musnedin e tij, transmeton prej Kab ibën Ajad, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Çdo Umet e ka sprovën e vet dhe sprova e Umetit tim është pasuria”.
Siç e shohim, sot shumicës së njerëzve s’i intereson se prej nga e fitojnë pasurinë, prej hallallit apo prej haramit. Këtë e vërteton edhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, kur thotë: “Do të vij një kohë kur njerëzve s’ju intereson se prej nga e fitojnë pasurinë, prej hallallit apo prej haramit”.
Ibën Mubareku, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ta refuzojë një dërhem për të cilin dyshoj se është i fituar në haram, është më e dashur te unë se sa të jap lëmoshë njëqindmijë dërhemë”.
Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “I braktisnim nëntë nga të dhjetat e hallallit, vetëm që mos të binim në haram”.
Këtë e vepronte duke iu nënshtruar dhe përulur fjalës së Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, në hadithin që e përcjell Numan ibën Beshiri:
“Vërtet e lejuara (hallalli) është e qartë, por edhe e ndaluara (harami) është e qartë. Ndërmjet tyre janë gjërat e dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Kush mbrohet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar në pikëpamje të besimit dhe të nderit, ndërsa kush bie në gjërat e dyshimta, ka rënë në të ndaluarën, ngjashëm sikur bariu i cili e ruan kopenë rreth vendit (kullotës) të ndaluar, dhe në çdo çast kopeja mund t’i ikë dhe të kullosë në të.”
Një prej formave dhe pamjeve të ngrënies së pasurisë haram është kamata, të cilën Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar rreptësisht, dhe e kanë mallkuar ngrënësin e saj, shkruesin e saj dhe dëshmitarët. Thotë Allahu, azze ue xhel: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (El-Bekare: 278)
Sot disa njerëz garojnë në blerjen e aksioneve prej bankave të cilat punojnë me kamatë, kurse disa të tjerë i deponojnë të hollat e tyre nëpër banka dhe banka çdo muaj i jep përqindje të cilën e quan dobi, por në fakt kjo është kamatë.
Komisioni i Përhershëm i Fetvave dhe i Hulumtimeve të Arabisë Saudite kanë dalë me një deklaratë ku e ndalojnë rreptësisht përdorimin e kartelave kreditore, për shkak se ajo bën pjesë në kamatë. Banka me këtë kartelë myshteriut të saj ia mundëson që të blejë çka dëshiron deri në një limit të caktuar dhe në fund myshteriu obligohet që t’ia kthejë bankës ato të holla në një afat të caktuar. Në rast se s’mund t’i kthejë në afatin e caktuar, atëherë banka për çdo vonesë i merr më tepër të holla se sa i ka borxh dhe kjo është kamatë.
Prej formave të ngrënies së pasurisë haram është padrejtësia ndaj rrogave të punëtorëve dhe mosdhënia e të drejtave të tyre në kohën e duhur.
Po ashtu një formave tjera është edhe dukuria që e hasim nëpër tregje, e ajo është betimet e rrejshme në Allahun azze ue xhel se malli është i mirë pa të meta, apo mashtrimet e ndryshme që i bëjnë shitësit në shitblerje.
Ngrënësi i pasurisë haram e rrezikon veten e tij me dënimin e Allahut në dynja, në varr dhe në ahiret.
Në dynja dënimi i tij është humbja e pasurisë, ngritja e bereqetit prej saj, fatkeqësi në trupin e tij, etj., siç na njofton Allahu, azze ue xhel: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues – gjynahqarë”. (El-Bekare: 286)
Për dënimin e tij në varr, argument është hadithi që na përcjell imam Buhariu në Sahihin e tij, se një rob ishte me Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, në luftën e Hajberit, ku edhe ndërroi jetë prej një shigjete, e cila kishte devijuar objektivin dhe e goditi papritmas. Sahabët e përgëzuan me Xhenet duke menduar se ka vdekur si dëshmor, mirëpo Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, veshjen që ai mori nga plaçka në ditën e Hajberit kur ajo nuk ishte ndarë ende, është duke e djegur atë me zjarr.” Kur i dëgjuan njerëzit fjalët e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, u paraqit një njeri me një apo dy lidhëse të nallaneve dhe tha: Këto i kam veshur para se me u nda pasuria. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Këto lidhëse janë prej zjarri.”
Këto gjëra edhe pse kanë qenë të vogla dhe jo me vlerë të madhe, pronari i tyre s’ka shpëtuar prej dënimit të ngrënësit të pasurisë haram.
Ndërsa, në ahiret dënimi i tij është atë që na përcjell Kab ibën Uxhrete, i cili na njofton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i ka thënë: “O Kab, nuk shtohet në trup mish i rritur prej të paligjshmes dhe të ndaluarës, përveç që zjarri të jetë më meritor për të.”
Prej dënimeve që e godasin ngrënësin e pasurisë haram është edhe mospranimi i lutjeve dhe i adhurimeve.
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës, dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. Allahu, azze ue xhel, ka thënë: “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!” Dhe ka thënë: “O ju besim drejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar.” Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura, dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”
Ky hadith është paralajmërues për një grup njerëzish të cilët i ka mashtruar shejtani dhe ua ka zbukuruar veprat e tyre të liga. Ata pasurinë e tyre e fitojnë prej haramit dhe hanë prej saj, e pastaj e shpenzojnë një pjesë prej saj në bërjen e veprave të mira, si: ndërtimin e xhamive, shkollave, spitaleve, etj., dhe mendojnë se me këto vepra ata e pastrojnë veten e tyre para Allahut.
Ky lloj njerëzish dënohen dy herë:
Herën e parë, Allahu s’ua pranon veprat e tyre të mira që i shpenzojnë prej pasurisë haram, dhe argument për këtë e kemi fjalën e të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ue selem: “Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës”.
Herën e dytë, Allahu i dënon për këtë pasuri dhe ditën e Gjykimit do të japin llogari për të.
Havleh el Ensarije, radijallahu anha, na përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Disa njerëz zhyten (fusin dorën) në pasurinë e Allahut pa të drejtë, atyre u takon zjarri (si ndëshkim) në Ditën e Kiametit. “
Sufjan Theurij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ai i cili e shpenzon pasurinë e tij haram në adhurime dhe vepra të mira, është si ai i cili i pastron rrobat e tij me urinë, a dihet se rrobat pastrohen vetëm se me ujë, kurse mëkatet s’i pastron përveçse hallalli.”
Dr. Emin ibën Abdullah esh Shekaui
Nga arabishtja: Irfan JAHIU