“Festoje” Vitin e Ri

Këshillë nga një perceptim ndryshe

Që nga dita e parë e ardhjes time në këtë botë jeta më ka befasuar me plot 28 vite të reja. Nëse do të ktheja kokën mbrapa e të shihja të gjitha tani më duken më të vjetra se unë. Çdo Vit i Ri më ka gjetur më ndryshe së miku i tij i mëparshëm, kurse unë ndërrimin e motmoteve akoma vazhdoj ta shoh me po të njëjtin sy.

Nuk mund të them se në vegjëli nuk më kanë joshur dritat vezulluese dhe Kevini çapkën në të dy filmat Home Alone si dhe mjetet plasëse e fishekzjarret. Mbase isha i shtyrë nga dëshira fëmijërore për të mos u dalluar nga moshatarët e mi apo ndoshta edhe i ndikuar nga përvojat fantastike të Kevinit. E cili fëmijë s’do të dëshironte një storie të atillë?!

Në familje nuk e kishim shprehi të manifestonim një pritje të organizuar. Në të vërtetë, asgjë nuk e dallonte një mbrëmje të asaj nate nga netët tjera. Megjithatë, fakti që ishim dhe elhamdulilah jemi një familje ku kultivohet praktika e rregullt islame nuk pati mjaftuar që edhe ne në një apo dy raste ta zbukuronim dhomën tonë të gjumit. Nëse e mbaj mend mirë, hera e fundit ishte viti 95/96, atëherë kur një herë e mirë do të shkëpusja relacionin tim me këtë festë.


Tani më po përmbyllet edhe një cikël tjetër i udhëtimit tonë rreth diellit. Mënyra si manifestohet ndërrimi i motmoteve në popull nuk rresht të na habis, por ajo që përgjithësisht nuk dallon nga viti në vit është gjendja shoqërore në të cilën ky moment na gjen ne. E në shumicën e rasteve më e përkeqësuar se një vit më parë. Çfarë e karakterizon këtë fundvit tek ne kryesisht është e njëjtë, por kësaj rradhe shqiptarëve na gjen me të varfëruar se kurrë. Besa edhe më të korruptuar se kurrë.

Ndërkaq në rrafshin shoqërorë, në njërën anë i takojmë ata që me vrull sulen për t’u përgatitur për festën e madhe sa më shumë që munden, dhe i gjejmë në anën tjetër, të atillë që me shumë brengë e keqardhje shfrytëzojnë çdo metodë e mekanizëm të mundshëm për të na përkujtuar mos festimin e tij.

Si e perceptojmë ne këtë dukuri, pra festimin e Vitit të Ri, origjina e saktë e tij, kujt i përket ta festojë atë, etj., mendoj nuk kanë shumë rëndësi tani më në këtë pikë ku kemi mbërritur. Por ajo që është e rëndësishme dhe që meriton t’i dhurohet një të menduar është se në cilin nga dy grupet e mësipërme përkasim vetë ne. Natyrisht nëse vlerësojmë se jemi të atillë që besojmë se pa Zotin jeta jonë nuk do të kishte aspak kuptim.

Janë vërtetë të shumtë të tillët që thonë “na çanë kokën me parulla këta kundër Vitit të Ri”, prapëseprapë nuk është se ka mungesë të atyre që me zell e shkaktojnë “këtë kokëçarje”. Nuk e bën të dhembshëm festimin e Vitit të Ri vetëm shpenzimi i paarsyeshëm, humbja e kohës dhe kotësi të ngjashme, por zemrën e bën të rënkojë fakti se nga ata që e festojnë fatkeqsisht ka besimtarë muslimanë, të cilët e besojnë Zotin Një dhe të cilët në fakt do të duhej të abstenonin nga ky eveniment.

Lirshëm mund të thouhet se është humbje kohe tentimi për të ngritur zërin kundër kësaj feste. Mbase edhe nuk do të ishte gabim, ngaqë pastaj krejt në fund, me zbardhjen e ditës së parë pas ndërrimit të motmoteve, duket sikur llafet nga pozicionet kundër u harxhuan më kot, gostia e dalldisja zunë vend megjithatë. Por unë besoj se për fatin tonë të mirë, hapësirë për vetëkorrigjim kemi jashtëzakonisht shumë dhe neve na ofrohen raste të shkëqlyera për t’i bërë vetes një X-Ray analitik.

Nga ky moment e deri të ndodhë ndërrimi i motmoteve kanë mbetur pak më shumë se 24 orë, që duken pak por janë plotësisht të mjaftueshme dhe rast ideal që duhet të shfrytëzohen për rivlerësim vetëkritik.

Nuk dua të më shohësh të renditur me ata që ti i konsideron “kokëçarës”. Përkundrazi, mendoj se e ke me shumë të drejtë – e arsyeshme ose jo – të manifestohesh në mënyrë dhe formë sipas tekeve tua. Por besoj fuqimisht se një besimtar i besimit Islam, i moshës madhore dhe me vetëdije të plotë, duhet pikësëpari të merr një pozicion sa kontrovers po aq edhe të rrëzikshëm. Po po, shumë të rrëzikshëm.

Kështu pra, miqësisht, shoqërisht, vëllezërisht apo si të duash, të lutem, … jo, por të përgjërohem, kushtoi vetes një minutë, pyete dhe të lutem provo t’i japësh përgjigje, pastaj vepro konform rezultatit.

Pyete veten për Zotin.
Sa larg apo sa afër je ti me Të?
Si mendon se dashuria ndaj Zotit duhet të shprehet?
A të intereson disponimi i Zotit në raport me veprimet tua?
A do të ndahej Ai i kënaqur me ty nëse ti do të festoje?

Nëse përgjigjet në këto pyetje janë të parëndësishme për ty, atëherë festoje!

Festoje nëse vlerëson se Zoti nuk duhet të përzihet në punët tua.
Festoje nëse vlerëson se të gjithë që të thonë ndryshe janë më të pavlerë se ti.
Festoje nëse mendon se është plotësisht e drejtë të zhytesh në kotësi.
Festoje nëse mendon se është në rregull që jeta të jetë veç qejfe e dëfrim.
Festoje nëse beson se ti ke kontrollë të plotë mbi shpirtin tënd.
Festoje nëse beson se çdo begati në jetën tënde është vetëm rezultat i punëve tua.
Festoje sepse ke gjetur guximin që ta sfidosh Mëshirën e Zotit tënd Bujarë.
Festoje, por lutu dhe kërko afatizim që të të prekë dora e Mëshirës e ta gjesh rrugën drejt pendesës së sinqertë. Shpreso të të jetë e pranuar.