Nëna siriane kërkon ndihmë pasi fëmija e saj rrezikon të humbasë shikimin

Një nënë siriane në Turqi ka bërë thirrje për mbështetje financiare për të përballuar shpenzimet e trajtimit dhe operacionit për fëmijën e saj, shikimi i të cilit është dëmtuar për shkak të një tumori në tru, raporton Anadolu Agency (AA).

Familja e fëmijës 18 muajsh, Abdullah Dilli, tetë vjet më parë u largua nga dhuna në Halep të Sirisë dhe aktualisht janë vendosur në provincën qendrore turke Kayseri.

Fëmija, i lindur në rajonin qendror, siç njofton nëna e tij, Emine Dilli, filloi të humbasë shikimin gjashtë muaj më parë.

Duke folur për AA, Emine thotë se Abdullah ka humbur shikimin e plotë në syrin e tij të djathtë dhe rrezikon verbërinë e plotë nëse nuk trajtohet urgjentisht.

Por kostoja për operacionin e tij të planifikuar të syve në Spitalin Universitar Gazi në Ankara dhe ilaçi i syve nuk janë të përballueshme për familjen e varfër me katër fëmijë.

“Ne kërkojmë ndihmë që ai të mos humbasë syrin e majtë. Ne kemi shpenzuar të gjitha paratë që kemi pasur”, tha Emine.

Humbja e shikimit për shkak të tumorit në tru është graduale, duke filluar me shikim të paqartë, shikim të dyfishuar ose një njollë të verbër në rritje.

Infrastruktura e kujdesit shëndetësor në Siri është në vështirësi për shkak të luftës civile që filloi që në fillim të vitit 2011 kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.