Autoritetet e Arabisë Saudite njoftuan se gjatë Ramazanit do të mundësohet falja e namazit të teravisë në Xhaminë e të Dërguarit në Medine, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Drejtorisë për Xhaminë e Madhe në Mekë dhe Xhaminë e të Dërguarit në Medine dhe Imam Kabe Sheik Abdurrahman es-Sudeys zbuloi për Agjencinë saudite të Lajmeve (SPA) se për shkak të pandemisë së COVID-19 do të zbatohen masa në Xhaminë e të Dërguarit gjatë Ramazanit.
Ai tha se Xhamia e të Dërguarit do të mbyllet gjysmë ore pas namazit të taravisë ndërsa do të hapet dy orë para namazit të sabahut.
Xhamia e të Dërguarit do të jetë plotësisht e hapur për besimtarët për 10 ditët e fundit të Ramazanit.
Po ashtu thuhet se në namazet gjatë Ramazanit në Xhaminë e të Dërguarit në Medine mund të jenë të pranishëm maksimum 60 mijë besimtarë edhe atë 45 mijë brenda xhamisë dhe 15 mijë në haremin e ri që është ndërtuar në pjesën perëndimore të xhamisë.
Vitin e kaluar për shkak të pandemisë së COVID-19 nuk u lejua falja e namazit të teravisë me xhemat në xhamitë më të mëdha në Mekë dhe Medine.