Përgatitja: Marrim një enë kuzhine dhe shtojmë 2 lugë gjelle gjalpë (margarinë), më pas shtojmë 100ml vaj, 1 të verdhë të vezës ndërsa të bardhën e vezës e lëmë anash në një enë tjetër. Shtojmë më pas tek masa 100gr kos, 1 lugë të mesme sheqer, 1 lugë të mesme kripë, 1 sheqer vanilje dhe e përziejmë masën mirë me mikser deri sa të treten përbërësit.
Pastaj tek masa që e kemi përzier me mikser shtojmë 350gr miell, 1 pluhur për pjekje dhe e përziejmë masën mirë me duar duke shtuar miellin gradualisht deri sa të formojmë një brumë të butë. Pasi brumi të jetë gati, marrim pak nga brumi me duar dhe formojmë rrathë si për gjevrek ashtu siç e shikoni në video.
Kështu vazhdojmë me të gjithë brumin, pasi kemi formuar rrathë si për gjevrek i zhysim nga pak tek e bardha e vezës që e kemi vendosur më herët në enë dhe më pas rrathët i zhysim në susam. Pasi i kemi zhytur të gjithë rrathët në të bardhën e vezës dhe në susam, i vendosim në tepsi me letër kuzhine dhe më pas i fusim në furrë për pjekje.
Pogaçet i pjekim në temperaturë 250 gradë C për 10-15 minuta, pasi të piqen i largojmë nga furra dhe më pas sapo të ftohen pak i shërbejmë me çaj. Bëhen shumë të shijshme duhet ti provoni patjetër. Ju bëfshin mirë!