KMSH nënshkruan kontratat për rindërtimin me bashkësitë Islame të Diasporës

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nënshkruan kontratën e bashkëpunimit për rindërtim me Bashkësitë Islame të Diasporës.

Kontrata është nënshkruar midis;

-H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,

-Z. Mehas ALIJA, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ)/Dachverband
der Albanisch-Islamischen Gemeinschaften in der Schweiz
(DAIGS).

-Z. Vahidin BELULI, Kryetar i Bashkësisë Islame të Austrisë (KSHBIA)/ Albanische Kultusgemeinde der IGGO (ALKIG).

-Z. Reshat IBISHI, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Italisë (BFII) / Comunità Religiosa Islamica D’Italia (CRII).

Kontrata ka për qëllimin bashkimin e fondeve dhe të konkretizimit të detyrave dhe përgjegjësive të palëve sa i përket ndërtimit/rindërtimit dhe/ose rikonstruksionit të objekteve të dëmtuara si pasojë e tërmetit të vitit 2019 që goditi Shqipërinë.

Bashkësitë Islame të Diasporës Shqiptare janë solidarizuar me fatkeqësinë natyrore të tërmetit që goditi vendin tonë dhe kanë mbledhur financime nga besimtarët e donatorë të ndryshëm për t’u ardhur në ndihmë dhe mbështetur familjet e dëmtuara.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë merr përsipër të menaxhojë në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e bashkësive të lartpërmendura procesin e rindërtimit dhe të fondeve në fjalë.

Këto fonde do të shkojnë për ndërtimin e xhamisë së Thumanës, e cila do të rindërtohet tërësisht e konceptuar si qendër multifunksionale fetare dhe kulturore, si dhe do të ndërtohen dhe rikonstruktohen shtëpi banimi në bashkitë Krujë, Durrës dhe Tiranë.

Ky proces do të ndiqet nga një “Bord Mbikqyrës” në përbërje të të cilit do të jenë;

1. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Taulant BICA (Nënkryetar), Edison HOTI (Drejtor i Financës&Vakf/Investimeve).

2. KMSHZ/DAIGS: Ismail ADEMI, Abdulla MUSTAFA

3. KMSHA/ALKIG: Usama ALIMI

4. BFII/CRII: Reshat IBISHI

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon bashkësitë islame të diasporës për bujarinë e treguar për t’u ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019, dhe për besimin e treguar ndaj KMSH.

Zoti i shpërbleftë kontribuesit në të dy botët!