Mekanizmi antiinflamator i agjërimit
Hulumtuesit në Shkollën e Mjekësisë në Yale, kanë zbuluar se një komponent i prodhuar nga trupi gjatë dietave ose agjërimit mund ta bllokojë një pjesë të sistemit imunitar të përfshirë në disa çrregullime inflamatore si diabeti i tipit 2, arteroskleroza dhe sëmundja Alzheimer.
Në studimin e tyre, të publikuar në numrin e 16 shkurtit të revistës online Nature Medicine, studiuesit përshkruan se si kompleksi B-hidroksibutirat (BHB) në mënyrë të drejtpërdrejtë e pengon NLRP3, e cila është pjesë e një seti kompleksi të proteinave të quajtura inflamazome.
Inflamazomet e nxisin reagimin inflamator në disa çrregullime, duke i përfshirë sëmundjet autoimune, diabeti i tipit 2, sëmundja Alzheimer, arteroskelroza, dhe çrregullimet autoinflamatore. “Këto gjetje janë të rëndësishme, sepse metabolitet endogjene si BHB të cilat e bllokojnë inflamazomin NLRP3 mund të jenë të rëndësishme kundër sëmundjeve inflamatore, përfshirë ato ku ka mutacione në gjenet NLRP3”, tha Vishwa Deep Dixit, profesor në Seksionin e Mjekësisë Krahasuese në Shkollën e Mjekësisë në Yale.
BHB është një metabolit i prodhuar nga trupi në reagim të agjërimit, stërvitjes me intensitet të lartë, kufizimit kalorik, ose konsumit të dietës ketogjenike me nivel të ulët të karbohidrateve. Dixit tha se dihet mirë që agjërimi dhe kufizimi i kalorive e redukton inflamacionin në trup, por ishte e paqartë se si qelizat imune përshtaten në disponueshmërinë e reduktuar të glukozës dhe në qoftë se ato mund të reagojnë ndaj metabolitëve të prodhuara nga oksidimi i yndyrës.
Duke punuar me qelizat e imunitetit të minjve dhe njeriut, Dixit dhe kolegët u fokusuan në mënyrën se si makrofagët – qelizat e specializuara imune që prodhojnë inflamacion, reagojnë kur ekspozohen ndaj trupave ketone dhe nëse kjo ndikon në kompleksin inflamazom.
Ekipi e aplikoi BHB në modelet e miut të sëmundjeve inflamatore të shkaktuara nga NLRP3. Ata zbuluan se kjo reduktoi inflamacionin, dhe ky inflamacion u reduktua edhe kur minjve u ishte dhënë një dietë ketogjenike, e cila i lartësonte nivelet e BHB në gjak. “Rezultatet tona sugjerojnë se metabolitët endogjenë si BHB të cilat janë prodhuar gjatë dietave me nivel të ulët të karbohidrateve, agjërimit, apo stërvitjeve me intensitet të lartë mund ta ulin inflamazomin NLRP3”, tha Dixit.
Gjatë agjërimit arrihet rikalibrimi enzimatik. Organizmi shton ndryshimet enzimatike që ndikojnë në rregullimin e shumë sistemeve si detoksifikimi nga substancat helmuese, shpenzimi i rezervave dhjamore dhe rezervimi i proteinave. Ky është edhe shkaku i përmirësimit të gjendjeve klinike të pacientëve.
Atmosfera shpirtërore gjatë agjërimit ul stresin. Stresi ndikon në kualitetin e jetës dhe është shkak potencial për shumë sëmundje. Agjërimi lehtëson dhe mobilizon eliminimin e substancave të dëmshme nga organizmi si: kolesteroli, acidi urik, dioksina dhe mbetje të tjera toksike. Agjërimi ka një ndikim normalizues në sistemin autonom nervor. Ul shqetësimet në sistemin digjestiv si dhe qetëson gjendjen e ankthit.
Agjërimi përbën një periudhë pushimi për organet e sistemit tretës dhe zemrës:
– Mëlçia (laboratori qendror i organizmit) pushon 4-6 orë.
– Zemra gjatë ditës rrah 14.000 herë më pak.
– Veshkët gjatë agjërimit pushojnë dhe ripërtërihen.
– Zorrët kanë një periudhë pushimi dhe ulet ritmi i punës së tyre.
Agjërimi ka efekt stabilizues edhe te diabetikët, sepse ngre nivelin e insulinës.
Poashtu efekt evident, agjërimi ka treguar edhe te sëmundja e Alzhajmerit (demencë e hershme e trurit), padyshim si pasojë e efektit detoksifikues të agjërimit në sistemin nervor.
Agjërimi është sekret i jetëgjatësisë. Poashtu ka efekt antikancerogjen. Agjërimi ndihmon në lehtësimin e sëmundjeve si artriti, koliti, astma, alergjitë e ndryshme dhe largon lodhjen. Kokëdhembja që paraqitet në ditët e para të Ramazanit veçanërisht te konsumuesit e kafesë dhe duhanit, gjithashtu shoqërohet me humbje të gjumit dhe me ndjenjën e urisë. Këtyre personave u këshillohet që të fillojnë t’i lënë kafenë dhe duhanin dalëngadalë qysh para një ose dy javë para Ramazanit. Vendin e kafesë duhet ta zënë pije pa kafeinë, si bli, çaj mali dhe pije joalkoolike.
Niveli i ulët i sheqerit në gjak (hipoglicemi) shoqërohet me dobësi, marramendje, lodhje, dobësi në përqendrim, djersitje e shpejtë, dridhje (tremor), paaftësi për veprimtari fizike, kokëdhimbje, rrahje zemre e fortë. Si shkak është marrja e bollshme e sheqerit veçanërisht në syfyr në formën e karbohidrateve të rafinuara. Si përgjigje, trupi sekreton shumë insulinë, gjë që shkakton rënien e nivelit të sheqerit në gjak. Këtyre personave u këshillohet që në syfyr të marrin pak dhe në mënyrë të kufizuar ushqime me sheqer, të pinë lëngje.
Me agjërim, Allahu, xh.sh., dëshiron që ne si vepër e Tij të afrohemi. Pikërisht, devocioni është mënyra më e bukur e afrimit. Allahu, xh.sh., me agjërim nuk dëshiron që të na dënojë, por siç thotë, të na lehtësojë. Njëra prej gjërave më interesante që nuk ekziston në agjërimet e feve tjera, në Islam është nijeti (qëllimi) i cili është obligativ për ne. Allahu, xh.sh., dëshiron që ne agjërimin ta pranojmë me gjuhë e me zemër.
Jo rastësisht agjërimi kalon nëpër tri etapa: ajo e mëshirës, kur agjëruesi përgatitet për të menduar se kjo qenie e Tij e quajtur njeri u krijua nga mëshira e Tij; pastaj vjen falja, për të dëshmuar se ne jemi qenie mëkatare, e vetëm Ai është i Përsosur dhe Falës; ndërsa kulminacioni në dhjetë ditët e fundit, për të përjetuar ndjenjën e Xhenetit, mirësisë së pafund.
Në hadith, Pejgamberi, s.a.v.s., thotë se në Ramazan mbyllen dyert e Xhehenemit, mbyllen tek ne gjërat negative, mendimet dhe veprimet negative, dhe hapen dyert e Xhenetit, hapen dyert e mirësisë, bujarisë dhe të gjitha gjërave pozitive.
Në fytyrën e njeriut shihet (dallohet) nuri nga drita e imanit që përfshin zemrën. Të gjitha aspektet tjera si ato shëndetësore, etike, morale, sociale, janë sekondare në krahasim me aspektin metafizik – shpirtëror, i cili është dominues – primar. Të agjërosh prej të ngrënit, të pirit, dëshirave tunduese, shikimeve provokuese, prej të folurit përgojues, shpifjeve, ofendimeve, sharjeve, prej të menduarit djallëzor, ndaj intrigave, komploteve e prapaskenave.
Është pikërisht ky ridimensioni i vlerave të karakterit njerëzor. Thesari shpirtëror si gjëja më e çmuar, është pikërisht ndërtimi i këtij sistemi vlerash në personalitetin dhe karakterin tonë, me qëllim që jetën, shëndetin, dhe energjinë shpirtërore, që na ka dhuruar Allahu i madhërishëm, t’i përjetojmë në formë të dobishme për veten, familjen dhe shoqërinë.
Na e pranoftë Allahu agjërimin tonë, ibadetet dhe veprat tona dhe na bashkoftë nën bajrakun e Kuranit në Ditën e Gjykimit. Lutja jonë e fundit të jetë:
Lavdia i qoftë Allahut, Sunduesit të botëve!