Artisti sirian bën piktura me kripë dhe bojëra uji

Në Kilis të Turqisë tërheqin vëmendje pikturat e artistit sirian, Husam Teljibini i cili pikturon me lloje të ndryshme të bojërave si dhe me kripë.

Artisti 33-vjeçar, Teljibini i cili erdhi në Kilis para 8 vitesh nga qyteti sirian Azez siguron jetesën me paratë që fiton me shitjen e pikturave të tij.

Ai hapi 12 ekspozita të pikturës në Stamboll, Gaziantep dhe Kilis me piktorë turq dhe sirianë me pikturat e tij me laps të zi, vaj, akrilik dhe me bojëra uji. Teljibini gjithashtu është vullnetar si mësues për fëmijët që janë të interesuar të pikturojnë.

Teljibini në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se ai ishte i interesuar për pikturë që në moshën 15-vjeçare ndërsa diplomua në Departamentin e Dizajnit të Brendshëm dhe Dekorimit në Fakultetin e Arteve të Bukura në Siri.

Ai tregon se kripa e derdhur në tryezë në restorantin ku kishte shkuar për të darkuar me miqtë e tij para dy vitesh në Kilis i dha një ide tjetër për të pikturuar.

“Unë kisha një letër në dorë. U përpoqa të bëja diçka nga kripa e derdhur. Pastaj studentët e mi ishin shumë të gëzuar kur ua paraqita këtë ide. Pasi vendosëm letrat e sfondit të zi në tryezë, ne përpiqemi të bëjmë diçka me një copë të vogël prej letre duke spërkatur kripën e tryezës. Meqenëse sfondi është i zi, del një pamje shumë e bukur me kripë, por fatkeqësisht këto punime nuk janë të qëndrueshme. Ne vetëm i fotografojmë pikturat që i bëjmë. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i ekspozojmë veprat tona”, tha Teljibini.

Artisti sirian shpjegon se kripa nuk është si një furçë ose laps. “Kripa nuk qëndron e qetë, është vazhdimisht në lëvizje. Është pak e vështirë sepse nuk është e qëndrueshme. Ne nuk duhet të jemi në një ambient me erë teksa pikturojmë me kripë. Kur bëjmë ndonjë gabim në veprat e tjera të pikturës, është e vështirë të fshihet. Ndërsa me kripë, kur bëjmë ndonjë gabim, është më lehtë të korrigjohemi. Ne mund të bëjmë shumë vepra me kripë në të njëjtën letër”, tha ai.

Teljibini tha se ai e përmirësoi veten me përpjekjet e tij për të pikturuar me kripë dhe se interesi për këtë temë u rrit në qytet kur u dëgjua për veprat e tij. Duke theksuar se ai vazhdon të punojë për ta popullarizuar këtë art, Teljibini tha: “Unë ua mësova këtë art 30 studentëve të mi. Studentët e mi filluan të krijojnë shumë vepra të bukura. Ky art dalëngadalë po përparon në Kilis”, tha artisti sirian.