xhelozia

XHELOZIA, KU MË DËRGOI!!

Një vajzë, e cila gjendej në brendësinë e Haremit në Meke, na rrëfen dhe thotë: Brenda Haremit në Meke e vërejta një plakë e cila falej, qante dhe i ngrinte duart e saj dhe i lutej Allahut duke qarë. Më herët nuk kisha parë si kjo plakë dhe kjo më ngjalli interes të shkoj dhe të ulem afër saj dhe ta pyes për gjendjen e saj. Iu afrova dhe i thash: Oj nëna ime, çka është problemi me ty?! E shoh se qan shumë, cili është tregimi yt?! – Plaka duke i rrjedhur lotët më tha: Qaj nga dënimi i vetes!

I thash: Si ashtu?!

Mu përgjigj: Isha e martuar me një burrë dhe e dashuronim njëri-tjetrin marrëzisht, mirëpo Allahu gjatë martesës me të nuk na furnizoi me fëmijë. Kjo filloi të ndikon në jetën tonë dhe fillova të mërzitem për burrin tim, derisa i propozova të martohet me një grua të dytë. Ai refuzoi menjëherë, mirëpo unë këm­bëngulja në kërkesën time me ditë, me javë, me muaj, derisa në fund edhe pranoi.

E zgjodhi një vajzë dhe e fejoi dhe unë isha prezente me të kur e martoi. Pas një kohe filloi të paraqitet në zemrën time zjarri i xhelozisë kur e shihja se ai anon kah ajo më së shumti, e sidomos kur mbeti shtatzëne dhe ia lindë një djalë të bukur. Çdo ditë më shtohej zilia dhe xhelozia ndaj saj, e sidomos kur e shihja se i afrohet asaj më shumë se sa mua. Një ditë më erdhi dhe më tha se dëshiron të udhëtojë me gruan e re dhe se do ta le fëmijën me mua. Unë pranova pa diskutim, për arsye se nuk kishte tjetër kush të kujdeset për të përveç meje. Ditën e parë të udhëtimit fëmija qëndronte para meje dhe luante. Ishte një natë dimri e ftohët dhe acari, i mora disa dru dhe e ndeza zjarrin që të ngrohet dhoma. Fëmija duke lozur, ndërkohë mua zjarri i xhelozisë dhe zilisë ma digjte zemrën, iu afrua zjarrit dhe e kapi një gacë dhe unë shpejtova kah ai, mirëpo në vend se t’ia largoj dorën nga zjarri, unë ia mbajta edhe më tepër derisa dora e tij u shkrumbua mbi zjarr. U qetësua zjarri i zemrës sime, mirëpo nuk u fik tërësisht.

Pas ndodhisë, disa orë më vonë më erdhi lajmi se burri im dhe gruaja e tij e re kishin bërë ndeshje dhe kishin vdekur të dytë. U ndjeva e vetmuar pa askënd afër, përveç se këtij fëmijës me dorë të djegur.

Fëmija filloi të rritet, kurse mua brenda kohe dashuria ndaj tij filloi të më shtohet dhe ai gjithashtu më donte shumë. Ai u bë përgjegjësi im, ai përkujdeset për mua dhe i kryen nevojat e mia. Me mua ka qenë gjithmonë i butë dhe i sjellshëm duke i respektuar ligjet e Allahut dhe duke më thërritur me emrin “nënë”. Çdo herë kur më thërret me këtë emër, zemra ime digjet nga pikëllimi e mërzia dhe çdo herë kur ia shoh dorën e tij të djegur, zemra ime copëtohet dhe qaj shumë.

Nuk e di se si do të ishte gjendja ima pa këtë fëmijë.

Allahu i Madhëruar thotë: Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini”.(El-Bekare: 216)

Nga arabishtja: Irfan JAHIU