“Programi i Epokës Diellore”, projekt i kryer nga organizata jofitimprurëse “Iniciativa İmece” me bazë në Izmir, po ndihmon gratë siriane të fitojnë pavarësinë financiare duke i mësuar ato të prodhojnë bateri të rimbushshme me energji diellore.
Programi i filluar në vitin 2018 fillimisht u krijua për të trajtuar krizën globale mjedisore dhe për të fuqizuar gratë në nevojë. Megjithatë, më vonë, ai u shndërrua në një projekt fuqizimi për gratë siriane që jetojnë në Turqi për të krijuar një linjë pune për t’i ndihmuar ato të fitojnë jetesën.
Frymëzuar nga Kolegji Barefoot i Indisë, programi mirëpret gratë siriane dhe fëmijët e tyre në Çeşme të provincës Izmir, nga ku shumë azilkërkues përmes udhëtimeve të rrezikshme përpiqen të kalojnë në Evropë.
Trajnerët e “Iniciativës İmece” ofrojnë kurse në inxhinierinë diellore, sistemet e energjisë diellore dhe inxhinieritë elektrike për gratë siriane, ndërsa fëmijët e tyre merren me lojë edukative me vullnetarë ndërkombëtarë.
Projekti synon të mësojë gratë siriane se si të prodhojnë “Energji për të gjithë” ose pajisjen “EFE”, një bateri e rimbushshme portative e bërë nga mbeturinat e drurit që mund të rimbushet përmes panelit të tij diellor ose nga rryma standarde e prizës. “EFE” po ashtu përmban dy drita të fuqishme LED.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), zv/drejtoresha e “Iniciativës İmece”, İrem Somer, tha se nisma u krijua në vitin 2014 nga një grup studentësh universitarë të cilët dëshironin të mbështesnin grupe të pafavorizuara me moton “ndjeshmëria na bën njerëz”.
Çeşme është bërë një portë nga ku në vitin 2015 pothuajse 800 mijë persona u përpoqën të kalojnë në mënyrë të paligjshme në Greqi. Somer shpjegoi se shumë persona që përpiqen t’i bëjnë këto udhëtime të rrezikshme mund të ndihmoheshin më mirë nëse do të qëndronin të lidhur përmes komunikimeve të celularëve të mbushur, duke shmangur rrugët e rrezikshme, duke siguruar që të tjerët të dinë për vendndodhjen e tyre dhe duke devijuar ndihmën atje ku është e nevojshme.
Të frymëzuar nga lajmet për këto udhëtime u krijua “Programi i Epokës Diellore”, me pajisjen “EFE” të dizajnuar me këto udhëtime në mendje, por disponueshmëria e tij u zgjerua shpejt për të gjithë përdoruesit.
“Ne mësuam për lëvizjen e Kolegjit Barefoot në Indi, ku ato ofrojnë trajnime të ngjashme për gratë e varfra që jetojnë në komunitetet rurale, për t’i ndihmuar ato të marrin pjesë në zgjidhje të qëndrueshme”, tha Somer.
Ajo shpjegoi se këto gra nuk kishin mundësi të shkonin në shkollë dhe Kolegji Barefoot filloi t’i trajnojë ato në gjithë botën si inxhiniere diellore, sipërmarrëse dhe edukatore.
Që nga viti 2017, gjashtë vullnetare femra nga “Iniciativa İmece” morën trajnim për rreth gjashtë muaj nga Kolegji Barefoot dhe më pas filluan të transferonin përvojën dhe njohuritë e tyre tek gratë siriane në Turqi.
– 250 gra siriane kanë marrë trajnim deri më tani
Ezgi Özcan është një vullnetare e tillë që fillimisht mori gjashtë muaj trajnim nga Kolegji Barefoot në Indi dhe më pas u bë një trajnuese e Projektit të Epokës Diellore në “Iniciativën İmece” për gratë siriane mbi energjinë elektrike dhe energjinë diellore.
“Në kulturën siriane, gratë janë kryesisht përgjegjëse për kujdesin ndaj fëmijëve në familje zakonisht me shumë fëmijë. Prandaj, ne menduam se mund t’i ndihmonim ato duke u siguruar një linjë të re pune”, theksoi Özcan.
Në vitin 2018, të paktën 175 gra siriane morën trajnim për energjinë diellore, por pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) ka kufizuar pjesëmarrësit vetëm në ato që jetojnë në Çeşme.
“Me heqjen e bllokimeve dhe masave kufizuese, ne rifilluam trajnimin tonë një muaj e gjysmë më parë. Deri më tani, 250 gra sirianë kanë përfunduar kurset tona”, tha ajo.
Turqia strehon gati 4 milionë refugjatë, ndër të cilët mbi 3,6 milionë janë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.