Në qytetin e Prizrenit u mbajt marsh dhe ceremoni përkujtimore për nder të viktimave të Srebrenicës, ku të paktën 8.372 civilë boshnjakë u masakruan në atë që u quajt si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në programin përkujtimor të organizuar nga Shoqata “Sharski Behar” morën pjesë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Koalicionit Vakat dhe deputeti Rasim Demiri, Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Prizren, Serdar Özaydın, shefi i forcave paqeruajtëse turke në kuadër të KFOR-it, Yunus Emre Işıkoğlu, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer, si dhe banorë të Prizrenit.
Duke folur në ceremoni, ambasadori Sakar theksoi se kanë kaluar 26 vjet nga masakra e Srebrenicës, por dhimbja është akoma e freskët.
Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbajë zi së bashku me boshnjakët.
“Çfarëdo që të bëni, mos e harroni gjenocidin. Sepse ne, duke ndjekur gjurmët e liderit të mençur Aliya Izetbegovic, i cili tha se gjenocidi i harruar do të përsëritet, kurrë nuk do të harrojmë Srebrenicën në mënyrë që vuajtje të tilla të mos ndodhin askund në botë. Ne nuk do ta lëmë të harrohet. Do të vazhdojmë të mbrojmë kujtimin e dëshmorëve”, deklaroi Sakar.
Ndërkaq, kryebashkiaku Haskuka gjithashtu tha se shumë pak persona përgjegjës për gjenocidin janë sjellë para gjykate, duke theksuar se krimet e tilla do të përsëriten nëse nuk jepet llogari.
“Për këtë arsye, masakra e Srebrenicës u përsërit në shumë qytete dhe fshatra të Kosovës”, u shpreh Haskuka.