Në Shqipëri janë riatdhesuar disa fëmijë të tjerë shqiptarë dhe disa gra shqiptare të cilët kanë qëndruar në kampe në Siri, pas një operacioni të kryer nën koordinimin e institucioneve të Shqipërisë dhe me mbështetjen e autoriteteve të Libanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi, vizituan Libanin, në kuadër të operacionit për riatdhesimin e 14 fëmijëve dhe 5 grave shqiptare.
Gjatë mbërritjes së tyre në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, kryeministri Rama në një deklaratë për mediat tha se riatdhesimi është bërë vullnetarisht.
Kryeministri Rama theksoi se operacione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pa përmendur shifra në lidhje me numrin e shtetasve shqiptarë që gjenden në kampe në Siri.
“Këtë herë 5 gra dhe 14 fëmijë mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekjeje të gjatë të një operacioni të ndërlikuar dhe me shumë vështirësi. Ne nuk do të ndalemi deri këtu. Ka dhe një operacion tjetër potencialisht për t’u zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht”, u shpreh Rama.
Autoritetet shqiptare në vitet e fundit janë angazhuar që ta zgjidhin çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve që gjenden në kampe në Siri, të cilët shkuan në këtë vend vite më parë.
Sipas disa organizatave të shoqërisë civile, dhjetëra shqiptarë jetojnë në kampet në Siri në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre.
Kujtojmë se në tetor të vitit të kaluar u riatdhesuan edhe katër fëmijë dhe një grua shqiptare që kishin qëndruan në kampet në Siri.