kosovaret

POROSI TË ARTA NË SHFRYTËZIMIN E PUSHIMEVE VERORE

Koha është jeta e njeriut dhe gjëja më e shtrenjtë e tij, prandaj edhe konsiderohet si njëra prej begative më të mëdha që ia ka dhënë Allahu robit të Tij.

Muadh ibën Xhebeli, radijallahu anhu, na njofton se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë. “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë robi Ditën e Kiametit, derisa të pyetet për katër çështje: Për jetën se si e kaloi. Për rininë se si e shfrytëzoi. Për pasurinë se nga e fitoi dhe ku e harxhoi. Për diturinë se si punoi me të.”
Prej hadithit na bëhet e qartë se ditën e Kiametit robi i Allahut nuk e bën një hap, vetëm se do të llogaritet për jetën e tij në përgjithësi dhe rininë e tij në veçanti, pastaj për pasurinë e tij si e ka fituar dhe shpenzuar dhe për kohën e tij se si dhe ku e ka kaluar.

Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shumë njerëz nuk i shfrytëzojnë dy të mira: shëndetin dhe kohën e lirë.”
Poashtu ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë tënde para se të arrijë pleqëria. Shëndetin para se të arrijë sëmundja. Pasurinë para se të vijë varfëria. Kohën e lirë para se të zihesh me punë. Jetën tënde para se të vijë vdekja.”

Kush e njeh periudhën e selefit dhe i pason ata do të vëren se ata ishin njerëzit që më së shumti kujdeseshin për kohën e tyre.

Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Nuk jam penduar gjatë jetës sime më shumë se atë ditë kur dielli ka perënduar dhe exheli më është afruar, ndërsa në llogarinë time nuk kam shtuar asnjë vepër të mirë.”

Çdo njeri i mençur në rast se i mediton këto hadithe do të vëren se çdo njeri është përgjegjës për kohën dhe jetën e tij dhe se koha është mall i shtrenjtë me të cilën dinë të bëjnë tregti vetëm njerëzit e mençur. Për fat të keq rinia jonë është sprovuar në humbjen e kohës në gjëra të kota dhe i kanë harruar përgjegjësit e tyre ndaj saj dhe e kanë neglizhuar thënien: “Koha është sikurse shpata. Po nuk e preve ti, të pret ajo ty.”

Tani gjendemi në periudhën e pushimeve verore ku edhe njerëzit më së shumti e neglizhojnë shfrytëzimin e saj dhe investimin në të dhe për këtë shkak i zgjodhëm disa porosi me të cilat shpresojmë që t’i bëjnë dobi muslimanëve.

Porosia e parë: Mos u largohuni prej Kuranit.

Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, në një hadith të gjatë të quajtur “hadithi i ëndrrës” të cilin na e përcjell Semrete ibën Xhundub, radijallahu anhu, thotë: ” Natën më erdhën dy burra dhe më thanë ec përpara. Vazhduam të ecim deri sa mbërritën pranë një burri të shtrirë me shpinë, te koka e të cilit qëndronte një burrë i cili ia thyente kokën me gurë. Kur e godiste guri rrokullisej dhe ai shkonte për ta marrë dhe nuk kthehej tek ai vetëm kur i mbyllej plaga dhe koka i kthehej në formën e mëparshme. Burri kthehej dhe e qëllonte sërish. I pyeta thotë Muhamedi, sal-allahu alejhi ue selem, se kush është ky? Thanë dy burrat: Ec përpara dhe pastaj më thanë. Ai që ia thyenin kokën është njeriu që ia mësoi Allahu Kuranin e nuk e lexoi gjatë natës dhe nuk punoi me të gjatë ditës. Kështu veprohet me këtë deri në Ditën e Gjykimit.”

Ebu Musa El-Esharij, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kuranin, është sikurse shembulli i citrës, aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin, është sikurse hurma, nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon Kuranin, është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e hidhët. Shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kuranin, është sikurse shembulli i kungullit të egër, që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të hidhët.”

Këto hadithe duhet të jenë stimulim i mirë për çdo musliman pa marrë parasysh pozitën e tij jetësore dhe vendin ku gjendet, që t’ia jap besën vetes së tij se do të lexon diçka prej Kuranit tërë jetën e tij, e jo vetëm në periudhën e pushimeve verore.

Në vazhdim do ta paraqes një tabelë e cila do të ndihmon në mësimin përmendësh të Kuranit.

Numri i ajeteve Periudha Koha e përfundimit

Një ajet Çdo ditë 18 vite e 7 muaj e 9 ditë

Tre ajete Çdo ditë 5 vite e 10 muaj e 13 ditë

Pesëmbëdhjetë ajete Çdo ditë Një vit e dy muaj e një ditë

Njëzet ajete Çdo ditë Dhjetë muaj e gjashtëmbëdhjetë ditë

Një faqe Çdo ditë Një vit e tetë muaj e dymbëdhjetë ditë

Dy faqe Çdo ditë Dhjetë muaj e gjashtë ditë

Porosia e dytë: Ngopja e mendjes dhe trurit me atë çka të bën dobi.

Ti o vëlla musliman, ky pushim është shans i mirë për lexim ditor që ti ta zgjerosh diapazonin tënd dhe ti shtosh informacionet e duhura që të nevojiten. Lexo libra të ndryshëm që shpirtrat anojnë kah ato dhe që nuk bien në kundërshtim me fenë e Allahut, azze ue xhel, duke mos e neglizhuar edhe leximin e librave fetare sidomos ato libra të cilat i përmbajnë dispozitat e besimit, namazit dhe dispozitat e tjera fetare bazore.

Porosia e tretë: Mbaje lidhjen farefisnore.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju” Nisa 1.

Enes ibën Malik ,radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi ,sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.”

Xhubejr ibën Mutim ,radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi ,sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.”

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi ,sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Kiametit le ti mban lidhjet farefisnore.”

A ka më mirë se një njeri të kujdeset për familjen e tij, të pyet se a ka nevojtar e ti ndihmon, dhe a ka të sëmur e ta viziton. Kjo i shton të mirat, dashurinë dhe afërsinë mes farefisit. Në rast se nuk mundesh ti vizitosh le të jetë telefoni yt i bekuar me të cilin do ti mbash lidhjet farefisnore, sidomos me ato të cilët nuk të vizitojnë.

Porosia e katërt: Pushimi veror është periudhë e mirë për fejesë apo martesë.

Martesa është traditë e të gjithë pejgamberëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës.” Rad 38.

Me ngritjen e martesës sipas ligjit të Allahut, jeta sistematizohet, nderi i muslimanit mbrohet dhe gjendja e tij drejtohet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” Nur 32.

Për fat të keq sot e vërejmë rininë tonë se si e vonojnë martesën me pretekst se janë shumë të ri, ose thonë se së pari duhet të mbledhim të holla dhe të posedojmë shtëpi e pastaj do të martohemi. Disa prej tyre i presin princat me kuaj të bardhë ose princeshat që të vinë dhe ti propozojnë martesa dhe i harrojnë argumentet të cilat nxisin në martesë. Çdo vonesë shkon në dëm të tyre dhe më e keqja dhe më e rrezikshmja është se mund shumë lehtë të bien në imoralitet dhe ta meritojnë mallkimin e Allahut në dunja dhe ahiret në rast se nuk pendohen.

Pejgamberi ,sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “O të rinj, kush ka mundësi të martohet le të martohet, sepse kështu e ruan më mirë syrin dhe e mbron organin e tij. E kush nuk mundet të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë për të.”

Pejgamberi ,sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Nëse ju vjen (për t’ju kërkuar) ndonjëri me moral dhe përkushtim ndaj fesë, gjëra të cilat ju pëlqejnë, atëherë martojeni, përndryshe, do të bëhet fitne në tokë dhe çrregullime të gjera”

Porosia e pestë: Vizitoni kampet verore fetare.

Kampet verore janë begati që na i mundësoi Allahu këtyre viteve të fundit. Në to ka shumë dobi si fetare ashtu edhe edukatore, sportive, kulturore etj. Mbikëqyrja e këtyre kampeve bëhet nga ana e njerëzve të sigurt të besueshëm në dituri dhe moral, të cilët e dëshirojnë të mirën dhe thirrin në të. Është mirë që çdo musliman së paku një herë të shkon e ta viziton ndonjë kamp dhe të bindet në atë se çka ofron ky lloj kampingu.

O ju musliman,

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Humbja e kohës është më e keqe se vdekja, për shkak se humbja e kohës ta shkatërron dunjan tënde dhe ahiretin tënd.”

E lus Allahun, azze ue xhel, që të na bën prej atyre që dimë se si ta shfrytëzojmë kohën tonë.

Dijetarët na paralajmërojnë prej udhëtimeve në këto vende dhe asnjëri prej tyre nuk e lejon qëndrimin në këto vende. Përjashtim bëjnë vetëm se ata të cilët shkojnë për shërim ose për mësim të ndonjë lënde që nuk mësohet në tokat muslimane ose për thirrje në fenë e Allahut ose për tregti, mirëpo duke mos i harruar obligimet fetare dhe dispozitat e saj.

Pejgamberi ,sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Unë jam i pastër (i pafajshëm) nga çdo musliman që jeton në mesin e idhujtarëve!”

“Nuk kam lënë pas meje fitne (sprovim, përçarje) më të dëmshme për burrat se gratë.”

“Frikohuni prej sprovës së dunjas dhe sprovës së grave.”

O ju musliman kjo ishte edhe porosia e gjashtë dhe me këtë e përfundoj hutben e ditës së sotme dhe e lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta që të na mundëson që kohën tonë ta shfrytëzojmë në adhurime dhe në atë çka na bën dobi në këtë botë dhe ahiret dhe të na mbron prej të kotës dhe injorancës.

Nga arabishtja: Irfan Jahiu