Myftiu Tërnava po qëndron në Kajro

Me ftesë të myftiut të Egjiptit, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, po merr pjesë në konferencën e organizuar nga Myftinia e Egjiptit dhe sekretariati i përgjithshëm i myftinive dhe institucioneve të fetvasë në botë me temë “Institucionet e fetvas në kohën digjitale-sfidat e zhvillimit dhe mekanizmat e bashkëpunimit” e cila po mbahet në Kajro.

Myftiu Tërnava në kumtesën e tij në Konferencë u fokusua dhe theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të institucioneve fetare me  teknologjinë më moderne në kohën e digjitalizimit dhe sidomos përgatitjen dhe ngritjen e kapaciteteve të liderëve fetarë në përdorimin e teknologjisë informative dhe rrjeteve sociale, si dhe përdorimin e platformave dhe aplikacioneve të reja për të përçuar mesazhin e vërtetë dhe mësimet e pastra islame, duke mos lënë hapësirën për grupet e ndryshme ekstreme, që të përhapin ideologjitë e tyre radikale përmes rrjeteve sociale.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë mbi 85 delegacione të institucioneve fetare nga shtete të ndryshme të botës. Në ditën e parë të Konferencës, një pjesë e kryesuesve të delegacioneve u pritën edhe nga presidenti i Republikës Arabe të Egjiptit, Abdulfettah al Sisi.

Në këtë Konferencë, Myftiu Tërnava po shoqërohet nga kryeimami Vedat ef. Sahiti.