OKB: Përhapja luftimeve midis forcave afgane dhe talibanëve në Kabul do të rezultonte në “katastrofë”

Kombet e Bashkuara (OKB) paralajmëruan se një konflikt midis forcave afgane dhe talibanëve në kryeqytetin Kabul do të rezultonte në “katastrofë”, duke bërë thirrje që të arrihet një marrëveshje në bisedimet në Doha të Katarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric tha në një konferencë për shtyp se po ndjekin nga afër zhvillimet në Afganistan dhe janë “thellësisht të shqetësuar” për gjendjen e civilëve.

Dujarric paralajmëroi se përhapja e përplasjeve midis forcave afgane dhe talibanëve në një qytet me madhësinë e kryeqytetit Kabul do të rezultonte në “katastrofë”.

“Ne shpresojmë që bisedimet e mbajtura në Doha këtë javë midis Afganistanit dhe talibanëve dhe përfaqësuesve rajonalë dhe ndërkombëtarë do të vendosin rrugën drejt një zgjidhjeje të negociuar”, shtoi Dujarric.

Dujarric tha gjithashtu se ata janë të gatshëm të kontribuojnë në negociata dhe të ofrojnë ndihmë për numrin në rritje të afganëve që kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Ndryshe, dhuna është rritur së fundmi në Afganistan pasi militantët talibanë kanë marrë kontrollin mbi një numër të madh rajonesh pas vendimit të forcave të huaja për t’u larguar nga vendi dhe dështimit të bisedimeve të paqes midis qeverisë afgane dhe militantëve.