Në Kosovë arrin grupi i parë i afganëve

Në Kosovë të dielën më 29 gusht, arriti grupi i parë i qytetarëve afganë, prej 111 personash, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Ata u transportuan nga Gjermania me një avion të forcave ajrore amerikane, i cili aterroi në Kosovë pak pas orës 20:00. Autoritetet kosovare po ashtu njoftuan se gjatë të hënës pritet të arrijë grupi tjetër i afganëve.

Qytetarët afganë, që kanë punuar me NATO-n, së bashku me familjet e tyre, do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara. Në mesin e tyre ka gra dhe fëmijë.

Afganët që kanë arritur në Kosovë, do të strehohen në ish-kampin e kompanisë Bechtel Enka, që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Ferizaj.

Për të pritur qytetarët afganë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dolën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett.

Grupi i dytë i afganëve do të vijë të hënën në Kosovë

Gjatë një konference për media nga Aeroporti “Adem Jashari”, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se grupi i radhës i afganëve pritet të vijnë në Kosovë të hënën.

Ai tha se të gjithë shtetasit afganë që arritën në Kosovë do të testohen për koronavirus dhe nëse ka raste pozitive, janë caktuar edhe vende për karantimin e tyre. Po ashtu, ai tha se shtetasit afganë do të vaksinohen kundër koronavirusit, nëse nuk janë të vaksinuar.

“Fluturimet e ardhshme pritet të ndodhin qysh nesër. Tashmë kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme. Është çështje e organizimit të aleatëve tanë për sa i takon fluturimeve apo nisjeve të avionëve të tyre për në Kosovë”, tha Sveçla.

Ai shtoi se numri i shtetasve afganë që do të strehohen përkohësisht në Kosovë ende nuk dihet saktë, por tha se “do të jetë një numër i përballueshëm për ne”.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani tha se qytetarët e Kosovës e dinë se çfarë do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia, andaj ajo tha se për afganët, Kosova ka hapur “jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona”.

“Ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të të gjithë këtyre partnerëve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te shteti i fundit i NATO-s në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurt”, tha Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se afganët që kanë arritur në Kosovë janë mysafirë dhe se tashmë ata janë të sigurt.

“Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna për aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si. Pra të gjitha çështjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike dhe logjistike sesi këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas një konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre”, tha Kurti.

Në aeroport ishin të pranishme edhe forca policore të Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it për të mbajtur sigurinë. Aty po ashtu u panë edhe disa autobusë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që u përdorën për transportimin e afganëve.