6-696x379

LIDHJA FAREFISNORE

Farefisnia është njëra prej nënshtrimeve më me vlerë dhe më me pozitë, më e bekuar dhe më së shumti që bën dobi në këtë botë dhe në ahiret.

Farefis i një njeriu konsiderohen të afërmit e tij prej gjaku, si baba, nëna, vëllai, motra, djali, vajza, dhe çdo person që ka lidhje gjaku me to. Familja e gruas për burrin e saj s’janë farefis, e as familja e burrit për gruan e tij s’janë farefis, për shkak se mes tyre s’ka lidhje gjaku, por mes tyre eksiton lidhje krushqie. Thotë Allahu, azze ue xhel: Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj; ndose, sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë). Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë(El-Enfal: 75)

Allahu, azze ue xhel na porositi respektimin e fare­fisnisë, dhe e bëri këtë porosi shumë të afërt me porosinë e devotshmërisë, thotë Allahu, azze ue xhel: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”.(En-Nisa: 1)

 

Ibën Abasi thotë se komenti i këtij ajeti është: “Frikësojuni Allahut me respektimin e urdhrave të Tij dhe largimin prej mëkateve që i ka ndaluar Ai, mos i shkëputni lidhjet farefisnore, por respektoni, vizitoni dhe silluni mirë me ato.”

Allahu, azze ue xhelnë ajetin: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit”(Er-Rum: 38),na bën të qartë se njeriu ndaj farefisnisë ka obligime që detyrohet t’i kryejë, qofshin materiale apo morale.

Respektimi i lidhjes farefisnore ishte prej gjërave të para që thirri Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur iu shpall pejgamberia. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyretregimin e Ebu Sufjanit me Herakliun (Mbretin e romakëve në atë kohë), se i patë thënë Herakliu Ebu Sufjanit: “Në çka ju urdhëron Muhamedi?” Përgjigjja e Ebu Sufjanit ishte: “Ai na urdhëron që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe mos t’i bëjmë shok Atij, t’i lëmë besimet e mëhershme dhe atë çka e thonë baballarët tonë, na urdhëron në faljen e namazit, dhe na urdhëron në sinqeritet, virtytshmëri, dhe respektimin e farefisnisë.” (Buhari 7, Muslimi 1773).

Respektimi i lidhjes farefisnore është një prej shkaqeve që ta lehtëson furnizimin dhe ta zgjat jetën në dunja, kurse në ahiret është shkak që të fut në Xhenet dhe të mbron prej zjarrit të Xhehenemit. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre, prej hadithit të Ebu Ejub el Ensariut, radijallahu anhu, se Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, gjatë udhëtimit iu paraqit një banor i shkretëtirës dhe e pyeti. “O i Dërguar i Allahut, më trego se cilat vepra më afrojnë Xhenetin e Allahut, dhe cilat vepra më largojnë prej Xhehenemit të Allahut?” – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u ndal, i shikoi shokët e tij, e pastaj tha: “Vetëm se u mbarësua, apo vetëm se u udhëzua.” – Pastaj tha: “Si the!” – Banori i shkretëtirës e përsëriti edhe një herë pyetjen e tij. – Pastaj Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Ta adhurosh Allahun dhe mos t’i bësh shok Atij, ta falësh namazin dhe ta japësh zeqatin, ta respektosh farefisin.” (Buhari 1397, Muslimi 13)

Me një transmetim tjetër: “Si ta praktikojë atë çka u urdhërua, do të hyjë në Xhenet.” (Muslimi 13)

Në një hadith tjetër Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.” (Buhariu 2067, Muslimi 2557)

Mosrespektimi i farefisit dhe shkëputja prej tyre janë prej mëkateve të mëdha, që Allahu e paralajmëroi dhe i premtoi vepruesit të tyre se do ta ndëshkon me dënime të ndryshme në këtë botë dhe ahiret. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë, e që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!”(Er-Ra’d: 25)

Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre na përcjellin hadithin e Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pasi që Allahu i krijoi të gjitha krijesat, lidhja farefisnore tha: “Kjo është pozita që kërkon strehim prej teje nga këputja e lidhjes farefisnore.” Allahu, azze ue xhel tha:” Po, a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres më atë që i ndërpret me ty?” Ajo tha: “Po, si jo o Zoti im.” Tha Allahu, azze ue xhel: “Ajo është për ty.” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Lexoni nëse dëshironi:“A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?” (Muhamed: 22) (Buhariu 5987, Muslimi 2554)

Transmeton imam Tirmidhiu në Sunenin e tij prej hadithit të Ebi Bekrës, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: S’ka mëkat që më së shumti e meriton përshpejtimin e dënimit të Allahut, duke mos e anashkaluar atë në ahiret, si mëkati i së bërjes padrejtësi dhe i shkëputjes së lidhjes farefisnore.” (Tir­midhiu 2511)

Ai që i ndërpret lidhjet familjare, kanoset me mos hyrjen e tij në Xhenet. Transmeton Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.” (Buhariu 5984, Muslimi 2556)

Respektues i lidhjes farefisnore konsiderohet ai person i cili e respekton dhe e viziton farefisin edhe ata kur shkëputën prej tij dhe s’e respektojnë. Përcillet prej Abdullah ibën Amru ibën el As, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk mban lidhjet farefisnore ai që kthen (vizitat), por është ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet me ta.” (Buhariu 5991)

Transmeton imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në Sahihin e tij prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha atij: “O i Dërguar i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore, kurse ata nuk mbajnë me mua, u bëj mirë, kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta, kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Nëse vërtet është ashtu s’i thua ti, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.” (Muslimi 2558)

Komentuesit e këtij hadithi thonë: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tregon dënimin e tyre se sa është i dhimbshëm, dhe i përngjason me vuajtjet e ngrënësit të hirit të nxehtë. Kjo e tëra vjen si rezultat i shkëputjes së lidhjes familjare dhe arroganca e tyre ndaj atij që i viziton.”

Respektimi i lidhjes farefisnore arrihet me veprimin e mirësisë ndaj tyre, edhe atë me çka mundet njeriu. Thotë Ebi Xhemreh, Allahu e mëshiroftë: “Farefisnia respektohet me pasuri, me ndihmë kur kanë nevojë, me buzëqeshje, me lutje për to, etj.”

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Obli­go­het respektimi i lidhjes farefisnore me dashuri, me këshilla mes veti, me drejtësi, me dhënien e të drejtave obliguese dhe atyre të pëlqyera, pastaj me shpenzim për të afërmin, dhe me mos përgojimin e të metave të tyre, etj.

Kuptimi i përgjithshëm i lidhjes farefisnore është respektimi i tyre sa mundet në të mirë, dhe largimin e sherrit prej tyre sa ka mundësi. Pra, çdo send varet prej mundësisë dhe prej fuqisë së njeriut, pastaj prej gjendjes dhe prej pozitës së tij, dhe prej marrëdhënieve familjare dhe prej asaj se sa i lehtësohet atij kjo gjë. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”. (El-Bekare: 286)”.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pëlqehet t’i jepet përparësi nënës në dëgjueshmëri dhe mirësi, e pastaj babës, pastaj fëmijëve, pastaj gjyshërve dhe gjysheve, pastaj vëllezërve dhe motrave, pastaj të gjithë mahremeve prej familjes, si xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve, etj. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afër dhe kështu me radhë.”

Hakimi në Mustredekun e tij na transmeton hadi­thin e Ebi Remtheh, radijallahu anhu, i cili thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Nëna jote, pastaj babai yt, pastaj motra dhe vëllai, pastaj të tjerët me radhë me nivel më të ulët.”

Dhënia e lëmoshës në farefis, e dyfishon shpër­blimin e dhënësit të saj. Transmeton Tirmidhiu prej Sulejman ibën Amir, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Lëmosha për fukaranë është vetëm lëmoshë, ndërsa për farefisin lëmoshë dhe lidhje farefisnore.” (Tirmidhiu 658)

Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Mejmune bint el Harith, radijallahu anha, e cila e liroi një robëreshë, duke mos marrë leje prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe më vonë i tha Pejga­mberit, sal-lallahu alejhi ue selem,: “O i Dërguar i Allahut, a vërejte se e lirova robëreshën time? Tha: “A e bëre?” – Ajo tha: “Po.” – Atëherë i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Po t’ia kishe dhuruar tezeve tua, do të kishe më shumë shpërblime”. (Buhari 2592, Muslimi 999)

Dr. Emin ibën Abdullah esh Shekaui

Nga arabishtja: Irfan JAHIU