Në Maqedoninë e Veriut ka filluar viti i ri shkollor 2021/22 me prezencë fizike dhe me masa për mbrojtje kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar protokolle për mbrojtje ndërsa ministrja Milla Carovska vizitoi Shkollën së Mesme “Nikolla Karev” në Shkup, ku nxënësve u uroi mbarëvajtje të vitit shkollor.
“Vlerësoj se të gatshëm e presim fillimin e vitit shkollor me prezencë fizike. Por, në fund do të doja të theksoj se është shumë e rëndësishme që çdo individ që në momentin është në ndonjë lidhje me sistemin arsimor, të jetë i përgjegjshëm. Një papërgjegjësi e vogël mund të çojë deri në atë që shkolla të caktuara të ndryshojnë modelin e funksionimit”, tha Carovksa.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e respektimit të protokolleve në mënyrë që procesi i mësimdhënies të vazhdojë të zhvillohet me prezencë fizike.
“Në interesin më të lartë të të gjithë nxënësve, dhe me këtë, në interes më të lartë të ardhmërisë së vendit, është që nxënësit të jenë fizikisht prezent dhe t’i respektojnë protokollet. Nëse të gjithë i respektojmë protokollet, kujdesemi për shëndetin tonë dhe shëndetin e më të afërmve tanë, atëherë me të vërtetë kemi mundësi mësimdhënien ta zhvillojmë me prezencë fizike dhe gjatë kësaj, të mbrojmë edhe shëndetin publik”, shtoi ajo.
Drejtori i Shkollës së Mesme “Nikolla Karev”, Andrej Manolev, u shpreh se si shkollë janë të gatshëm të zbatojnë protokollet e ministrisë dhe se mësimi do të zhvillohet në dy turne.
“Është me rëndësi të them se çdo fëmijë patjetër duhet të mbajë maskë. Çdo fëmije do t’i matet temperatura gjatë hyrjes në shkollë dhe do t’u dezinfektohen duart”, tha Manolev.
I pranishëm ishte edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili gjithashtu uroi nxënësit për vitin e ri shkollor dhe bëri thirrje për kujdes dhe zbatim të protokolleve.
Në Shkollën e Mesme “Nikolla Karev” këtë vit për herë të parë në Maqedoninë e Veriut do të mësohet edhe gjuha italiane, me ç’rast i pranishëm ishte edhe ambasadori italian në Shkup, Andrea Silvestri, i cili falënderoi institucionet për bashkëpunimin.
Sipas informatave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në Maqedoninë e Veriut këtë vit shkollor e fillojnë rreth 187.000 nxënës të shkollave fillore dhe rreth 70.000 nxënës të shkollave të mesme.
Për dallim nga viti i kaluar shkollor kur për shkak të pandemisë së koronavirusit, procesi i mësimdhënies kryesisht u zhvillua pa prezencë fizike, ky vit shkollor në gjithë territorin e vendit do të zhvillohet me prezencë fizike. Përjashtim janë shkollat në komunat e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës, ku për shkak të gjendjes epidemiologjike, Komisioni i Sëmundjeve Infektive ka vendosur që mësimi të mos zhvillohet me prezencë fizike për një kohë të caktuar.