Ministri danez i Punëve të Jashtme, Jeppe Kofod, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me presidentin e vendit Ilir Meta dhe homologen e tij, Olta Xhaçka, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenca e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë takimit me kryediplomatin danez, presidenti Meta ka nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe rritjen e investimeve daneze në fusha të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë.
“Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për ndihmën e Danimarkës për ndërtimin e institucioneve të pavarura shqiptare dhe të shoqërisë civile, si dhe e falënderoi ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, për qëndrimin inkurajues dhe mbështetës të vendit të tij për proceset e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se Meta e falënderoi ministrin Kofod për mbështetjen e të Danimarkës në rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për ndihmën në përballimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) përmes dhurimit të vaksinave.
Ministri Kofod është pritur në takim edhe nga homologia e tij. Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ministrja Xhaçka ka theksuar se mbështetja Danimarkës është provë e progresit të prekshëm e bindës të Shqipërisë.
Sipas ministrisë, ministri Kofod ka theksuar se Shqipëria ka bërë një punë fantastike me reformat në sektorë të ndryshëm.
Ministri Kofod gjithashtu është takuar edhe me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.