maxresdefault

MOSRESPEKTI I PRINDËRIT NDAJ FËMIJËS

Çdo ditë dëgjojmë dhe shohim pamje dhe forma të ndryshme të mosrespektimit të prindërve nga ana e fëmijëve të tyre, kështu që në anën tjetër çdo herë rritet presioni ynë ndaj tyre, dhe i detyrojmë t’i respektojnë urdhëresat, detyrat dhe ndalesat, e në rast se nuk i respektojnë atëherë i etiketojmë si mosrespek­tues të prindërve. Po, Islami i ka urdhëruar fëmijët në respektimin e prindërve, dhe i detyroi atyre sjelljen e mirë ndaj tyre, dhe i ndaloi, bile e bëri mëkat të madh, mungesën e respektit ndaj tyre. Mirëpo, në anën tjetër Islami na urdhëroi me një mirësi tjetër, e ajo është mirësjellja jonë ndaj fëmijëve tanë dhe na ndaloi neve prindërve mosrespektimin e të drejtave të tyre.

Përcillet prej një gjurme, se një njeri së bashku me të birin shkuan te Omer ibën Hatabi, radijallahu anhu, dhe i tha: “Biri im s’më respekton!” – Iu drejtua Omeri djaloshit: “A s’i druhesh Allahut për shkak mungesës së respektit ndaj prindit tënd?” – Djaloshi tha: “O prijësi i muslimanëve, a ka prindi ndaj fëmijës së tij detyrime?” – Iu përgjigj Omeri, radijallahu anhu: “Po, ai detyrohet t’ia zgjedh fëmijës nënën fisnike, ta emërtojë me emër të bukur, dhe t’ia mësojë Kur’anin.” – Djaloshi tha: “Pasha Allahun, nënën time nuk e ka zgjedhur fisnike, por ajo është Sindijeh, e ka blerë me katërqind dërhem, pastaj s’më ka emërtuar me emër të bukur, më quajti Xhual (bubu­rrec), dhe s’më mësoi prej Kur’anit asnjë ajet.” – U kthye Omeri kah prindi i tij, dhe i tha: “Ti thua i biri s’më respekton, mirëpo ti nuk e respektove atë para se të respektojë ai ty.”

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e negli­zhon edukimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, vetëm se i ka bërë padrejtësi. Shumica e fëmijëve kanë devijuar në besim dhe moral, s’i rezultat i neglizhencës së prindërve për t’ua mësuar atyre fenë dhe rregullat e saj. Prandaj, i humbën dhe i shkatërruan kur ishin të vegjël, dhe kështu s’i bënë dobi as vetes së tyre e as prindërve kur u rritën të mëdhenj.”

Prandaj, o ti prind, mos përshpejto me qortim kur të rikujtoj se ke detyrime ndaj fëmijës tënd. Në rast se e neglizhojmë këtë anë, atëherë fëmijët s’janë fajtorë pse në mesin e tyre ekzistojnë të tillë që nuk respek­tojnë, devijojnë, inatosen, urrejnë, dhe këto veti s’i vërejmë vetëm se atëherë kur paraqiten. Shumë familje dhe shoqëri i mundon ky problem, ndërsa çdo prind dëshiron ta sheh fëmijën e vet në rrugë të drejtë, dhe me moral të mirë, por s’i ta arrimë këtë gradë kur ne i neglizhojmë fëmijët!

Shumica e shtëpive tona s’i edukojnë fëmijët me elementet themelore të edukatës. Përcjellja, vështrimi, pajtimi, butësia, besa, shoqërimi, dhënia e shanseve, dhe disa prej kuptimeve themelore edukatore përafër­sisht s’ekzistojnë tek ne.

Thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem,: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri është përgjegjës për kopenë e tij. Imami është bari dhe përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari për shtëpinë e tij dhe përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj.” (Buhari)

Poashtu, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u thonte shokëve të tij: “Kthehuni te familjet e juaja, jetoni me ta, mësoni ata, urdhëroni ata.” (Buhari)

Babai shumicën e kohës është i preokupuar me punë dhe sjelljen e furnizimit për shtëpi, prandaj kur kthehet në shtëpi nuk sheh para tij vetëm se mangësi dhe s’kërkon gjë tjetër vetëm se disa orë gjumë që ta rehatojë trupin e tij prej lodhjes.

E ëma tërë ditën mundohet me shpirt t’i plotësojë dëshirat e fëmijëve dhe t’i ushqejë me ushqim të mirë që të formojnë trupa të shëndoshë, dhe e harron ushqimin kryesor, ushqimin e besimit i cili duhet të ngulitet në zemrat e fëmijëve prej fëmijërisë.

Prandaj, detyrohemi t’ua mësojmë fëmijëve tanë vetitë kryesore, madje duke filluar prej dashurisë ndaj Allahut, pastaj madhërimin, respektimin e Tij, shpresën tek Ai, frikën prej Tij, dhe mbështetjen tek Ai.

Pastaj, detyrohemi t’ua mësojmë disa parime të sjelljes dhe moralit, ndërsa mësimi i tyre në fëmijëri e përforcon diturinë dhe njohjen. Si p.sh.: përdorimi i disa fjalëve të shkëputura prej haditheve që flasin për moral, edukatë dhe etikë, pastaj sjellja e mirë, respekti, dhe nderimi i të moshuarve, pastaj etikën e të folurit, s’i të folurit me zë të ulët dhe mosndërprerja e folësit, pastaj mësimi i disa çështjeve rreth adhurimeve dhe dispozitave, e në krye të saj lidhjen imanore me Allahun azze ue xhel.

Formimi i një fëmije të shëndoshë s’do të thotë vetëm ndërtimi i trupit të shëndoshë, por pa tjetër duhet edhe ndërtimi i zemrës së shëndosh. Formimi i një zemre që e adhuron dhe i nënshtrohet Allahut, ndikon edhe në formimin e një trupi të shëndosh. Thotë Allahu, azze ue xhel: Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit” (Et-Teube: 109)

Po ashtu prej elementeve kryesore që ndikojnë në ndërtimin e një fëmije të mirë, është ngulitja e dashurisë për namaz në zemrën e tij prej fëmijërisë. Kjo është edhe porosia e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, që prej moshës shtatë vjeçare t’ia mësojmë fëmijëve namazin, kurse në moshën dhjetë vjeçare t’i dënojmë me një dënim të lehtë kur e neglizhojnë atë, dhe ta kuptojnë se namazi s’është thjesht një detyrim që detyrohet ta kryejnë, por është një gjuhë kontakti mes tyre dhe Allahut azze ue xhel. S’duhet ta harrojmë faktin se fëmija do të përkujdeset për namazin, vetëm se atëherë kur e sheh se prindërit e tij përkujdesen për kryerjen e namazit. Ai gjithmonë i pason prindërit e tij dhe në rast se ata s’janë shëmbëlltyrë për fëmijën e tyre, atëherë prej ku do të marr mësim ai fëmijë?

Imam Gazali, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk rrënjoset morali fetar në shpirt, derisa të mësohet shpirti të jetojë me vepra të mira dhe të largohet prej të këqijave, të jetë këmbëngulës dhe i vazhdueshëm në kryerjen e veprave të mira, e t’i urrejë veprat e këqija dhe të ndjejë dhimbje kur i vepron. Morali i mirë fitohet me vepra të mira, me shikimin e njerëzve të mirë dhe shoqërimin e tyre, se ata janë me të vërtetë shoqërues të mirë dhe përmirësues në tokë. Baza e edukimit të fëmijës është ruajtja e tij prej shokëve të këqij. Çdo fëmijë lind me natyrshmëri të pastër, mirëpo ndikimi i rrethit dhe edukata, e krasitin moralin e tij. Çdo herë kur të paraqitet tek fëmija morali i mirë dhe vepra e mirë, duhet që ta shpërblejmë me një dhuratë që e gëzon dhe ta lavdërojmë tek njerëzit. Nëse paraqitet tek ai ndonjë vepër e keqe, së pari duhet ta neglizhojmë, por nëse paraqitet prapë qortohet fshehurazi, duke mos e tepruar me qortim çdo herë. Kjo ia lehtëson atij akuzat dhe nuk zemërohet. Është e pëlqyeshme që tek fëmija të mbetet frikërespekti prej prindit se do ta ndëshkojë.”

Po ashtu, disa fëmijë vuajnë prej keqtrajtimeve të rënda nga ana e prindërve të tyre. Disa prindër i ndëshkojnë fëmijët e tyre me rrahje të fortë me shkop si dhe kemi dëgjuar se disa nëna i djegin fëmijët e tyre me pika qiri.

Këta fëmijë s’i harrojnë torturat e prindërve, bile edhe e ruajnë fortë në mendjen e tyre, që më vonë bëhet shkaktar i sjelljes së tyre armiqësore ndaj tjerëve.

Po ashtu, ndonjëherë atyre u shkaktohet gjendje e keqe shpirtërore, dhe s’i rezultat i saj u ekspozohen problemeve të ndryshme, siç është urinimi i padë­shiruar, që vjen s’i pasojë e përdorimit të forcës së tepërt për çdo gabim. Ndoshta mund të ndodh që fëmija të fillojë të gënjen në shumicën e rasteve për shkak frikës së ndëshkimit.

Një shkrimtar perëndimor thotë: “Dëgjimi i plotë i tij dhe mos ndërprerja gjatë të folurit është hyrje e vërtetë për kthimin e tij prej gabimi pa marrë parasysh se sa inat posedon. Edhe njeriu më i paedukatë dhe i vrazhdët në fjalim, s’mundet e të mos ndikohet prej një folësi durimtar, të butë, i cili e dëgjon folësin kur irritohet dhe zemërohet.”

Ka raste kur prindi e emërton fëmijën e tij me emër të bukur, por s’e thërret me të. Kur gabon e thërret me disa emra që ndikojnë negativisht në gjendjen shpirtërore të fëmijës, si p.sh: “I dështuar”,  “I zhgënjy­er”, “I humbur”. Këto thirrje i dobësojnë ambiciet e tij, kurse ne jemi të detyruar t’i përkrahim, t’i nxisim, t’i lavdërojmë, e sidomos para shokëve të tij dhe para moshatarëve të tij, dhe kjo ndikon pozitivisht në shpirtrat e tyre, i sjell lumturi dhe dëshirë për shtimin e veprave të mira.

Po ashtu, vërejmë edhe ndikime ideologjike që tenton prindi t’ia imponojë fëmijës. Shembull, prindi është mjek dhe dëshiron që fëmija i tij të bëhet mjek si ai, gjë që e detyron fëmijën të planifikojë plane të caktuara, që ndoshta s’janë me plot dëshirën e tij. Prandaj, prindi duhet t’i respektojë aftësitë e tij, edhe në qoftë se janë të dobëta. Ndoshta fëmija është i dobët në mësime, mirëpo posedon talent për ndonjë gjë tjetër. Kështu që prindi duhet t’i vështrojë aftësitë dhe dhuntitë e fëmijës, që ta dijë se çka është më e përsosur për fëmijën e tij, dhe do ta vërejë se do të ketë rezultat hamendas.

Sjellja e burrit më gruan e tij ndikon shumë në edukatën e fëmijëve. Vërejmë se s’i burri tallet më gruan e tij, e nënçmon para tyre, dhe normalisht se ajo do ta humb autoritetin e saj para fëmijëve. Ata nuk do ta dëgjojnë fjalën e saj dhe këshillën e saj, prandaj duhet që burri ta respektojë gruan e tij, e sidomos para fëmijëve që ata të marrin mësim se s’i duhet të jetë mirësjellja mes dy bashkëshortëve.

Ndodh ndonjëherë që prindi për shkak problemeve joshtëpiake që e preokupojnë, të irritohet më tepër se sa duhet dhe të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e tij me fëmijët. Prandaj, prindi është mirë ta pakësojë zemërimin e tij duke kërkuar ndihmë prej Allahut azze ue xhel duke kërkuar falje dhe istigfar, apo duke marrë abdes kur është në gjendje të irrituar.

S’mund të realizojmë një shoqëri të përkryer dhe njerëz të përkryer që i respektojnë urdhëresat e Allahut, vetëm se duke e forcuar lidhjen e prindërve me Allahun azze ue xhel. Devotshmëria e prindërve është s’i mburojë preventive për fëmijët. Ajo është një prej shkaqeve që e lehtëson shpëtimin e ardhmërisë së fëmijëve, ku thotë Allahu, azze ue xhel: “ Le të druajnë nëse ata lënë pas vetes fëmijë të mitur, duke u brengosur për ta, le të kenë frikë Allahun dhe le të flasin drejt.” (En-Nisa: 9)

Umejmeh El Xhabir

Nga arabishtja: Irfan JAHIU