Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, i organizuar nga presidenca sllovene e Këshillit të BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM), kryeministri Kurti në këtë samit theksoi rëndësinë që Ballkani Perëndimor dhe BE-ja kanë për njëri-tjetrin.
“Projekti politik dhe procesi historik i paqes dhe prosperitetit, Bashkimi Evropian, duhet të përmbyllet me përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kurti.
Diskutimet në sesionet plenare sipas ZKM-së u përqendruan në intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe eksplorimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në çështjet politike dhe të sigurisë me interes reciprok për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.
Zbatimi i Planit Ekonomik dhe të Investimeve, i cili përcakton një paketë të konsiderueshme investimesh, u vlerësua se do të gjenerojë rritje më të qëndrueshme, nga e cila do të përfitojë rajoni dhe Evropa në tërësi.
Në sesionet plenare, kryeministri Kurti mori pjesë krahas liderëve të rajonit dhe aktorëve kryesorë për rajonin, përfshirë Presidentin e Parlamentit Evropian, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, Bankën Evropiane të Investimeve, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore me fokus intensifikimin e angazhimit të BE-së për të nxitur rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Me udhëheqësit nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor u bisedua për mundësitë e thellimit të dialogut politik, bashkëpunimin e sigurisë dhe angazhimin strategjik, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët. U diskutua edhe se si të sigurohet stabiliteti i rajonit, të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe të zgjidhen konfliktet rajonale”, njofton kryeministria.
Së bashku me kryeministrin Kurti, në samit morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ky samit BE-Ballkani Perëndimor mblodhi udhëheqës nga shtetet anëtare të BE-së dhe gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi. Bashkimi Evropian në këtë samit u përfaqësua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Riafirmimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, si një zgjedhje e përbashkët strategjike, ishte tema kryesore e samitit.