172-1721446_allah-hu-allah

LIDHJA ME ALLAHUN DHE LIDHJA ME NJERËZIT (HUTBE)

Islami ka ardhur që ta përmirësojë jetën e njeriut një dynja dhe në ahiret.

Ka ardhur që t’i përmirësojë lidhjet tona me Allahun dhe lidhjet tona me njerëzit.

Dhe që të dyja janë me rëndësi, ndërsa ai që mendon se mjafton të kemi lidhje të mirë me Allahun, duke i shkelur njerëzit, gabon.

Po ashtu ai që mendon se mjafton të sillemi mirë me njerëzit, dhe e harron Zotin, Krijuesin e vet dhe Krijuesin e njerëzisë, edhe ky gabon.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: Thashë: O i Dërguari i Allahut, Ibn Xhudani, në periudhën paraislame, i mbante lidhjet familjare dhe i ushqente nevojtarët, vallë, a do t’i bëjë kjo dobi? Ai u përgjigj: “Nuk do t’i bëjë dobi aspak. Ai asnjëherë nuk ka thënë: Zot, m’i fal mëkatet në Ditën e Gjykimit.”[1]

Ky Ibn Xhudani, ishte njeri i afërt i Aishes dhe ishte i pasur. Ai ishte bujar, porse a i ndihmoi kjo bujari në Ahiret? Jo, sepse ai në esencë nuk e besonte botën tjetër, nuk e besonte Ditën e Gjykimit.

Shumë thjeshtë, ai që donë të fitoj në botën tjetër, duhet të besojë në botën tjetër.

Ai që dëshiron ta takojë Allahun, patjetër duhet të besojë në Allahun. Nuk ka mundësi të fitojë e të shpërblehet në botën tjetër, personi i cili s’ka besuar fare në të.

Po, ne e dimë se Allahu askujt nuk i bënë padrejtësi.

﴿ وَلَا يَظۡلِمُ رَبُّكَ أَحَدٗا٤٩﴾

“Dhe Zoti yt, askujt nuk i bënë padrejtësi.” (Kehf, 49)

Për këtë arsye, Allahu edhe jobesimtarit, i jep të mira në dynja, për shkak të bamirësisë ndaj njerëzve. I jep atij shëndet, i jep pasuri, i jep pozitë të mirë në mesin e njerëzve. Por në ahiret nuk fiton, nuk merr shpërblim sepse i mungon çelësi. I mungon besimin apo imani. Për të fituar në ahiret, duhet hapur llogarinë, pra duhet besuar.

Kush dëshiron të hyjë në Xhenet? Ai që do të ngritët në Xhenet, pasi që Allahu e ka nxjerrë njeriun prej Xhenetit, pa tjetër duhet besuar dhe duhet vepruar për t’u ngjitur atje.

Ndërkaq personi i cili nuk beson në Xhenet, ai që në fjalorin e tij nuk ekziston Xheneti, si e kërkon nga Allahu Xhenetin. Po, ky person me dorën e vete e ka fshirë Xhenetin, e si ka mundësi që ne t’ia shkruajmë atij, e ta fusim me dhunë në Xhenet?!

Islami ka ardhur dhe e ka bërë kusht besimin në Allahun, besimin në çdo gjë që ka të bëjë me Allahun, besimi në ‘gajb’ apo në gjërat e padukshme për ne në këtë botë, besimi në llogarinë e Ditës së Gjykimit, besimin në Xhenet e në Xhehenem. Të gjitha këta janë kusht për të fituar në Ahiret.

Kështu besimi në Allahun i ngjason rrënjës së pemës, kurse besimi në gjërat tjera janë sikurse degët.

Madje, edhe besimi në Allahun nuk mjafton nëse nuk kemi lidhje të mira me njerëzit;

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) tregon se dikush i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ : Filan gruaja falet gjatë natës dhe agjëron gjatë ditës, porse ajo me gjuhën e vete i lëndon fqinjët e saj. Me atë rast Pejgamberi ﷺ  tha: S’ka hajr në këtë grua. Ajo do të hyjë në Zjarr…”[2]

Shikon, asaj nuk po i mjafton vetëm lidhja me Allahun. Patjetër duhet të ketë edhe lidhja të mira me njerëzit.

Pasi që lëndimi dhe shqetësimi i njerëzve qenka shkak për të hyrë në Zjarr, sigurisht se tu bësh mirë njerëzve, të sillesh mirë me njerëzit është shkak për të hyrë në Xhenet.

Përse ky hadith është kaq i rëndësishëm për ne?!

Sepse shumë njerëz, nuk sillen mirë me fqinjët.

Ka shumë të tillë që nuk mërzitet nëse ia prishë ditën fqinjit të tij, duke e shqetësuar me fjalë apo me gjëra tjera.

Madje ndodhë që edhe ditën kur duhet të gëzon, shkon dikush edhe ua prishë gëzimin.

Kësi njerëz të vrazhdë, as që janë të lumtur, e as që e gëzojnë dikë.

I sheh në vend të punës, i shqetësojnë kolegët. Në shkollë, janë burim i fjalëve të këqija e të bezdisshme. Në shtëpi, po ashtu, të rëndë e të vrazhdë. S’kanë as shoqëri, sepse askush nuk mund t’i durojë gjatë ata. Kanë gjuhë thumbuese.

Këta njerëz nuk e dinë sa është e rëndësishme sjellja e mirë me të tjetër.

Ai njeri që njerëzit e tjerë ikin prej tij, ky e humb dynjanë dhe Ahiretin.

Po, përveç që i largon shokët dhe të afërmit në këtë dynja, ai do të ketë edhe zemër të sëmurë, zemër që e ngarkon me zemërim të panevojshëm, me zili, me mendim të keq për ta.

Përse, ta ngarkojmë zemrën me kësi gjëra të ulëta, e mos ta mbushim me gjëra pozitive?!

Fjala ‘fqinjët e saj’ që ka ardhur në hadith, na jep të kuptojmë rrezikun nëse e lëndojmë apo e shqetësojmë shoqërinë. Po, nëse e lëndojmë një person është keq, porse nëse e lëndojmë një shoqëri apo një grumbull njerëzish, sigurisht se është më keq.

Prej këtu themi se personat që kanë punë me njerëzit, kanë takime të shumta me palë të ndryshme, le të kenë kujdese sepse me këtë mund të fitojnë shumë, nëse sillen mirë, por edhe mund të humbin shumë, nëse sillen keq me ta.

Ne sot, nuk mund të ikim pre njerëzve, nuk mund të jetojmë të vetëm, andaj ajo që na mbetet është vetëm të zgjedhim të jemi të mëdhenj, me edukatë të burrave, e jo të ulët.

Vëllezër, të flasim është e lehtë. Ndoshta të gjithë dimë të jemi hatibë dhe ligjërues, porse veprat ne nuk i kemi ashtu siç i kemi fjalët.

Edhe shejtani ishte hatib dhe ligjërues i mirë. Shikoje betimin që e bëri:

﴿قَالَ فَبِعِزَّتِكَ لَأُغۡوِيَنَّهُمۡ أَجۡمَعِينَ٨٢﴾

“Shejtani tha: Pasha Krenarinë Tënde, të gjithë ata do t’i mashtrojë.” (Sad, 82)

Po, ai u betua në Allahun, madje çfarë betimi madhështor, porse në anën tjetër, punon pa u ndalë që t’i lajthitë njerëzit.

Kështu që ajo që mbetet është të kemi lidhje të mira me Allahun dhe me njerëzit, porse jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

 

Hutbeja e dytë:

Kur jemi duke folur rreth lidhjes së mirë me njerëzit, ne duhet ta kuptojmë një fakt se ne si njerëz, mund të përmirësohemi, mund ta ushtrojmë veten tonë të bëhemi edhe më të mirë.

Ne kemi shumë ajete dhe hadithe që na nxisin të jemi më superior në edukatë, e të jemi më të lartë në moral.

Po e përmendi një ajet:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱجۡتَنِبُواْ كَثِيرٗا مِّنَ ٱلظَّنِّ إِنَّ بَعۡضَ ٱلظَّنِّ إِثۡمٞۖ ١٢﴾

“O ju që keni besuar! Shmanguni prej shumë dyshimeve, meqë disa dyshime janë mëkat…” (Huxhurat, 12)

Mos i shiko njerëzit, me sy të dyshimit. Mos i shpjego fjalët e tyre: kishte për qëllim këtë apo atë! Me fjalët e tij, kishte për qëllim mua!

O vëlla. Lëri njerëzit me problemet e veta, e mos i analizo e as mos i shpjego fjalët e tyre!

Po ashtu mos i shiko njerëzit të vegjël para syve tu. Hasen Basriu i fliste vetes duke i thënë se filani është më i vjetër se ti, kështu që ai është para teje në Islam. Kurse filani është më i ri se ti, kështu që ai ka më pak mëkate.

Pra nuk i jepte hapësirë vetes, që ta sheh veten mbi njerëzit.

Kështu, mendimi i mirë për njerëzit është edhe ilaç i mirë për zemrën, ndërsa lënia e mendimit të keq për njerëzit është shpëtim.

[1] Muslimi nr.214.

[2] Ahmedi nr.9675 dhe shejh Shuajbi thotë se zinxhiri i hadithit është hasen (i mirë).

 

Përgatiti dhe përshtati: Flamur KABASHI