Kryeimami Vedat ef. Sahiti mori pjesë ne seminarin e mbajtur në Bari të Malit të Zi

Nën organizimin e Bashkësisë Islame në Bosnje, me datë 10-12 dhjetor 2021, në Qendrën Kulturore Islame të Barit të Malit të Zi, me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut e Sanxhaku, u mbajt seminari për imamët boshnjakë me temën “Sfidat institucionale të interpretimit të Islamit në Ballkanin Perëndimor”, ku morën pjesë edhe imamët boshnjakë nga Kosova, kryesisht nga Prizreni dhe komuna e Dragashit.

Në hapje të këtij seminari mori pjesë edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili në fjalën e tij përshëndeti dhe falënderoi organizatorët për organizimin e këtij seminari me rëndësi të veçantë për imamët boshnjakë, që ka për synim ngritjen e kapaciteteve profesionale të imamëve për të shërbyer sa më mirë pranë xhematëve të tyre.

Kryeimami Sahiti në fjalën e tij u fokusua në kontributin dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës në ngritjen profesionale të imamëve qoftë përmes institucioneve edukativo arsimore të saja, sikur janë medresetë, fakulteti , institutet e hifzit. Ndërsa me qëllim të avansimit edhe më të madh të imamëve në veçanti dhe gjithë shërbyesve fetar, Bashkësia Islame e Kosovës ka përfunduar edhe projektin e qendrës për trajnime në Gjakovë, i cili pritet të hyjë në funksion, theksoi mes të tjera kryeimami Sahiti.