Rihapet linja ajrore Prishtinë-Zagreb dhe anasjelltas

Në terminalin e ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është inauguruar rihapja e linjës ajrore Prishtinë-Zagreb dhe anasjelltas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në këtë inaugurim kanë marrë pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë, të cilët kanë vlerësuar se rihapja e linjës ajrore është e rëndësishme për fuqizimin e marrëdhënieve miqësore mes këtyre dy shteteve.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Hysen Durmishi, ka thënë se kjo linjë ajrore e cila i ka munguar të dyja shteteve është e rëndësishme për qarkullimin e dy popujve dhe do të ketë impakt edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik.

“Kjo linjë do të shërbejë edhe për lidhjen e bizneseve të të dyja shteteve, për kulturat tona dhe sidomos një rëndësi të jashtëzakonshme për neve e ka edhe për shkak të bashkatdhetarëve tanë në Kroaci”, ka thënë Durmishi.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës i Kroacisë, Oleg Butkovic, i cili ka deklaruar se rihapja e kësaj linje ajrore është një hap më tej për fuqizimin e marrëdhënieve miqësore Kroaci-Kosovë.

“Me forcat e bashkuara dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës kemi arritur ta rikthejmë këtë linjë ajrore. Si për sektorin e ekonomisë dhe atë ajror, kjo linjë është shumë me rëndësi dhe besoj se nuk do të ndërpritet ashtu siç ndodhi në të kaluarën”, ka theksuar Butkovic.

Edhe drejtori i operimeve në “Limak Kosovo International Airport”, Gokmen Aritay, ka thënë se linja ajrore që po nis sot do të shërbejë për partneritetin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Aritay është shprehur se ky është “një hap përpara ndërmjet tregtimit ajror dhe bashkëpunimit të dy qeverive”.

Kroacia dhe Kosova nga viti 2010 kanë pasur linjë ajrore, por ajo u ndërpre në vitin 2018.

Linja ajrore Prishtinë-Zagreb, sipas aeroportit, do të ketë tri fluturime në javë, të hënave, të mërkurave dhe të shtunave. Kёto fluturime do tё operohen nga kompanitё ajrore “Croatia Airlines”, “Trade Air” dhe “My Wings”.