Me thirrjen “Asnjë cent më shumë”, qindra qytetarë kanë protestuar sot kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të energjisë elektrike në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në protestën e cila filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në sheshet tjera të kryeqytetit, deri pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, u kërkua heqja e bllok-tarifës e propozuar javën e kaluar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë si dhe nacionalizimi i Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS).
Njëra nga organizatoret e protestës, Anita Mjeku tha se që nga dhjetori i vitit 2021 Kosova është përballë me reduktime të energjisë elektrike, ndërsa tani edhe me paralajmërim për shtrenjtim të saj.
“Propozimi i fundit të ZRRE për vendosjen e bllok-tarifës dhe rritjen e çmimit të energjisë do të na varfërojë edhe më tej, secilën e secilin prej nesh. Gjatë sezonit të dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë i kalon në çdo formë 600 kilovat për orë. Kjo do të thotë se nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurosh, me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro”, tha ajo.
Mjeku tha se ky propozim është tentim për t’ua faturuar qytetarëve pasurimin e bizneseve, pasi që bllok-tarifa u aplikohet vetëm qytetarëve dhe jo bizneseve.
Në këto kushte, Mjeku theksoi se qytetarët me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, paguajnë edhe për bizneset por edhe për qytetarët serbë të cilët jetojnë në katër komunat veriore të vendit, për të cilët nuk është paraparë shtrenjtim i energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në fillim të javës së kaluar ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet nga muaji shkurt.
Të martën, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) Ymer Fejzullahu ka raportuar për katër orë në Komisionin për Ekonomi ku e ka arsyetuar propozimin për shtrenjtimin e energjisë nga 1 shkurti 2022 deri më 1 mars 2023.
Deputetët e opozitës kanë thënë se raporti i ZRRE-së është shkruar nga Qeveria dhe sipas tyre ky institucion i pavarur është i ndikuar nga partia në pushtet.
Qeveria e Kosovës po ashtu javën e kaluar mori vendim për të ndarë 75 milionë euro për të subvencionuar furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset, gjë e cila u bë sipas Ministrisë së Ekonomisë “për të përballuar rritjen e tarifave të energjisë”.