92

Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!)[1] [HUTBE]

Njeriu medoemos duhet të ketë një model ose një shëmbëlltyrë që e pason ose pas të cilit i qet hapat, qoftë për të mirë, qoftë për të keq. Pastaj, ky model mund të jetë për çështjet e dynjasë ose për çështjet e ahiretit.

Për ne është shumë e rëndësishme që personi të cilin e marrim për model këmbët t’i ketë në tokë, kurse zemrën ta ketë në qiell. Pra, gjithsesi duhet të jetë i madh, me moral të shquar, me ambicie të larta, ashtu që t’ia shohim hairin në dynja dhe në ahiret.

Në rend të parë gjithmonë janë të dërguarit e Allahut, porse dikush mund të thotë se pejgamberët e kishin më lehtë sepse e kishin përkrahjen hyjnore, e kishin shpalljen etj., andaj do të shikojmë tek ata që nuk ishin pejgamberë dhe do të shohim se historia islame është mbushur me shembuj të ndritur të cilët meritojnë të merren si model për ne.

Nëse i pyesim të krishterët se cilët janë njerëzit më të mirë që e pasuan Isain ﷺ , do të thonë se kanë qenë dishepujt (havarijunët) ose ata që e takuan dhe e pasuan Isain ﷺ . Kjo vlen edhe te ne muslimanët. Pra, gjenerata më e mirë, më e devotshme dhe më e zellshme kanë qenë sahabët.

Fjala sahabë ka për qëllim shokët e Pejgamberit ﷺ. Pra, janë ata persona që e takuan Pejgamberin ﷺ , i besuan atij dhe vdiqën në këtë besim. Së këndejmi, personat të cilët e kanë takuar Pejgamberin ﷺ , por nuk i kanë besuar, nuk quhen sahabë.

Ajo që është interesante te sahabët është se një pjesë bukur e madhe e tyre një pjesë të jetës së tyre e kishin kaluar në xhahiliet, në injorancë ose në idhujtari. Mirëpo, kur u bënë muslimanë, ata e lanë injorancën dhe e bënë divorc përgjithmonë.

Ebu Bekër es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎)

Emrin e kishte Abdullah, kurse Ebu Bekër është nofka e tij. Ndërkaq, Sidik ishte titull që e fitoi, që do të thotë “i sinqerti”. Pra, ishte gjithmonë i sinqertë ndaj Pejgamberit ﷺ  dhe asnjëherë nuk u hamend në këtë rrugë.

Njëherë, kur e hidhëruan Ebu Bekrin, Pejgamberi ﷺ  tha: “A po e lini të qetë shokun tim?! A po e lini të qetë shokun tim?! Kur unë thosha: “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju…”, (El Araf, 158) ju thoshit: “Po gënjen!”, kurse Ebu Bekri thoshte: “Po e thua të vërtetën!”[2]

Ai lindi dy vjet pas Pejgamberit ﷺ  dhe vdiq dy vjet pas tij. Pra, edhe Pejgamberi ﷺ , edhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎) vdiqën në moshën 63-vjeçare.

Në kohën paraislame ai ishte i pasur dhe merrej me tregti. Ishte burrë me plot kuptimin e fjalës dhe ishte bamirës i madh. Po ashtu ishte prej dhjetë personave më të dalluar të fisit kurejsh. Ai ishte përgjegjës për shpagimin e gjaqeve. Kur ndodhte ndonjë vrasje ose plagosje, ai merrej me zgjidhjen e këtyre problemeve.

Tërë ky prestigj që kishte te fisi i vet dhe kjo pozitë nuk e pengoi atë që të hyjë fuqishëm në fenë islame. Madje, ai tërë këtë energji që e kishte e shndërroi në mirësi. Ai e përktheu në praktikë fjalën e Pejgamberit ﷺ : “Më i miri i tyre në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kuptojnë fenë.”[3]

Shikojeni: ai e bleu Bilalin prej robërisë dhe e liroi. Kur bëri pazar me idhujtarët për çmimin e tij, ata i thanë se çmimin e ka pesë okë me ar, kështu që Ebu Bekri e bleu menjëherë. Pastaj, ata në njëfarë forme u munduan ta përçmojnë Ebu Bekrin duke i thënë: “Sikur të shtyheshe me ne për çmimin e tij, do të ta jepnim për një okë ari. Atëherë, Ebu Bekri u tha: “Ju, edhe sikur ta shitnit atë për njëqind okë ari, unë do ta blija.” Pra, ai nuk mërzitej për çmim, por interesohej të fitonte tek Allahu.

Ebu Bekri dhe Othmani nuk pinin alkool as në kohën paraislame. Shikoni vëllezër, edhe para Islamit, me logjikën e tyre të shëndoshë, e dinin se alkooli është i keq, ndërsa sot ka ende muslimanë që nuk e lënë alkoolin dhe ende janë në dyshim.

Ebu Bekri ishte burri i parë që e pranoi Islamin. Nga radhët e grave ishte Hadixhja, gruaja e Pejgamberit ﷺ . Nga radhët e fëmijëve ishte Aliu, kurse prej robërve ishte Bilali.

Njëherë Aliu i pyeti të pranishmit: “Cili është më i mirë: Ebu Bekri apo besimtari i familjes së Faraonit (i përmendur në suren el Gafir)?” Ata heshtën. Atëherë Aliu tha: “Betohem në Allahun se një moment i Ebu Bekrit është më i mirë se një mijë momente të besimtarit të familjes së Faraonit, sepse ky besimtari i familjes së Faraonit ishte besimtar, porse nuk e shfaqi besimin, kurse Ebu Bekri prej momentit të parë e shfaqi Islamin.”

Kështu ishte Ebu Bekri: i shpejtë në pranimin e Islamit, i shpejtë në bamirësi, i shpejtë në vepra të mira.

E dimë rastin e Omerit kur u mundua t’ia kalojë Ebu Bekrit. Omeri e dha gjysmën e pasurisë, porse Ebu Bekri e dha tërë pasurinë.

E dimë rastin kur Pejgamberi ﷺ  e lavdëroi leximin e Kuranit të Abdullah ibn Mesudit. Në atë rast Omeri shpejtoi që ta përgëzojë për këtë lajm të mirë Abdullah ibn Mesudin, por para tij tashmë e kishte përgëzuar Ebu Bekri.

Ebu Bekri ishte shoqëruesi i Pejgamberit ﷺ  kur bëri hixhret.  Ebu Bekri e kuptonte Pejgamberin ﷺ  në rast se tregonte diç në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Ebu Seid el Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!)‎‎ tregon: “Pejgamberi ﷺ u ligjëroi njerëzve dhe u tha: “Allahu i Lartësuar i dha të drejtën një robi për të zgjedhur mes dynjasë dhe asaj që gjendet tek Ai. Robi zgjodhi atë që gjendet tek Allahu.” Ebu Bekri zuri të qajë. Ne u çuditëm me të qarët e tij nga ajo që tregoi i Dërguari i Allahut ﷺ për një rob që të zgjidhte. Por, ai që duhej të zgjidhte ishte vetë Pejgamberi ﷺ. Ndërkohë, Ebu Bekri‎‎ ishte më i dituri në mesin tonë (dhe e kuptoi këtë gjë).”[4]

Njëherë Pejgamberi ﷺ  i pyeti të pranishmit: “Kush prej jush sot është gdhirë agjërueshëm?”

– Unë, – tha Ebu Bekri.

– Kush prej jush sot ka përcjellë xhenaze?

– Unë, – tha Ebu Bekri.

– Kush prej jush sot ka ushqyer ndonjë të varfër?

– Unë, – tha Ebu Bekri.

– Kush prej jush sot ka vizituar ndonjë të sëmurë?

– Unë, – tha Ebu Bekri.

– Ai që i bën të gjitha këto (brenda një dite) do të hyjë në Xhenet”, – tha i Dërguari i Allahut ﷺ.[5]

Dijetarët thonë se kjo vlen për atë që i bën këto katër gjëra brenda një dite.

Shikojeni vëllezër, me të vërtetë, qoftë vetëm një herë në jetë të veprohen të gjitha këto brenda ditës është shumë e vështirë, porse ai si duket në vazhdimësi i vepronte ato. Pejgamberi ﷺ  rastësisht i ka pyetur sahabët, ndërsa Ebu Bekri nuk është se ishte përgatitur për këto pyetje, porse ai vërtet ishte i përgatitur për vdekje. Ai e donte Xhenetin.

Shikoni veprat: agjërimi, që është për veten e tij; përcjellja e xhenazes, që është hak i të vdekurit; bamirësia, që është krah i të varfrit; vizita e të sëmurit, që është e drejtë e të sëmurit. Pra, llojllojshmëri të veprave të mira.

Pjesa e dytë e hutbes

Është i njohur momenti i rëndë i vdekjes së Pejgamberit ﷺ . Në atë rast Omeri u trondit aq shumë, saqë tha: “Kush thotë se Muhamedi ﷺ  ka vdekur, do t’ia heq kokën!”

Vëllezër, Omeri ishte shumë serioz, prandaj askush prej sahabëve të pranishëm nuk guxonte të thoshte se Pejgamberi ﷺ  ka vdekur.

Ebu Bekri në këto momente nuk ishte i pranishëm aty, derisa shkoi një sahab dhe i tregoi se Omeri po thotë kështu e ashtu. Kur erdhi Ebu Bekri, hyri te Pejgamberi ﷺ , e zbuloi fytyrën e tij, e puthi në ballë dhe tha: “Ishe i mirë i gjallë dhe i vdekur, o i Dërguari i Allahut ﷺ !” Pastaj u tha njerëzve: “O ju njerëz, ai që e ka adhuruar Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi ka vdekur, ndërsa ai që e ka adhuruar Allahun, Ai është i Gjallë e nuk vdes. Pastaj e citoj ajetin: “Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E, nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa…” (Ali Imran, 144)

Omeri tregon se në atë moment e lëshuan këmbët dhe e kuptoi se me të vërtetë Pejgamberi ﷺ  paska vdekur.

Këtu shohim se Ebu Bekri e kishte shumë të vështirë të pohonte e ta pranonte vdekjen e Pejgamberit ﷺ , porse ai e thoshte të vërtetën edhe nëse ishte e hidhët.

[1] Pjesën më të madhe e kam marrë nga libri “Tarih el hulefa”, të imam Sujutit.

[2] Buhariu nr.4640.

[3] Buhariu nr.3353.

[4] Buhariu nr.3654.

[5] Muslimi nr.1028.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi