92 (1)

Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎!)[1] (HUTBE)

Othmani e pranoi Islamin shumë herët. Meqë Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎) ishte njeri shumë i afërt në mesin e popullit të vet, personat, të cilëve u besonte, filloi t’i thërrasë në Islam, kështu që përmes tij hynë në Islam Zubejri, Talhai, Othmani etj.

Pejgamberi ﷺ  të bijën e vet, Rukajën, e martoi për Othmanin, porse ajo i vdiq ditëve të Betejës së Bedrit. Pas saj, Pejgamberi ﷺ  ia dha Othmanit të bijën tjetër, Umu Kulthumin, prandaj Othmani e mori epitetin “Poseduesi i dy dritave”.

Kur jemi të fëmijët e Pejgamberit ﷺ , ne si muslimanë duhet t’i dimë, emrat e tyre, dy prej të cilëve i përmendëm, Rukajën dhe Umu Kulthumin, pastaj Zejneben dhe Fatimen, kurse prej djemtë kanë qenë: Ibrahimi, Kasimi dhe Abdullahu, të cilit i thuhet edhe Tajib ose Tahir.

Othmani ishte i përgëzuar me Xhenet sa ishte në dynja. Ai ishte muhaxhiri i parë me familje për në Abisini, Etiopinë e sotme.

Njihej për turpin që kishte. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po qëndronte shtrirë në shtëpinë time, kofshët i kishte të zbuluara, – ose ka thënë: kërcinjtë. Ebu Bekri kërkoi leje për të hyrë dhe i dha leje, ndërkohë Pejgamberi ﷺ qëndroi në të njëjtin pozicion dhe bisedoi me të. Pastaj kërkoi leje Omeri dhe iu dha leja për të hyrë, e ai ﷺ vazhdoi të qëndronte ashtu siç ishte dhe vazhdoi bisedën. Pastaj kërkoi leje Othmani, e në atë rast Pejgamberi ﷺ u ul dhe e rregulloi rrobën e tij, kurse Othmani hyri dhe bisedoi me të. Kur doli, Aishja pyeti: “Hyri Ebu Bekri e nuk i dhe çehre e as i kushtove rëndësi, pastaj hyri Omeri e nuk i dhe çehre e as i kushtove rëndësi, porse kur hyri Othmani, u drejtove dhe i rregullove rrobat!” Pejgamberi ﷺ tha: “A të mos turpërohem nga një njeri prej të cilit turpërohen edhe melekët?!”[2]

Në një hadith Pejgamberi ﷺ  thotë: “Turpi i tëri është mirësi.”[3] Po ashtu thotë: “Turpi vjen vetëm me mirësi.”[4]

Vëllezër! Turpi të shtyn ta lësh të keqen e të bësh mirë. Nuk të lë të biesh në gjëra të pista e të ndyta. Shpeshherë i dëgjojmë njerëzit duke thënë: “Më vjen turp ose marre prej tij nëse nuk e kryej këtë çështje”. “Më vjen turp të mos i dal në fjalë.” Kjo është gjë shumë e bukur.

Mirëpo, në disa raste turpi nuk preferohet. Në adhurime mos u turpëro! Madje, duhet turpëruar nëse nuk i kryen ato. Në kërkim të hakut tënd, nëse dikush të ka ndonjë hak, bie fjala, borxh a të ngjashme, kërkoje atë. Në kërkim të diturisë mos ndiej turp të pyesësh për gjëra që nuk i kupton ose nuk i di.

Shikoni vëllezër, Ebu Sufjani, edhe pse ishte idhujtar, nuk gënjeu, sepse gënjeshtra është e keqe në të gjitha kulturat. Në dialogun që kishte Ebu Sufjani, i pari i idhujtarëve mekas, me Herakliun, të parin e bizantit në Sham, e në atë rast Herkaliu i bëri një seri pyetjesh rreth Pejgamberit ﷺ . Ebu Sufjani tha: “Betohem në Allahun se, sikur të mos ishte turpi se njerëzit do të më veshin gënjeshtrën, do të gënjeja.”

Othmani kishte disa përgëzime të mëdha. Kur Pejgamberi ﷺ  tha: “Ai që e përgatit Ushtrinë e Vështirësisë (Tebukut), do të hyjë në Xhenet!”, në rast Othmani u ngrit dhe përgatiti një pjesë të madhe të ushtrisë. Kur Pejgamberi ﷺ  tha: “Kush e blen Pusin Rume, do ta ketë Xhenetin”, Othmani ishte ai që e bleu këtë pus.

Othmani ia thoshte pjesët e mësuara të Kuranit Pejgamberit ﷺ  dhe e kishte zakon ta lexonte tërë Kuranin në namazin e vitrit, në një rekat.

Hadithin e njohur: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve”[5] na e transmeton Othmani, kurse prej tij e transmeton Ebu Abdurrahman Sulemiu, i cili qëndroi si mësues i Kuranit për dyzet vjet, vetëm për shkak të këtij hadithi.

Othmani praktikisht na e rrëfeu haditin e abdesit të Pejgamberit ﷺ , ashtu siç e kishte parë duke marrë abdes. Othmani nuk u mjaftua me gojë të na thotë se abdesi merret kështu e ashtu, por kërkoi një enë me ujë dhe praktikisht u tregoi të pranishmëve se si Pejgamberi ﷺ  merrte abdes.

Othmani e kishte bërë Kuranin në disa kopje, duke i dërguar nëpër qytetet kryesore të botës islame. Othmani ishte i pari që urdhëroi të thirren dy ezanë për namazin e xhumasë. E bëri këtë pasi që Medina u zgjerua, ndërkohë që njerëzit duhej të lajmëroheshin për namazin e xhumasë pak më herët që të bëheshin gati për namaz.

Othmani ishte kalifi i tretë me radhë pas Ebu Bekrit dhe Omerit. Ai qëndroi në udhëheqësi mes viteve 24-35 sipas hixhretit.

 

Pjesa e dytë e hutbes

Përmenda se gruaja e tij, Rukaja, kishte vdekur në Medinë, gjatë kohës kur u zhvillua Beteja e Bedrit. A e dini vëllezër se Pejgamberi ﷺ  i tha Othmanit të qëndronte në Medinë, afër gruas së vet, e cila ishte e sëmurë e të mos merrte pjesë në këtë betejë. Shikoni, lufta ishte ndezur atje! Mirëpo, megjithatë, ti, o Othman, qëndro te familja jote! Atje ka kush e plotëson mungesën tënde, kurse këtu jo! Kjo është pozita e femrës në Islam. Ku janë ata që thërrasin praktikisht në këtë trajtim të veçantë ndaj femrës.

Pastaj, Othmani, në kohën e Marrëveshjes së Hudejbijës, që ishte afër Mekës, ku ndodhi Besatimi i Madh nën pemë, aty ishte Pejgamberi ﷺ  me rreth një mijë e katërqind sahabe, ndërsa Othmani nuk ishte i pranishëm, sepse vetë Pejgamberi ﷺ  e kishte dërguar në Mekë, për të biseduar në emër të tij me idhujtarët mekas. Kur erdhi radha e besatimit të Othmanit, i cili mungonte, Pejgamberi ﷺ  e ngriti njërën dorë për Othmanin dhe tha: “Kjo është për Othmanin.” Kjo i bie edhe më mirë sesa edhe vetë Othmani t’ia zgjaste dorën atij.

[1] Pjesën më të madhe e kam marrë nga libri; Tarih el hulefa, të Imam Sujutit.

[2] Muslimi nr.2401.

[3] Muslimi nr.37.

[4] Buhariu nr.6117.

[5] Buhariu nr.5027.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi