imam-ali-banner2-600x335

Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎)[1] (HUTBE)

Ai është dhëndri i Pejgamberit ﷺ, gruaja e të cilit ishte Fatimja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!‎‎).

Islamin e pranoi shumë herët. Pejgamberit ﷺ  i zbriti shpallja ditën e hënë, kurse Aliu e pranoi Islamin ditën e martë. Kur e pranoi Islamin ishte në moshën 10-vjeçare. Shiko çfarë pjekurie kishte: në moshën dhjetëvjeçare ishte në gjendje të përzgjidhte fenë, të besonte, të përgatitej për një jetë më ndryshe, ku do të haste edhe në probleme prej të afërmve përse e kishte pranuar Islamin.

Aliu dallohej me trimëri, me adhurim, me dije, me oratori. Ai ishte i përgëzuar me Xhenet në të gjallë të tij. Pejgamberi ﷺ  i la një nofkë të cilën Aliu e donte “Ebu Turab” (Babai dheut). Kjo, se njëherë Aliu u fjalos me gruan e tij, Fatimen, kështu që doli jashtë. Pejgamberi ﷺ  e pyeti Fatimen për burrin dhe ajo i tregoi se Aliu ishte hidhëruar, kështu që ka shkuar në xhami. Kur Pejgamberi ﷺ  shkoi tek Aliu, e gjeti të shtrirë, ndërsa shpinën e kishte të pluhurosur me dhé. Këtu Pejgamberi ﷺ  i tha: “Çohu, o Ebu Turab (Babai i dheut).”[2]

Kur Pejgamberi ﷺ u nis për hixhret, e autorizoi Aliun që t’i kthejë amanetet të cilat mekasit ia kishin lënë Pejgamberit ﷺ . Ata, edhe pse ishin idhujtarë, i besonin Pejgamberit ﷺ , ndërsa Pejgamberi ﷺ  së bashku me sahabët, edhe pse u detyrua të linte gjithë pasuritë e veta, Pejgamberi ﷺ  nuk tha që tani më lejohet t’ua marr e t’ua vjedh këto amanete, si shenjë hakmarrjeje.

Në kohën e Ekspeditës së Tebukut, Pejgamberi ﷺ  e la Aliun përgjegjës për banorët që mbetën në Medinë. Mirëpo, Aliu ndihej keq që të ndalej me gratë e fëmijët e të mos ishte atje me burrat. Në atë rast Pejgamberi ﷺ  i tha: “A nuk ke dëshirë që të jesh në raport me mua siç ka qenë Haruni me Musainﷺ , vetëm se nuk ka pejgamber pas meje?!”[3]

Ndër gjërat interesante të tij ishte se ai, sa herë që dilte në dyluftim, fitonte. Sekreti i kësaj ishte optimizmi i tij. Ai thoshte: “Unë e di se do ta mbys atë dhe ai e di se do të vritet, kështu që vetë ai (armiku) më ndihmon kundër vetes së tij.”

Kështu, vëllezër, optimizmi duhet të jetë pjesë e jetës së besimtarit, në çdo sferë të jetës, prej gjërave më të rënda: jetë a vdekje, deri te gjërat e thjeshta. Gjendja shpirtërore është shumë e rëndësishme si t’i tejkalojmë problemet, sidomos me konspiracionet e shumta të kohës sonë. Kërkohet optimizëm në sëmundje, qoftë në virusin korona, qoftë në sëmundjet e tjera.

Ka raste kur dëgjojmë se çdo gjë qenka në dorën e një grupi të caktuar të njerëzish. Ata bëjnë gjëra për t’i mbytur njerëzit, për të shkatërruar… Unë po pyes: Ku është optimizmi? Ku është mendimi i mirë për Allahun, të Gjithëfuqishmin? Ku është Sunduesi? Po, o vëlla, ndoshta dikush thur plane e mundohet të bëjë kurthe, porse nuk ka nevojë t’i ngrehim ata në kësi shkalle të lartë, në këso shkallësh, aq sa ta harrojmë Fuqiplotin.

Me këso konspiracionesh ne i bëjmë më të fortë sesa vetveten. Po, e mundim vetveten. U ndihmojmë atyre kundër vetvetes. Në njëfarë mënyre, ne po dalim me një saf (rresht) me ta.

Edhe nëna e Aliut quhej Fatime, e bija e Esedit. Ajo kishte bërë hixhret në Medinë, ku më pas edhe kishte vdekur. Aliu rrëfen: “Unë i thashë nënës: “Merru ti me çështjen e marrjes së ujit (se uji gjendej larg nëpër puse) dhe punët jashtë shtëpisë, duke e liruar Fatimen, të bijën e Pejgamberit ﷺ , ndërsa ajo do të merret me bluarjen e grurit dhe me gatimin e bukës.”[4] E këtillë ishte harmonia në shtëpinë e tyre: secili i kryente punët e veta dhe harmonia ishte në nivelin e duhur.

Kur e pyetën Aliun për disa probleme që ishin në umet nëse çështja e kalifatit ishte testament prej Pejgamberit ﷺ  i ishte lënë atij, u përgjigj: “Jo, nuk ishte testament prej tij. Betohem në Allahun se unë isha personi i parë që i kam besuar Pejgamberit ﷺ , andaj nuk dua të jem i pari që po gënjej kundër tij. Pasi Pejgamberi ﷺ  u sëmur, qëndroi disa ditë e disa net, i shkonte myezini, e thërriste për namaz, ndërsa ai e urdhëronte Ebu Bekrin t’ua falte namazin njerëzve, edhe pse mua më shihte aty.”[5]

E dimë mirë se si Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎) konsultohej me sahabët e tjerë në lidhje me çështjet e reja që shfaqeshin në umet. Transmetohet se Omeri ka thënë: “Allahu na ruajttë që të na shfaqen çështjet e reja e të mos e kemi Ebu Hasenin (Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎).

Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja vajti te Pejgamberi ﷺ për t’i kërkuar një shërbëtor, e në atë rast ai i tha: “A dëshiron të të mësoj diç më të mirë se kjo? Të bësh tesbih për Allahun tridhjetë e tri herë (të thuash subhanallah) para se të flesh, ta falënderosh Allahun (të thuash elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe ta madhërosh Allahun (të thuash Allahu ekber) tridhjetë e katër herë.” Aliu thotë: “Më nuk i kam braktisur.” I thanë: “As natën e Sifinit?” Ai tha: “As natën e Sifinit.”[6]  Kështu, kur Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) mësonte diç të re, e përkthente në vepra dhe vazhdonte me të gjatë tërë jetës.

Pjesa e dytë e hutbes

Transmetohet se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎), pasi që ua shpërndante popullit dhe nevojtarëve tërë atë që gjendej në depo të shtetit, urdhëronte që të fshihej e të pastrohej depoja, pastaj falej aty (namaz vullnetar), duke shpresuar se ky vend do të dëshmonte për të në Ditën e Kiametit, se Aliu nuk i ka privuar muslimanët nga asgjë.[7]

E shihni se si e kryente amanetin, se si e çonte amanetin deri në fund, se si duhet kryer puna në formë të përsosur?

Përderisa ai ishte kalif dhe përgjegjës i depos së shtetit, nuk donte  të linte dikë keq e ushqimi të qëndronte në depo.

Pastaj, ne e dimë se amaneti duhet çuar në vend, gjithsesi, porse duhet çuar në vend menjëherë, pa u vonuar.

E kemi dëgjuar dhe e kemi lexuar tregimi e Jusufit ﷺ  dhe, në fund të tregimit, Jusufi urdhëroi një person që sapo të arrijë në Sham, këmishën e vet t’ia hedhë në fytyrë Jakubit ﷺ , ashtu që t’i kthehet shikimi. Shikojeni sesi ajeti e përshkruan këtë:

﴿فَلَمَّآ أَن جَآءَ ٱلۡبَشِيرُ أَلۡقَىٰهُ عَلَىٰ وَجۡهِهِۦ فَٱرۡتَدَّ بَصِيرٗاۖ ٩٦﴾

“E posa arriti përgëzuesi (sihariqdhënësi) ia hodhi këmishën në fytyrën e tij (Jakubit) dhe atij iu kthye shikimi.” (Jusuf, 96)

Pra, puna e parë që e bëri përgëzuesi, posa u kthye nga udhëtimi, ishte kryerja e amanetit.

Edhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎) po na mëson se detyrat që i kemi marrë duhet t’i kryejmë në formën më të mirë, ta kryejmë menjëherë punën e sotme dhe të mos e lëmë në gjysmë.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

[1] Pjesën më të madhe e kam marrë nga libri; Tarih el hulefa, të Imam Sujutit.

[2] Buhariu nr.441.

[3] Buhariu nr.4416.

[4] Sijer alam en nubela, v.28, f.225.

[5] Sijer alam en nubela, v.28, f.241.

[6] Buhariu nr. 5362.

[7] Zuhdi i Imam Ahmedit, f.108.