Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia, marrëveshje për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski dhe ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Alesh Hojs sot nënshkruan Marrëveshjen zbatuese ndërmjet dy vendeve për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Spasovski sot takoi homologun e tij slloven, Hojs, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend.

Pas takimit, ministrat Spasovski dhe Hojs nënshkruan Marrëveshjen zbatuese ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Sllovenisë për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes zbatuese ndërmjet dy qeverive, Spasovski tha se qëllimi parësor i marrëveshjes do të jetë bashkëpunimi në parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe në të gjitha format e abuzimit të fëmijëve.

“Ky protokoll implementues parasheh realizimin e projekteve të përbashkëta për ngritjen e vetëdijes publike për parandalimin në fushën e trafikimit me njerëz”, tha Spasovski.

Ai shtoi se një nga prioritetet kryesore të MPB-së mbetet menaxhimi efikas i kufijve, migrimi dhe parandalimi i migrimit ilegal në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën për media, ministri slloven, Hojs tha se Sllovenia është një nga ato vende që në vazhdimësi e ka përkrahur Maqedoninë e Veriut për 30 vjet në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Maqedonia (e Veriut) tashmë është në Evropë. Këtu nuk ka asnjë hezitim. Ajo që thjesht mungon është hyrja në BE dhe Sllovenia është një nga ato që realisht punon për anëtarësimin tuaj”, tha ai.

Duke kujtuar se dje u shënua 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Hojs tha se Sllovenia është një nga tre vendet që e njohin Maqedoninë e atëhershme të pavarur dhe është vendi i parë që hapi ambasadë në Shkup.

I pyetur nga gazetarët se si është gjendja e sigurisë në Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ministri Spasovski tha se për momentin gjendja e sigurisë në vend është stabile, e qetë pa asnjë tregues të shqetësimit.