pen-and-notebook

TË GJITHË E POSEDOJMË KËTË KARTELË

Në një takim me gazetarët, një biznesmen i njohur nga Emiratet e Bashkuara u pyet se cila ishte situata më e çuditshme që e kishte përjetuar në jetë. Kurse ai u përgjigj kështu:

Një natë prej netëve isha i mërzitur dhe vendosa të shëtiti në ajër të pastër. Duke ecur nëpër lagje, kalova afër një xhamie të hapur dhe thashë në vete: pse nuk hyj brenda dhe t’i falë dy rekatë namaz? Më pas, hyra në xhami dhe në të pashë një njeri i cili qe drejtuar kah Kibleja, i kishte ngritur duart dhe i përulur në heshtje e me bindje, i lutej Zotit. Nga mënyra e lutjes së tij, e vërejta se ishte nevojtar dhe i thashë: “E pashë se luteshe dhe ishe i përulur në lutjen tënde sikur të ishe nevojtar. A është ashtu?

Kurse ai m’u përgjigj:“Kam borxhe që më mundojnë dhe më mërzisin!”

“Sa janë ato?”, i thashë.

“Katër mijë dërhem”, më tha.

I nxora katër mijë dërhem dhe ia dhashë. Kurse, ai u gëzua shumë, më falënderoi dhe u lut për mua. Pastaj e mora kartelën në të cilën gjendej numri im i celularit dhe adresa e zyrës time, dhe i thashë që sa herë që të ketë nevojë, mos të hezitojë të më lajmërojë ose të më vizitojë. Sinqerisht mendova se do të gëzohet nga këto fjalë, por u habita nga përgjigjja e tij!

“Vëllai im, Allahu të shpërbleftë me të mira!”, më tha. “Unë nuk kam nevojë për këtë kartelë. Çdo herë që të kem ndonjë nevojë apo brengë, do t’i falë dy rekatë namaz, do ta lus Allahun dhe do të kërkoj nga Ai, kështu, Allahu do të ma lehtësojë gjendjen time, ashtu si ma lehtësoi këtë herë.”

Ky qe rasti që më befasoi shumë dhe ma përkujtoi hadithin e Pejgamberit të Allahut, lavdi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, i cili thotë: “Sikur t’iu kishit mbështetur Allahut ashtu siç duhet, do t’ju kishte furnizuar, ashtu siç i furnizon shpezët. Dalin në mëngjes të uritur dhe kthehen në mbrëmje të ngopur.”[1]

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

[1]              Tirmidhiu, 234, Ibën Maxhe, 4164, Shejh Albani e cilësoi si të vërtetë në Sahih el Tirmidhij