t25_121020206d4b306c

E PRANOI ISLAMIN DUKE KËRKUAR MANGËSI NË KURAN

Orientalisti kanadez, Dr. Gari Miler, është profesor i shkencave të matematikës dhe logjikës në Universitetin e Torontos. Ky njeri e donte shumë matematikën, logjikën dhe gjërat që ndërlidheshin e kuptoheshin me logjikë. Ai ishte thirrës shumë aktiv i fesë krishtere dhe, po ashtu, konsiderohej si njohës i mirë i Biblës.

Një ditë prej ditësh, mori që ta lexojë Kuranin dhe të zbulojë mangësitë dhe gabimet në të, me qëllim që t’i përdorë ato si mjete gjatë thirrjes në fenë krishtere në mesin e myslimanëve. Ai shpresonte që Kuranin ta gjejë si një libër të vjetër, të shkruar para katërmbëdhjetë shekujsh, i cili flet për shkretëtira dhe gjëra tjera të ngjashme. Mirëpo, iu hutua mendja nga ajo që lexoi, madje zbuloi se ky libër në vete përmban gjëra që nuk gjenden në asnjë libër tjetër në këtë botë.

Mendoi se në të do të gjejë raste të fanatizmit, të cilat i përjetoi i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, si vdekja e gruas apo vdekja e djemve dhe vajzave të tij, mirëpo nga kjo nuk gjeti gjë. Kurse ajo që e la gojëhapur ishte kaptina që mban emrin “Merjem”, pra, emrin e nënës së Isait, paqja qoftë mbi të!, gjë nuk ekzistonte në librat e të krishterëve dhe as në ungjijtë e tyre. Dhe, po ashtu, vërejti se Isai është përmendur 25 herë në Kuran, kurse Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, është përmendur vetëm katër herë, dhe kjo me të vërtetë ia hutoi mendjen.

Sërish e mori Kuranin për të hulumtuar dhe për të gjetur ndonjë mangësi, mirëpo kësaj radhe ia tërhoqi vëmendjen një ajet madhështor. Ky ishte ajeti ku Allahu thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.”[1]

Doktor Gari Mileri rreth këtij ajeti tha: “Nga parimet e njohura shkencore në kohën bashkëkohore është parimi i zbulimit të gabimeve dhe ajo që më çudit është fakti se Kurani i thërret myslimanët dhe jomyslimanët në hulumtimin e gabimeve të tyre, gjë që askush nuk ka arritur ta zbulojë. Prandaj, nuk ekziston autor në botë që posedon aftësi të shkruajë një libër për të cilin, pastaj, do të pretendojë se është i pastër nga gabimet dhe mangësitë. Mirëpo, te Kurani është plotësisht e kundërta: të thotë se nuk ka gabime në të, madje edhe të sfidon që të hulumtosh gabimet e tij, kështu, që të bindesh se është i pastër nga të metat.”

Nga ajetet që Gari Mileri qëndroi një kohë të gjatë duke përsiatur, është ajeti ku Allahu thotë: “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!”[2]

            Ai rreth këtij ajeti tha: “Ky ajet, me saktësi, është tema e studimit shkencor e cila e fitoi çmimin Nobel në vitin 1973, në të cilën flitej rreth teorisë së eksplodimit të madh. Në të citohet se kozmosi që tani ekziston, është rezultat i një eksplodimi të madh, shpërthim nga i cili është formuar çdo gjë që gjendet në qiej.” Kurse për ujin që përmendet në këtë ajet, se është burim jete, doktori tha: “Kjo është për t’u çuditur, për arsye se shkenca bashkëkohore ka zbuluar se qelizat e gjalla përbëhen nga citoplazmat, ku prezenca e tyre në të është 80%, ndërsa citoplazma, në esencë, përbëhet nga uji. Prandaj, si është e mundur që njeriu i cili nuk ka ditur as shkrim e as lexim dhe ka jetuar para katërmbëdhjetë shekujve t’i dijë këto gjëra?! Pa dyshim, e gjithë dituria e tij ka qenë shpallje nga ana e Allahut.”

Kështu, doktor Gari Mileri e pranoi Islamin dhe filloi të ligjërojë në të gjitha anët e botës. Po ashtu, ka realizuar shumë debate me priftërinj dhe thirrës të fesë krishtere, në mesin e të cilëve ishte vet më herët.

[1]              (En-Nisa: 82)

[2]              (El-Enbija: 30)

Nga arabishtja: Irfan JAHIU