Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se nuk është arritur ndonjë marrëveshje për targat në Bruksel, në takimin ndërmjet kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviq, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajçak në një shkrim në rrjetet sociale pas takimeve të palëve, ka thënë se rezultatet nga takimet janë të përziera. Ai ka potencuar se progres është shënuar në çështje sikurse ajo e energjisë.
“Sapo përfunduam takimin e sotshëm të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, asnjë marrëveshje nuk është arritur për targat, megjithatë është shënuar progres në fusha të tjera, përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak.
Pas këtij takimi, zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, ka akuzuar palën serbe për keqpërdorim të takimeve në Bruksel.
Bislimi pas përfundimit ka thënë se Serbia ka qenë ajo që ka ftuar takimin me propozime konkrete.
“Fatkeqësisht pamë sjellje të çuditshme të palës serbe. Thotë se ka ide po s’mund ta shpalosë se ka probleme politike. Udhëtimi ka qenë krejt i kotë sepse si duket kanë ardhur në Bruksel sa për të krijuar lajmet në media se dëshirojnë të bisedojnë, por pa kurrfarë ideje, propozimi a zgjidhje”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë tutje se për energjinë ka zgjidhje të lehtë e të mundshme, por, që pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për konfirmim final.
Petar Petkoviq, si kryenegociator i Serbisë, ka thënë se bisedimet janë vështirësuar pas kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës. Sipas tij, Kosova ka refuzuar të diskutojë për asociacionin.
Përkundër që marrëveshja e përkohshme për targat e automjeteve ka skaduar më 21 prill të këtij viti, veturat vazhdojnë të vendosin letrat ngjitëse “deri në arritjen e një marrëveshjeje të re”.