“Turqia nuk ka asgjë për të humbur duke e bllokuar tentimin e Suedisë për anëtarësim në NATO”

Turqia nuk ka asgjë për të humbur duke bllokuar tentimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, vlerëson Aron Lund, ekspert i Lindjes së Mesme në Agjencinë Hulumtuese Suedeze të Mbrojtjes (ROI), transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për transmetuesin publik SVT, Lund tha se pavarësisht mosmarrëveshjeve të saj me disa anëtarë të NATO-s, duke përfshirë Greqinë, Francën dhe SHBA-në, Turqia është një vend i rëndësishëm i NATO-s.

“Turqia, e cila ka fuqinë e dytë më të madhe ushtarake të NATO-s dhe një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik në Detin e Zi, është një nga anëtarët më të rëndësishëm të aleancës”, vuri në dukje Lund.

Ai tha se edhe nëse ekziston një vullnet politik për të përmbushur kërkesat e Turqisë për ekstradimin e anëtarëve të grupit terrorist, do të jetë e vështirë për gjyqësorin suedez ta bëjë këtë.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO të mërkurën, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në shkurt.

Mirëpo Turqia, një anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj synimeve të anëtarësimit, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.