Në vitet e para të mësimdhënies së lëndës së Kuranit në shkollën e mesme në institutin shkencor, u befasova me nivelin e dobët të nxënësve në leximin e Kuranit e, aq më tepër, në nxënien përmendsh të Kuranit. Nga pikëpamja ime, çështja e memorizimit ishte më e lehtë; e detyron nxënësin ta mësojë përmendsh pjesën e caktuar dhe më pas ia dëgjon pjesën e mësuar, ndërsa te përmirësimi i nivelit të leximit (tilavesë) dhe te korrigjimi i rregullave të leximit (texhvidit) nuk mjafton, thjesht, dhënia shpejt e mundit, por ka nevojë për përpjekje të madhe dhe kohë të gjatë derisa nxënësi ta përvetësojë leximin.
Problemi i nxënësve nuk përkufizohej veç në leximin e Kuranit apo në rregullat kryesore të texhvidit, por ishte më shumë se kaq, ishte një lloj i recitimit ku gabimi dukej qartë në shqiptimin e shkronjave, i ndryshonin shkronjat apo gabonin në zanoret. Madje dobësia te disa arrinte deri në atë nivel saqë ishin të paaftë ta lexonin një shkronjë drejt nga Libri i Allahut.
Një muaj pas fillimit të vitit shkollor, institutin e vizitoi mbikëqyrësi edukativ. U mundova që t’ia jepja një pasqyrë të qartë për realitetin e nxënësve, sepse e dija pozitën e tij në vendimmarrje dhe për këtë shkak e zgjodha nxënësin më të dobët të lexonte Kuran para tij. Leximi i nxënësit e shqetësoi mbikëqyrësin edukativ.
Pas përfundimit të orës u ul me mua dhe më foli për nivelin e dobët të nxënësve në lëndën e leximit të Kuranit. Kërkoi prej meje të përpiqesha sa më shumë që të shërohej kjo dobësi.
I thashë: Mësuesi im i nderuar! Këta nxënës për tri vjet radhazi në këtë institut kanë mësuar leximin e Kuranit para se të kyçesha unë. Gjatë këtyre tri vjetëve lëndën e Kuranit e mbanin tri orë në javë, ndërsa unë prej para një muaji kam filluar t’u jap mësim, e pamundshme është për një kohë kaq të shkurtër ta shëroj këtë dobësi të mbledhur për një kohë të gjatë. Përgjegjësi i vërtetë për nivelin e dobët të tyre është mësuesi para meje i cili i ka mësuar këta nxënës, jo unë.
Për t’u çuditur është se mbikëqyrësi edukativ nuk e pranoi justifikimin tim. Ma shkroi një listë me vërejtje në regjistrin zyrtar të posaçëm për këtë gjë.
E pezulloi notimin tim në lëndën e Kuranit për një numër të mësimeve, planprogrameve mësimore dhe lëndëve të tjera që në to ishte mbikëqyrësi im. U krijua tek ai një pasqyrim dhe mendim jo i mirë për mua. Vetëm pas disa vizitave të njëpasnjëshme, kontakteve të ndërsjella dhe pjesëmarrjeve të përbashkëta në disa komisione, filloi ta ndryshonte mendimin për mua.
Gjatë periudhës së rinisë te njeriu dominon të menduarit ideal. Kjo më bëri të mendoj se mbikëqyrësi edukativ do të mendojë si unë, se do ta shohë situatën nga këndvështrimi që e shihja unë përgjatë procesit dhe mu për këtë shkak me situatën sillesha me një dozë të idealizmit. Isha i ri në mësimdhënie dhe papërvoja luajti rol.
Në anën tjetër, mbikëqyrësi ishte mësuar që gjatë vizitave të tij mësuesi ta zgjidhte nxënësin më të mirë që të dilte të lexonte para tij. Prej mësuesve disa ishin më të drejtë, merrnin më shumë se një nxënës të cilët dalloheshin në mes vete në nivelin e dijenisë dhe aftësisë, leximin e ndanin në disa pjesë dhe çdonjëri prej nxënësve e lexonte pjesën e caktuar.
Pas kësaj që më ndodhi, e kuptova se për mua paska qenë më e mira ta bëja këtë, të lexonte më shumë se një nxënës, që mbikëqyrësi ta shihte dallimin e nivelit të nxënësve, sepse të tjerët nuk ishin aq të dobët sikur nxënësi që e zgjodha të lexonte para tij.
– Nga kjo ndodhi mësova se sa e rëndësishme qenka që unë të kuptoj se si mendojnë të tjerët. Kjo nuk nënkupton që ne t’i ndjekim në qëndrimet e tyre, por qëllimi është ta kuptojmë mënyrën e të menduarit të tyre që të sillemi me ta konform atyre mendimeve.
– Mësova ta qartësoj pikëpamjen time me vërtetësi dhe me përgjegjësi. Po qe se do të më jepej mundësia të kthehesha mbrapa, do të kisha zgjedhur një numër prej nxënësve me nivel mesatar apo do ta klasifikoja zgjedhjen e tyre e më pas do të flisja me mbikëqyrësin edukativ dhe do t’ia qartësoja atij se ky ishte viti im i parë në mësimdhënien e lëndës së Kuranit e pastaj do t’ia paraqitja vërejtjet e mia duke i sinjalizuar atij se shërimi i anëve të dobëta që i ka parë te nxënësit është përgjegjësi e të gjithë neve bashkërisht (mësues, mbikëqyrës, administratë dhe planprogram) dhe të gjithë së bashku duhet të përkujdesemi për këtë gjë e, në veçanti, me nxënësit e instituteve shkencore. Mendoj që sikur ta ndiqja këtë rrugë me mbikëqyrësin edukativ qysh prej fillimit, do të kisha arritur sukses për ta bindur dhe do ta largoja vlerësimin negativ për mua nga ana e tij.
– Mësova, po ashtu, se duhet të kemi kujdes në trajtim me grupe të ndryshme. Ata nuk janë të barabartë në aspektin fetar, në intelekt dhe në vizionin për jetë,[1] si dhe dallojnë në shumë aspekte.
Për këtë shkak gjatë trajtimit të tyre duhet ta kemi parasysh nivelin e secilit veç a veç; kur të flasim me fjalim të përgjithshëm patjetër të kemi parasysh se ata realitetin e shohin nga këndvështrime të tjera që dallojnë me këndvështrimin tonë në këtë pikë.
Ky vetëdijesim do të na bëjë të aftë ta themi atë që kemi për ta thënë në mënyrë të përshtatshme, duke ia përcjellë tjetrit atë që e dëshirojmë pa rënë në konflikt.
– Mësova se mbresa e dalë nga përvoja a puna (pozitive apo negative) është shumë më e madhe se fjala e shqiptuar. Gjurmët që i lë vizita e një projekti të dalluar apo e një vendi të bukur, nuk barazohen me gjurmët që i lë përshkrimi dhe të folurit e shumtë për to.
Në këtë mënyrë është e vështirë që njeriu t’ua përcjellë të tjerëve ndikimin e përjetimit të një situate pozitive apo negative, sado që i është dhënë aftësia e oratorisë dhe retorikës. Të të tregojnë për diçka nuk është e njëjtë sikur ta shohësh ti vetë me sy.
Ibn Abasi h tregon se Pejgamberi g ka thënë: “Të lajmërohesh për diçka nuk është sikur ta shohësh me sy. Allahu i tregoi Musait n se çfarë veproi populli i vet me viçin, megjithatë nuk i hodhi pllakat në tokë, mirëpo kur me sytë e tij e pa se çfarë kishin vepruar, atëherë i përplasi pllakat përtokë dhe ato u thyen.”[2]
Për këtë shkak, është me rëndësi të zbatohet kjo gjë për t’u njoftuar me projektet dhe organizimet e tyre, për t’i bindur të tjerët dhe për t’i shtyrë të bashkëveprojnë me të, apo të kihet kujdes nga diçka që duhet pasur kujdes prej saj.
– Po ashtu, mësova se është vështirë që me fjalë t’i zhdukim mbresat të cilat i kemi fituar nga përvoja. Duhet pasur kujdes nga ajo vepër që lë mbresa negative tek të tjerët për personalitetet dhe projektet tona. Sqarimi dhe shfajësimi nuk mjaftojnë dhe të tjerët nuk i kthen në gjendjen e parë.
Kjo shfaqet dukshëm në lidhjet shoqërore dhe kontaktet me të tjerët, si dhe shfaqet në predikimin fetar. Thirrësin në fenë e Allahut dhe folësin nuk e kthejnë në gjendjen e parë qartësimi i qëllimit, sqarimi i fjalëve dhe qortimi i njerëzve se ata nuk po i arsyetojnë.
Pavarësisht qëndrimit tonë për mendimin e të tjerëve, ne kemi nevojë për vetëdijesim rreth mënyrave të të menduarit dhe reagimeve të tyre, që pastaj të dimë se si të sillemi kundrejt tyre.
– Po ashtu mësova se më rëndësi të madhe është përshkrimi dhe mbresa e parë. Shumë gjëra që vijnë pas tyre harrohen lehtë, ndërsa fitimi i mbresës së parë është shumë më i lehtë se ndryshimi i saj.
Takimi i parë me të tjerët është i rëndësishëm tej mase në formimin përshtypjes për atë që e merr përsipër përgjegjësinë e re. Takimi i parë me thirrësin në fe dhe kërkuesin e dijes lë mbresa të veçanta dhe situata që nuk harrohen. Fillimi i fjalimit krijon mbresa te njerëzit që i çon ta përcjellin fjalimin apo të largohen.
[1] Nuk e kam për qëllim këtu mësuesin tim të respektuar. Ai ishte shembull për fetarizëm, moral dhe përgjegjësi. (sh.a.) [2] Imam Ahmedi (2447).Dr. Muhamed Duvejsh
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”