Qindra veteranë të luftës së fundit, nën udhëheqjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës me kërkesë të mospërjashtimit të tyre nga kategoritë të cilave do t’u rritet paga minimale, ku janë regjistruar edhe tensione, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta filloi pak para fillimit të paralajmëruar të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në njërën ndër pikat e rendit të ditës është edhe “votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.
Kreu i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tha se deputetët nuk duhet t’i përjashtojnë veteranët nga projektligji në fjalë dhe nuk duhet të marrin asnjë vendim për ta, pa u konsultuar me veteranët.
“Deputetët dhe të zgjedhurit e popullit duhet t’ju shërbejnë interesave të atyre që i sollën në ulëset e Kuvendit dhe nuk duhet t’u shërbejnë interesave të politikës ditore. Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe u detyruam që këto kërkesa dhe pakënaqësitë tona t’i shprehim në rrugë përmes protestave. Do të vazhdojmë me protesta deri në realizimin e këtyre kërkesave tona”, theksoi Klinaku.
Pas fjalimit të Klinakut, veteranët janë futur në oborrin e ndërtesës së Kuvendit ndërsa ia mësynë hapësirave të brendshme të institucionit, por, një kordon policësh u pozicionua menjëherë para dyerve të këtij institucioni duke mos i lejuar.
Për t’i shpërndarë veteranët u përdorë edhe gazi lotsjellës, ndërsa pas gazit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës në shenjë respekti për këtë kategori, u ndanë atyre shishe me ujë.
– Lëndohen 2 policë nga protesta e veteranëve të luftës para Kuvendit të Kosovës
Policia e Kosovës ka thënë se bazuar në informacionet e deritanishme të këtij institucioni dy zyrtarë policorë janë lënduar në protestën e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor”, njofton Policia duke theksuar se edhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e gazit/tymit të hedhur.
Policia ka mohuar të ketë qenë ajo/zyrtarët e saj ata të cilët kanë hedhur gaz-lotsjellës në protestë, por kanë thënë se janë kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherësh demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thekson Policia.
Partia Demokratike e Kosovës është prononcuar kundër ndryshimeve të tilla ligjore të cilat përjashtojnë lidhjen e veteranëve me rritjen e pagës minimale.
Deputeti i kësaj partie, Hisen Berisha, ka dalë jashtë Kuvendit për të komunikuar me veteranët e revoltuar. Berisha, njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së, i siguroi veteranët se do të bëjë çmos që projektligji me ndryshime të tilla nuk do të kalojë.