u2-6

GJUHA NGA MJALTI DHE AJO NGA UTHULLA

Ishin dy njerëz, fqinj të njëri-tjetrit me shitoret ku punonin. Njëri shiste mjaltë, kurse tjetri shiste uthull. Për çudi, ai që shiste uthull kishte shumë myshteri dhe mblidheshin shumë njerëz në shitoren e tij!
Pronari i shitores me mjaltë mendoi në vete se çmimi i lartë i mjaltit është shkak që njerëzit nuk po vinin për të blerë te ai. Andaj, e zbriti çmimin e mjaltit derisa e barazoi me atë të uthullës. Mirëpo, edhe pas kësaj zbritjeje të çmimit nuk iu afrua askush shitores së tij.
Ai shkoi te pronari i shitores me uthull dhe i tha:
– Përse njerëzit tubohen kaq shumë te ti, edhe pse ti shet uthull, shija e së cilës është e thartë dhe era e saj e keqe, ndërsa, unë shes mjaltë dhe askush nuk vjen tek unë?!
Ndërsa fqinji iu përgjigj:
– Unë shes uthull me gjuhë të mjaltit, kurse, ti shet mjaltë me gjuhë të uthullës!
Zemrat gjithmonë mund t’i përfitosh me fjalë të mira dhe me sjellje të mirë ndaj tjetrit!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU