tumbl

VDIQ PRANË VËLLAIT TË VET NË VARR

Sami ishte një djalosh i cili merrej si shembull për moralin dhe sjelljen e tij. Ishte respektues i madh i prindërve dhe së bashku me vëllain dhe prindërit jetonin në një gjendje të mjerueshme financiare.

Një ditë nga ditët prindi e thirri të birin që t’i ankohet për gjendjen e mjeruar që e kanë, kurse i biri ia kthehu duke i thënë:

-O prindi im, elhamdulilah që jemi me shëndet mirë! Pasi që gdhihemi në mëngjes me shëndet të mirë dhe mbrëmjen e presim me shëndet të mirë, pse mos ta falënderojmë Allahun për këtë begati?

Pas një periudhe gjendja filloi të ndryshohet, të dy vëllezërit u martuan, kurse prindërit e tyre ndërruan jetë. Vëllai i tij, Muhamedi, pas vdekjes së prindërve filloi të ndjehet i vetmuar dhe gjendja e tij nuk ishte aspak e mirë. Kur e kuptoi Sami këtë gjë, shpejtoi ta vizitojë të vëllanë dhe t’ia bëjë me dije se ai do të qëndrojë pranë tij dhe se ai nuk është i vetëm. Muhamedi u gëzua shumë nga fjalët e vëllait dhe u ngrit dhe e përqafoi atë.

Sami pas vizitës që ia bëri vëllait, u kthye në shtëpi, ku gruaja e tij do ta presë me një lajm se ka mbetur shtatzënë për të tretën herë. Dynjaja i dukej se është e vetja nga gëzimi i madh dhe i ngriti duart kah qielli dhe e falënderoi Allahun për fëmijët që ia dhuroi. Gruaja e tij i tha se ka pasur frikë ta lajmërojë për shtatzëninë e saj, duke e pasur parasysh gjendjen e tyre materiale të mjerë. Mirëpo Sami u buzëqesh dhe i tha:

-Nuk jam unë ai që furnizoj, por Allahu është Furnizuesi dhe çdo fëmijë lind me furnizimin e vet.

Kaluan disa muaj dhe në jetë erdhi edhe fëmija i tretë i Samit. Allahu e furnizoi edhe me një sasi të madhe të hollash, me të cilat e mori me qira një kopsht frutash dhe filloi të tregtojë me to dhe për një kohë të shkurtër arriti ta fitojë besimin te tregtarët. Nuk kaluan shumë vite vetëm se arriti ta blejë një kopsht tjetër dhe ta lërë atë që e kishte me qira.

Kur dynjaja filloi t’i nënshtrohet, e bleu një makinë të cilën e përdorte për biznesin e vet dhe me të e vizitonte edhe të vëllanë më shpesh dhe e mësonte atë ta drejtojë makinën. Dëshironte që i vëllai t’i bashkëngjitet në biznesin e tij duke shitur frute me makinë. Sami për ndihmën që ia jepte i vëllai e shpërblente mirë dhe çdo herë e pyeste se a është i kënaqur nga ajo që e merr si shpërblim, kurse Muhamedi nuk dinte përgjigje tjetër përveç se fjalës “Po”. Sami shpesh e vizitonte edhe shtëpinë e të vëllait, ku për fëmijët e tij kujdesej si të ishin fëmijët e vet, kështu duke e dërguar në vend amanetin e prindit të tij.

Sami një ditë nga ditët filloi të ankohet se është i sëmurë dhe shprehu dëshirë që të merr pushim disa ditë sa t’i kthehet fuqia dhe të vazhdojë me biznesin e tij. Mirëpo pas analizave të shumta, mjeku e lajmëron gruan e tij se Sami është i sëmurë shumë rëndë. Sami filloi t’i merr ilaçet, kurse gruaja e tij e cila shpesh qante në vetmi, i jepte kurajë dhe e qetësonte të burrin duke i thënë se së shpejti do të shërohet me lejen e Allahut. Gjendja e tij nuk përmirësohej, por filloi të keqësohej edhe më tepër. Sami filloi të ndjejë se jeta e tij së shpejti do të mbarojë dhe e kërkoi të vëllain, Muhamedin, që ta vizitojë. Sami e lajmëroi të vëllain se së shpejti do të ndërrojë jetë si pasojë e sëmundjes nga e cila vuan dhe e porositi që pas vdekjes së tij të kujdeset për gruan, për tre fëmijët e tij dhe për biznesin e tij.

Vëllai për çdo ditë e priste lajmin se ai ka ndërruar jetë. Dhe me të vërtetë nuk kaluan shumë ditë, Muhamedi vetëm se e mori lajmin se Sami ndërroi jetë. Shkoi vet që të bindet dhe ta vërtetojë lajmin e vdekjes së vëllait dhe ta lajmërojë familjen dhe shokët. Nga lajmi u pikëlluan familja, shokët, fqinjët dhe të gjithë ata që e morën lajmin e vdekjes së tij. Sami konsiderohej mysliman i mirë, baba i mirë, fqinj e shok i ndershëm dhe tregtar besnik.

Në drekë të gjithë dolën që t’ia falin namazin e xhenazes, të luten për të dhe t’ia përcjellin xhenazen deri te varrezat e qytetit. Muhamedi kur iu afrua varrezave, u tha të pranishmëve që askush mos të futet në varrin e Samit, përveç se ai i vetëm.

Muhamedi u fut i vetëm në varrin e të vëllait që ta rregullojë xhenazen e tij dhe u vonua një periudhë deri sa të pranishmit filluan të dyshojnë se çka ndodhi. Kur iu afruan varrit, e gjetën Muhamedin se kishte ndërruar jetë pranë të vëllait të tij të vdekur. Në njërën dorë ia gjetën një letër të bardhë, ku mbi të kishte gjurmë të ngjyrës së kaltër, kurse në dorën tjetër e mbante ngjyrën nëpërmjet të cilës dëshironte t’ia marrë të vëllait shenjat e gishtit dhe të deklarojë se ia ka lënë të gjithë pasurinë e tij të vëllait.

Njerëzit u habitën dhe shpejt e thirrën policinë. Ata dhanë urdhër të nxirret xhenazja jashtë dhe të dërgohet për hulumtime në mjekësinë ligjore, ku më vonë do të konstatohet se ky njeri është mbytur nga një shtrëngim i fortë.

Muhamedi, pra, nuk ishte ashtu siç paraqitej para të vëllait, por ishte njeri i cili ia kishte zili të vëllait dhe pas vdekjes së tij dëshiroi t’ia merr pasurinë. Lotët që i dilnin ishin lot krokodili, e jo lot vëllai.

Në zemrën e tij kishte urrejtje dhe zili dhe me to edhe vdiq. Përfundimi i keq i tij ishte rezultat i qëllimeve të tij. Dëshira e madhe për dynja dhe pasuri e bëri ta urrejë dhe të mos e dojë edhe vëllanë e vet dhe në fund edhe t’ia merr pasurinë padrejtësisht, mirëpo Allahu sheh dhe di çdo gjë. Allahu nuk e lejoi ta arrijë qëllimin e tij të fëlliqur, por ia mori shpirtin në atë gjendje dhe ia shpalosi turpin.

Kjo ndodhi për ne është mësim madhështor, i cili na vetëdijëson dhe na nxit t’i përmirësojmë qëllimet tona.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU