Türkiye përshëndet marrëveshjen për dokumentet midis Kosovës dhe Serbisë

Türkiye mirëpret marrëveshjen e re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve në kalimet kufitare, tha sot Ministria e Jashtme e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“E mirëpresim marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për kalimet kufitare me letërnjoftime. Shpresojmë që palët të bien dakord edhe për çështje të tjera, veçanërisht për çështjen e targave, sa më parë”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Duke theksuar se ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu kishte folur në telefon me homologët e tij nga Kosova dhe Serbia për të zbutur tensionet, ministria tha se Türkiye gjithashtu ka vazhduar t’u bëjë thirrje palëve që të veprojnë me përmbajtje.

“Türkiye, si një vend ballkanik, i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe mbështet zgjidhjen e problemeve përmes dialogut, si dhe iniciativat për këtë qëllim. Türkiye do të vazhdojë të përpiqet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet më tej.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dje njoftoi se është arritur marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve shtesë për hyrje/daljet e shtetasve serbë në Kosovë dhe shtetasve të Kosovës në Serbi

“Ne kemi nje marreveshje. Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë”, tha Borrell, duke nënvizuar se kjo është një e dyta e marrëveshjes.