- Dhuntitë dhe mirësitë e Allahut për robërit e Vet janë aq shumë, saqë numri i tyre nuk mund të përkufizohet dhe të numërohet. Në to bën pjesë edhe dhuntia e fëmijës. Fëmijët janë dhuntia, dhurata dhe mirësia e madhe e Allahut për robin e Vet. Kjo e mirë e Allahut e meriton falënderimin, përkujdesjen dhe ruajtjen nga robi i Tij. Fëmijët janë fryti i zemrës, themeli i shtëpisë, stolia e jetës së dynjasë, ashtu siç Allahu thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote…” (El-Kehf: 46)
Allahu në Kuran e përmend se nga lutjet e robërve të zgjedhur të Allahut është lutja: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)
- Islami fëmijës ia siguron të drejtat para lindjes së tij: fillimisht me zgjedhjen e nënës së ndershme, pastaj përkujdesja për të gjatë periudhës së shtatzënisë, përkujdesja për të drejtën e tij që të jetojë duke e ndaluar abortimin e tij gjatë fazës së shtatzënisë, lehtësimi i çështjes së agjërimit për gruan shtatzënë, ndëshkimi i mbytësit të tij duke e detyruar ta shpaguajë gjakun e tij etj.
Pas lindjes: lumturia dhe gëzimi me daljen e tij në dynja, thirrja e ezanit në veshin e djathtë, pëlqehet t’i fërkohet lehtë qiellza e tij me hurmë, i jepet e drejta ta marrë mbiemrin e babait, zgjedhja e emrit të mirë për të, therja e akikës, qethja e flokëve të kokës së tij dhe dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij, synetimi i tij, plotësimi i gjidhënies, përkujdesja për edukimin dhe rritjen e tij, shpenzimi për të, drejtësia në mes atij dhe vëllezërve të tij, përkujdesja për shëndetin e tij trupor dhe mendor. Po ashtu i garantohet e drejta e tij në trashëgimi, vasiet, dhuratë, vakëf etj.
- Fëmijët tanë janë amanet mbi supet tona, për ta do të merremi në llogari para Allahut.
Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tehrim: 6)
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Edhe ndaj fëmijës tënd ke hak (të drejta që bien mbi ty).”[1]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet… Burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për të, gruaja është bareshë e shtëpisë së saj dhe përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe për fëmijët e saj.”[2]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, madje do të pyetet edhe njeriu për anëtarët e familjes së tij.”[3]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdonjërin që Allahu e ngarkon me përgjegjësi për ndonjë grup njerëzish, ndërsa ai e tradhton amanetin e tij (nuk ja jep hakun parisë së tij) dhe vdes në këtë gjendje, Allahu ia ndalon atij Xhenetin.”[4]
- Çdo mysliman për fëmijët e tij duhet ta ketë frikë Allahun, duke i drejtuar dhe përkrahur ata për në mirësi, duke i larguar nga sherri, shthurja dhe e liga, si dhe duke ua mbyllur çdo rrugë që i çon drejt mëkateve dhe gjynaheve.
- Edukimi i fëmijëve fillon me zgjedhjen e bashkëshortes së ndershme. Fëmijët e kanë atë të drejtë, që nëna e tyre të jetë e ndershme. Nëna është medrese që prej saj dalin breza.
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “…Zgjedhe për grua atë që është me fe, të lumshin duart.”[5]
E ka thënë të vërtetën poeti:
Nëna është medrese, nëse e përgatit atë si duhet (d.m.th. e zgjedh si duhet),
ajo do ta përgatitë një popull me rrënjë të mira.
- Edhe babai edhe nëna e kanë për detyrë që fëmijën ta edukojnë, ta rrisin me virtyte të larta dhe me moral të lavdëruar sipas Kuranit dhe Sunetit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Fëmija duhet të edukohet në fushën e imanit, ibadetit, moralit, psikikës, shëndetit, gjendjes shpirtërore dhe asaj shoqërore të tij. Atë duhet ta marrësh për dore (ta përkrahësh) në rrugën e stabilitetit në fe, që ta fitojë Xhenetin dhe të shpëtojë nga Xhehenemi, ashtu siç Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tehrim: 6); që do të thotë: urdhëroje familjen për të mirë dhe ndaloje nga e keqja, edukoje dhe mësoja Islamin, kështu i ruan nga zjarri i Xhehenemit.[6]
- Dijetarët kanë thënë: “Fëmija është amanet te prindërit. Zemra e tij e pastër është gur i çmuar, e shtrenjtë, e pafajshme, pa asnjë njollë dhe gjurmë. Ajo ka aftësi të pranojë çdo gjë dhe të anojë kah çdo gjë që anon kah ajo.
Nëse ajo kalitet me mirësi dhe i mësohet e mira, fëmija do të rritet me atë mirësi dhe do të lumturohet në dynja dhe ahiret. Në shpërblim do të jetë pjesëmarrës edhe prindi, çdo mësues dhe edukator i tij.
A nëse ajo kalitet me sherr dhe i mësohet e keqja, lihet anash sikurse të jetë kafshë, ai do të jetojë fatkeq dhe do të shkatërrohet. Faji dhe përgjegjësia do të bjerë mbi supet e tij dhe mbi supet e përgjegjësit dhe edukatorit të tij.
Sado që prindi të mundohet ta ruajë fëmijën nga zjarri i dynjasë, ruajtja dhe mbrojtja e tij nga zjarri i ahiretit duhet të jetë prioriteti dhe synimi kryesor.”[7]
Të mësuarit e fëmijës në fëmijëri është si skalitja mbi gurë, siç u tha në këto vargje:
Degët kur i bën drejt, ato drejtohen,
ndërsa kur bëhet dru, ai më nuk zbutet,
edhe edukata i bën dobi fëmijës kur është i vogël,
por nuk i bën dobi edukata atij kur të rritet.
- Prindi duhet t’i edukojë fëmijët e tij me edukatë imanore, t’ua mësojë teuhidin (njësimin e Allahut), siç Allahu thotë: “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman: 13)
Ibrahim Et-Tejmi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E pëlqenin që fëmijës t’ia mësonin namazin dhe fjalët ‘la ilahe il-lallah’ të ishin fjalët e para që i shqipton duke i përsëritur ato shtatë herë.”[8]
- Fëmija duhet që të edukohet dhe të mësohet ta lidhë zemrën me Allahun, të kërkojë ndihmë nga Allahu, t’i mbështetet Atij, t’i bindet Atij dhe të besojë në përcaktimet e Allahut.
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e porositi Abdullah ibën Abasin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ishte fëmijë i vogël, duke i thënë: “O djalosh! Do të t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, Allahu do të të ruajë ty, Ruaje Allahun, që Allahun ta kesh çdoherë pranë teje. Kur të lypësh, lyp nga Allahu. Kur të kërkosh ndihmë, kërko ndihmë nga Allahu. Dije se, poqë krejt umeti bashkohen që të ta bëjnë një të mirë, nuk do të mund të të bëjnë mirë, përveç asaj që Allahu e ka caktuar për ty. Nëse ata bashkohen që të të bëjnë dëm diçka, nuk do të mund të të bëjnë dëm, përveç asaj që Allahu e ka caktuar për ty. Lapsat janë ngritur dhe fletushkat janë tharë.”[9]
- Fëmijës duhet t’i mbillet dashuria për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dashuria për sahabët dhe për të parët tanë të mirë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Ai duhet të mësohet t’i respektojë, nderojë e t’i njohë vlerat e tyre. Po ashtu duhet t’i lexohet dhe mësohet biografia e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, betejat, gjendjet dhe fjalët e tij. Ai është shëmbëlltyra jonë më e mirë në çdo kohë.
Imami Malik ibën Enes, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Të parët tanë të mirë i mësonin fëmijët që ta donin Ebu Bekrin dhe Omerin, siç i mësonin suret e Kuranit.”[10]
Alij ibën El-Husejn, Allahu e mëshiroftë, thotë: “I mësonim betejat dhe luftërat e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sikur që i mësonim suret e Kuranit.”[11]
Ismail ibën Muhamed ibën Sad ibën Ebi Vekas, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Babai na i mësonte betejat e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe na i renditte ato. Na thoshte: ‘O bijtë e mi, këta janë heroizmat e baballarëve tuaj, mos harroni që t’i kujtoni’.”[12]
- Prindi duhet ta mësojë fëmijën ta falë namazin prej fëmijërisë. Ai duhet ta urdhërojë ta falë atë kur t’i mbushë të shtatat, ta rrahë lehtë kur t’i mbushë të dhjetat, bazuar në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Urdhëroni fëmijët tuaj me namaz kur të jenë shtatë vjeç, rrihni (lehtë), nëse nuk falen kur të jenë dhjetë vjeç dhe ndani ata nga shtrati.”[13]
- Fëmija është mirë të edukohet të agjërojë prej fëmijërisë, të marrë pjesë në projektin e dhënies iftar agjëruesit, të nxitet që të japë lëmoshë në Ramazan dhe të kalitet për faljen e namazit të teravive. Për mundin që e bëjnë është mirë t’u jepet kurajo dhe të shpërblehen me gjërat që i kanë për qejfi.
Er-Rubejia bint Muavidh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, për agjërimin e ditës së Ashurës, e cila ishte obligim të agjërohet para se të obligohej agjërimi i Ramazanit, tha: “Agjëronim ditën e Ashurës dhe i nxisnim edhe fëmijët që ta agjëronin. Atyre u bënim lodra nga leshi dhe kur qante ndonjëri prej tyre nga uria, u jepnim lodrat derisa vinte koha e iftarit.”[14]
- Fëmijës prej vogëlisë duhet që shkallë-shkallë t’i mësohet hallalli dhe harami. Ai, edhe pse është fëmijë, mund ta kuptojë dhe ta perceptojë hallallin dhe haramin, nëse ato i sqarohen mirë.
Kur e mori Hasan ibën Alij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, një hurmë që ishte sadaka dhe e futi në gojë, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Kih, kih[15]”; që ta hedhë hurmën prej gojës. Pastaj i tha: “A harrove që ne nuk e hamë sadakanë.”[16]
- Prindi duhet që të kujdeset t’ia mësojë fëmijës dhe familjes së tij dhikrin e mëngjesit dhe mbrëmjes, t’u lexojë disa hadithe të shkurta gjithëpërfshirëse nga fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të cilat përshtaten me moshën e tyre. Mirë është që herë pas here ato t’i përsërisin bashkërisht, si dhe t’u japë shpërblime për mësimin e tyre. Kjo është kalitje për ta si të jetojnë me Allahun, me traditën profetike dhe me Islamin.
- Prindi duhet që fëmijëve t’ua mësojë moralin:
– Moralin me Allahun: duke e ngjallur natyrshmërinë në shpirtin e fëmijës, me njohjen e begative të Allahut, me vetëdijesimin se Allahu na mbikëqyr.
– Moralin me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: duke ia mbjell dashurinë dhe respektin për të, ndjekjen e rrugës së tij, mësimin e betejave dhe jetëpërshkrimin e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
– Moralin me veten dhe me të tjerët: duke ia mësuar turpin, sjelljen e mirë, respektimin e prindërve, respektimin e farefisit, ruajtjen e gjuhës, sinqeritetin, bujarinë, amanetin, sistematizimin në jetë, bartjen e përgjegjësive etj.
– T’i paralajmërojë nga morali i keq: duke i paralajmëruar nga koprracia, gënjeshtra, vjedhja, mendjemadhësia, të fëlliqurit e gjuhës, shpenzimi i tepërt, spiunimi, zilia, tradhtia etj.
– T’ia mësojë etikën e sjelljes së përgjithshme: etikën e kryerjes së nevojës fiziologjike, kujdesin për mirëqenien fizike, etikën e pastërtisë, etikën e ngrënies dhe pirjes, etikën e gjumit, etikën e veshjes, etikën e kërkimit të lejes, mbulimin e vendeve të turpshme, etikën e rrugës, etikën e teshtitjes dhe gogësimës etj.
- Prindi duhet që fëmijën ta edukojë me virtyte dhe ambicie të larta, ta mësojë që të mos e përbuzë veten, t’ia mbjellë kuptimet e burrërisë që prej fëmijërisë, dhe ndërkohë ta nxitë atë në mënyra të ndryshme që të arrijë deri te qëllimi.
Përcillet për Hind bint Utbe se ia mësonte kërcimin djalit të saj Muavijës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur ishte i vogël, dhe thoshte:
Nëse mendimi im del të jetë i drejtë për këtë djalë,
ai ka për ta udhëhequr fisin Kurejsh sikur babai im.[17]
Kur e pa atë në vegjëli një mendjemprehtë nga arabët, tha: “Mendoj që ky fëmijë do ta udhëheqë popullin e vet.” Ndërsa nëna e Muavijës ia ktheu: “Mjerë për të, nëse e udhëheq veç popullin e tij.”[18]
- Talenti dhe aftësitë e fëmijës shfaqen në vitet e fëmijërisë.
Dijetarët thonë: “Talenti i fëmijës shfaqet me vendimet dhe zgjedhjet e tij që ua bën gjërave të mëdha. Kur fëmijët mblidhen për të luajtur, ai që ka ambicie të larta thotë: ‘Kush do të jetë me mua?’; kurse ai që ka ambicie të ulëta thotë: ‘Me kë do të jem unë?’”[19]
Kur Omeri e vërejti talentin e Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e mori në mexhlisin e tij bashkë me ata që kishin prezentuar në betejën e Bedrit[20], edhe pse Ibën Abasi ishte i vogël në moshë.
Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kur e takonte birin e vet Salimin e puthte dhe i thoshte: “Dijetari po e puth dijetarin.”[21]
Kjo na mëson që prindi të përkujdeset për fëmijët dhe të mundohet që t’i zbulojë aftësitë e tyre, sepse ndoshta ndonjëri prej tyre nesër mund që të jetë dijetar, ose që punon ta përmirësojë gjendjen e njerëzve, ose që nëpërmjet tij Allahu ta ngrejë fenë e Tij.
- Vajzave duhet t’u mësohet turpi dhe virtytshmëria, të cilat janë zbukurimi i gruas dhe bukuria e saj. Mbulesa për to është emblema e nderit, dinjitetit dhe virtytshmërisë. Prandaj, është mirë që gradualisht të kaliten që t’i mbulojnë pjesët e trupit dhe ta veshin mbulesën. Druri sa është i njomë mund të drejtohet, e kur të thahet dhe të bëhet i fortë, nuk mundet më të drejtohet, por veç të thyhet.
- Është tolerancë e keqe në edukatë që vajzat e vogla të vishen me rroba të shkurtra dhe të tejdukshme, gjysmë të zhveshura dhe të ngushta dhe të ketë lëshime në shpalosjen e pjesëve të turpshme të trupit. E sidomos ato që kanë filluar të rriten dhe tek ato të shfaqen shenjat e pubertetit, sepse kjo mund të bëhet shkak që pas tyre të lakmojë zemërsëmuri që nuk e bën dallimin e moshave, e vogël apo e madhe. Shtoja kësaj edhe simpatinë e vajzave për këto rroba, gjë që më vonë do ta vështirësojë përmirësimin e veshjes, nëse ato edukohen dhe mësohen që prej fëmijërisë të vishen me to.
- Prindi është përgjegjës për fëmijën e tij që ta mësojë ta zgjedhë shokun e mirë, i cili do ta ndihmojë atë në çështjet e fesë dhe dynjasë dhe ta mësojë t’i largohet shokut të keq. Po ashtu është përgjegjës që t’i verifikojë shokët e djemve dhe shoqet e vajzave të tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, andaj çdonjëri le të shikojë se kë e shoqëron.”[22]
- Sa vajza të ndershme e të pastra devijuan shkaku se familjet e tyre i anashkaluan ato në përzgjedhjen si dhe në verifikimin e shoqeve të tyre! Sa të rinj shkuan me shokë të këqij derisa ranë në krime dhe drogë! Parambrojtja është më e mirë sesa ilaçi.
- Stërvitja e fëmijës për ta zgjedhur shokun e mirë bëhet drejtpërdrejt duke i folur për moralin e mirë, duke e bërë shpjegimin e sjelljeve të ndryshme pozitive dhe ato negative, duke e paraqitur gëzimin me sjelljet e mira, dhe e kundërta, duke e paraqitur hidhërimin me sjelljet e këqija.
- Familja është faktori bazë për ndërtimin e sjelljes së fëmijës. Suksesi ose dështimi në edukimin e fëmijës varet nga përdorimi i mënyrave të edukimit. Nëse ato përdoren gabimisht, kjo çon deri në probleme psikike, shoqërore dhe irritim në personalitetin e tij. Po ashtu mosmarrëveshjet dhe grindjet në mes prindërve ndikojnë në shëndetin psikik të fëmijës, çojnë në çrregullimin dhe në shfaqjen e devijimit në sjellje dhe në personalitetin e tij.
- Familja luan rol të madh në zbulimin e talentit te fëmijët. Ata mund t’i dallojnë aftësitë dhe të talentuarit në mesin e tyre, e pastaj t’i nxisin që të avancohen, duke ua mundësuar mjetet dhe përkujdesjen e nevojshme për zhvillimin e aftësive dhe talentit të tyre.
Sipas studimeve, 90% e fëmijëve deri në moshën pesëvjeçare janë talentë. Kjo përqindje zvogëlohet dukshëm deri në 10% në moshën shtatëvjeçare, ndërsa në moshën tetëvjeçare numri i tyre bie në 2%.
Kështu që edukimi i gabuar e zvogëlon talentin dhe aftësitë, ndërsa nxitja dhe stimulimi i shtojnë ato.
- Thirrja e fëmijës me epitete të ndershme, si: luan, i sinqertë, e ndershme; është një nga mënyrat e nxitjes së fëmijëve. Pastaj lidhja e tyre me librarinë e shtëpisë, nxitja e tyre që të lexojnë dhe të hulumtojnë, organizimi i garave shtëpiake, marrja e mendimeve të tyre në disa raste etj.; edhe këto janë nga mënyrat e nxitjes së fëmijëve.
- Jeta shoqërore është shtyllë e rëndësishme dhe bazë në jetën e çdo njeriut. Periudha e fëmijërisë dhe vitet e para të jetës janë periudha më e rëndësishme e njeriut, në të përcaktohen vështrimet dhe tiparet e kësaj jete. Në këtë periudhë formohen themelet e çdo periudhe të jetës njerëzore, formohen shtyllat e personalitetit të tij, përcaktohen tiparet, tabiatet dhe karakteri i tij, që më vonë është e vështirë të ndryshohen, ashtu siç e thonë dijetarët e edukatës.
- Zotësia shoqërore është përmbledhje e një grupi të shkathtësive që fëmija i përdor për bashkëveprim dhe kontakt me të tjerët ose aftësia e tij për të bashkëjetuar dhe kontaktuar me ata që i ka përreth, me fjalë dhe me sjellje.
- Fëmija, shkathtësitë e tij shoqërore, fillon t’i përfitojë prej familjes gjatë bashkëveprimit të tij me prindërit dhe sjelljes së tyre me të, gjatë bashkëveprimit me vëllezërit e tij në shtëpi dhe gjatë bashkëveprimit me të tjerët që e rrethojnë.
- Kur fëmija posedon shkathtësi shoqërore, kjo i ndihmon në harmonizimin e raporteve me të tjerët për një kohë të gjatë, kurse mungesa e këtyre shkathtësive shkakton probleme psikike dhe morale, si dhe i jep prirje për të krijuar armiqësi në drejtim të të tjerëve.
- Prej shkathtësive shoqërore që kërkohen të mbillen dhe të zhvillohen te fëmija, përmendim:
– Pritja dhe përcjellja e të tjerëve, bashkëndjenja me të tjerët, kuptimi i ndjenjave të tyre dhe të përgjigjurit në kërkesat e tyre, paraqitja e gëzimit me prezencën e të tjerëve, këmbimi i mendimeve me fëmijët, kontaktet pozitive me njerëzit, përdorimi i fjalëve të qarta të lehta për shprehje.
– Falënderimi që fëmija ia bën shokut të vet, i cili ia ka bërë një të mirë atij, është shkathtësi shoqërore.
– Kërkimi i faljes që fëmija ia bën shokut kur gabon ndaj tij, është shkathtësi shoqërore.
– Interesimi i fëmijës për fëmijët e tjerë kur mungojnë në shkollë apo çerdhe, është shkathtësi shoqërore.
– Përshëndetja e fëmijës që ia bën shokut të vet kur e takon, është shkathtësi shoqërore.
– Bashkëndjenja e fëmijës me shokun e vet kur ai mërzitet ose frikësohet duke ia lehtësuar atij, ose pikëllimi i tij kur shoku pikëllohet, është shkathtësi shoqërore.
- Nga mjetet më të rëndësishme që i kultivojnë shkathtësitë shoqërore të fëmijës, theksojmë:
– Rritja e mençurisë shoqërore te fëmija duke i ndihmuar atij me mundësinë që të lidhet me të tjerët, t’i kuptojë ndjenjat e tyre dhe t’u përgjigjet atyre nevojave.
– Respektimi dhe aktivizimi i vetes, mbjellja e ndjenjës së krenarisë dhe vetëbesimit, edukimi i tij që t’i mbështetet vetes dhe të jetë i pavarur në kryerjen e nevojës së tij, në zgjedhjen e lojërave dhe rrobave të tij, në zgjidhjen e problemeve të tij me shokët, në angazhimin e tij të marrë pjesë në aktivitetet shtëpiake të lehta, si: përgatitja e sofrës, futjen e mbeturinave në qese etj.
Po ashtu atij duhet t’i jepet mundësia që të marrë vendime dhe ta bartë përgjegjësinë e vendimmarrjes, dhe kohë pas kohe t’i thuhen fjalë nxitëse për vendimet e drejta që i merr.
- Nga shembujt që e paraqesin aktivizimin e vetëbesimit dhe përgjegjësisë në shpirtrat e fëmijëve është rasti kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia tregoi një fshehtësi Enes ibën Malikut, që në atë kohë ishte fëmijë, dhe e dërgoi si të dërguar të veçantë në një mision të fshehtë.
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Duke lozur me fëmijët, m’u afrua Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më dha selam dhe më dërgoi ta kryeja një nevojë. U ktheva vonë në shtëpi dhe nëna ime më tha: ‘Ku ishe o Enes, pse u vonove?’ I thashë: Më dërgoi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ta kryejë një punë. Më pyeti: ‘Çfarë punë ishte ajo?’ I thashë: Është fshehtësi. Pasi që i dëgjoi fjalët e mia më tha: ‘Mos i trego askujt për gjërat e fshehta që t’i tregon Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të’.”[23]
Po ashtu rast tjetër:
Ia sollën një pije Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe piu nga ajo. Në të djathtën e tij e kishte një djalosh, ndërsa në të majtën e tij ishin disa të moshuar. Djaloshit i tha: “A më jep leje që së pari t’u japë atyre të pinë?” Djaloshi ia ktheu: “Jo, pasha Allahun! Askujt nuk ia jap pasi që ti ke pirë i pari!” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia dha pijen djaloshit në dorë.[24]
- Atë që Allahu e sprovoi me fëmijë me të meta fizike duhet të bëjë durim dhe të jetë i kënaqur me caktimin e Allahut. Për myslimanin të gjitha përcaktimet e Allahut janë të mira: “Është për t’u çuditur me çështjen e besimtarit. Në tërësi çështja e tij është hair dhe kjo është e veçantë për të. Kur i jepet një e mirë e falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. Dhe kur e godet një fatkeqësi bën durim dhe kjo është e mirë për të.”[25]
- O ti baba i mëshirshëm dhe oj ti nënë e dashur, mos harroni se fëmija është juaji. E meta e tij fizike nuk ia pakëson atij vlerën dhe njerëzimin. Sa fëmija me të meta fizike janë bërë të dobishëm për botën me dijen dhe zbulimet e tij. Prandaj, mos e nënvlerësoni çështjen e fëmijës suaj.
- Është e rëndësishme që fëmija me të meta fizike të dërgohet në shkolla të posaçme për ta. Atje mësohet me planprograme mësimore të posaçme që i përshtaten nevojës dhe së metës fizike të fëmijës.
- Interneti, celulari, rrjetet sociale dhe teknologjia bashkëkohore janë shpatë me dy tehe. Është gabim i madh të mjaftojë mendimi që ato janë mjete prej mjeteve të argëtimit dhe dëfrimit për fëmijën. E kemi për obligim fetar mbikëqyrjen e vazhdueshme të fëmijës dhe të sjelljeve të tij, si dhe mbjelljen e vetëdijesimit në veten e fëmijës që Allahu e mbikëqyr atë.
- Prindi duhet që t’i përcjellë fëmijët se çfarë filma për fëmijë po shikojnë. Ai duhet që t’u zgjedhë fëmijëve filmat e vizatuar të përshtatshëm për moshën e tyre dhe që nuk përmbajnë ndalesa fetare. Ndërkohë u ofron edhe alternativë të përshtatshme, si: lodrat, shëtitjet në parqe dhe kopshte, angazhimin e tyre me gjëra të dobishme, pa e anashkaluar edhe ndejën e vazhdueshme me ta. Këto i plotësojnë nevojat e tyre shpirtërore dhe u japin alternativë të gjallë karshi zhytjes së tyre në botën e iluzioneve të filmave të vizatuar.
- Edukimi i fëmijëve kërkon sabër, këmbëngulje, përmbajtjen e vetes dhe para gjithash, duhet të kërkohet ndihma e Allahut në këtë proces.
Ndëshkimi i fëmijëve nuk bëhet çdoherë me rrahje. Ndonjërit prej tyre i përshtatet shikimi me zemërim ose heshtja e befasishme nga të folurit.
- Sjellja me fëmijët në periudhën e adoleshencës nga prindërit kërkon urtësi dhe mençuri në ekuilibrin në mes përcjelljes së tij dhe respektimit të gjërave të tij personale, në mes të edukimit dhe mosakuzimit të tij, në mes të shpërfilljes, të këshillimit dhe të tërheqjes të vërejtjes së tij.
Adoleshenti patjetër duhet të ndiejë që familja e tij e përcjellin atë dhe sjelljen e tij, dhe po në të njëjtën kohë, ai duhet patjetër të jetë i bindur që ata i besojnë sjelljeve të tij dhe nuk e akuzojnë, dhe se kjo përcjellje është për të mirën e tij, për ta ruajtur dhe mbrojtur e jo për ta qortuar atë.
Prindi i mençur nuk ndërhyn në çdo detaj, nuk e bën fëmijën të ndiejë që ai e di çdo detaj për të, të vogël dhe të madh, sepse kjo çon deri në humbjen e personalitetit të tij në zemrën e fëmijës.
- Prindi është mirë që kur fëmija të tregojë sjellje të mirë, ta shpërblejë atë dhe ta lavdërojë për sjelljen e tij. Ndërsa kur të gabojë një herë, nuk e merr në llogari, a nëse i rikthehet gabimit, atëherë ia tërheq vërejtjen për gabimin e tij me butësi dhe dashuri.
Një ndër gabimet e prindërve është që kur e kuptojnë që fëmija i tyre gabon, mundohen ta kapin duke e bërë gabimin!
- Nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet myslimani i cili jeton në vende jomyslimane është edukimi i fëmijëve me edukatë islame të drejtë, vetëdijesimi i tyre për rreziqet e mëdha që do të ballafaqohen në ato vende, qofshin ato rreziqe në besim, në moral, shoqërore, arsimore etj.
- Prindi i cili jeton në vende jomyslimane duhet që t’i edukojë fëmijët me akide (besim) të drejtë. Ajo është vaksina mbrojtëse nga rreziqet e dyshimeve dhe epsheve.
- Ai duhet t’i edukojë fëmijët e tij që të përkujdesen për pesë kohët e namazit me xhemat, ta shpeshtojnë përmendjen e Allahut dhe të kërkojnë ndihmë nga Allahu në të gjitha çështjet e tyre. Ai po ashtu duhet të interesohet dhe t’i përcjellë se a i kryejnë detyrimet fetare.
- Ai duhet t’i lidhë fëmijët me xhaminë dhe me qendrat islame të ngritura në atë vend. Ai njëherit duhet të kujdeset që vetë të jetë shëmbëlltyrë e mirë, duke e vepruar atë që fëmijëve ua mëson.
- Myslimani në vende jomyslimane është mirë të kujdeset për fëmijët që ta mësojnë gjuhën e tyre amtare, të dinë të flasin dhe të shkruajnë, të lidhen me traditat e popullit të vet që nuk bien ndesh me parimet fetare, si dhe t’i mësojnë shkronjat e Kuranit që ta lexojnë ashtu si ka zbritur.
Prindi i mirë është që të organizojë ndeja me fëmijët për të lexuar Kuran dhe hadithe profetike.
Prindërit duhet ta kuptojnë që ardhmëria e imanit të fëmijëve është në rrezik, nëse i largohen namazit, Kuranit dhe haditheve profetike.
- Me rëndësi për prindin në vende jomyslimane është të kujdeset se me kë po shoqërohet fëmija, të interesohet për shokët e tij, për besimin, moralin dhe sjelljen e tyre. Ai duhet që t’ia sqarojë fëmijës që lidhjet jashtëmartesore janë të ndaluara dhe ato sjellin vetëm destabilizim në jetë dhe në familje.
- Me rëndësi për prindin në vende jomyslimane është të kujdeset që fëmijët t’i dërgojë në shkolla islame, nëse ato gjenden e, nëse nuk ka, munden të mësojnë nëpërmjet internetit për fenë e tyre.
- Po ashtu me rëndësi për prindin në vende jomyslimane është përcjellja e përditshme e fëmijëve, në veçanti në periudhën e adoleshencës, të jetë syçelur derisa të rriten dhe ta kuptojnë bartjen e përgjegjësive, sepse ata jetojnë në një mes të huaj, të rrethuar me fitne, devijime shpirtërore dhe shoqërore.
E lusim Allahun të na japë sukses që ta veprojmë atë që e Ai do dhe Atë e kënaq, si dhe të na bekojë në pasardhësit tanë.
“O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
[1] Muslimi (1159).
[2] Buhariu (2409), Muslimi (1829).
[3] Nesaiu në El-Kubra (9174), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të vërtetë.
[4] Buhariu (7151), Muslimi (142).
[5] Buhariu (5090), Muslimi (1466).
[6] Tefsir El-Bagavij (8/169).
[7] Ihja ulum ed-din, Imam Gazaliu (3/72).
[8] Ibën Ebi Shejbe në El-Musanaf (3519).
[9] Tirmidhiu (2516), shejh Albani e vlerësoi të saktë.
[10] Usul Itikad ehlu suneti uel xhema’, Imam El-Lalekai (7/1313).
[11] El-Xhamiu li ahlak er-ravij, Hatib El-Bagdadi (1591)
[12] El-Xhamiu li ahlak er-ravij, Hatib El-Bagdadi (1590)
[13] Ebu Davud (495), e saktësoi shejh Albani.
[14] Buhariu (1960), Muslimi (1136).
[15] Fjalë që i thuhet fëmijës që t’i largojë ose t’i hedhë gjërat e pista. (sh.p.)
[16] Buhariu (1419), Muslimi (1069).
[17] El-Ijal, Ibën Ebi Dunja (272).
[18] Tarih Dimeshk, Ibën Asakir (59/65).
[19] Tedhkiretul aba ue teslijetul ebna, Ibën El-Adim (fq. 30).
[20] Buhariu (4970).
[21] En-Nefekatu ala El-Ijal, Ibën Ebi Dunja (147).
[22] Ebu Davudi (4833), Tirmidhiu (2378), hadithi është edhe në Es-Sahiha (927)
[23] Muslimi (2472).
[24] Buhariu (2451), Muslimi (2031).
[25] Muslimi (2999).
Dr. Muhamed Salih el-Munexhid
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”