4b1bc3e9-9366-4670-9391-1f53129a3d92

NIKAHU (MARTESA) DHE DISPOZITAT E TIJ

  1. Nikahu (martesa) është natyrshmëri njerëzore dhe domosdoshmëri jetësore. Është shkak për banimin e Tokës, për ruajtjen e nderit me hallall dhe mbrojtjen e tij nga harami, është parambrojë nga sprovat dhe nëpërmjet tij arrihet deri te fëmija. Është traditë nga traditat e pejgamberëve dhe udhëzim i tyre dhe për në të nxiti sheriati.

Allahu thotë: “Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe i mohojnë dhuntitë e Allahut.” (En-Nahl: 72)

Dhe thotë: “Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës…” (Er-Rad: 38)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “…unë agjëroj dhe ha, natën fali namaz, fle dhe martohem. Kush largohet nga suneti (tradita) im, nuk është prej meje.”[1]

Në një hadith tjetër: “O ju të rinj! Kush ka mundësi le të martohet, sepse martesa e ruan syrin dhe e mbron epshin (nderin). Ai që nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë për të.”[2]

  1. Martesa është shenjë nga shenjat e Allahut që aludojnë në madhërinë dhe fuqinë e Tij, në krijimtarinë e Tij të bukur, në gjerësinë e mëshirës së Tij dhe në përkujdesjen për robërit e Tij.

Allahu thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Er-Rum: 21)

Allahu e krijoi gruan që burri të gjejë qetësi pranë saj, të pushojë zemra e tij pranë saj, të fluturojë shpirti i tij për takimin e saj, të gëzohet me pamjen e saj, të ndiejë qetësi kur të shkojë në shtëpi dhe t’i mjaftojë ajo që ta ruajë nderin e tij. Prandaj, shtëpia bashkëshortore në gjuhën arabe quhet “sekenen” ose “meskenen” (që d.m.th. pushim dhe qetësim – sh.p. – ). Në mes bashkëshortëve Allahu vuri dashuri dhe mëshirë dhe nuk ka afërsi më të madhe bashkëshortore sesa afërsia në mes burrit dhe gruas së tij.

  1. Martesa është marrëveshje dhe besëlidhje, bashkëjetesë me sjellje të mirë, përkujdesje për ndjenjat, largim për brengat, respekt i ndërsjellë, autoritet i burrit mbi gruan, mëshirë për gruan dhe formim i një familjeje të re mbi parime fetare.
  2. Me ardhjen e Islamit, u shfuqizuan format e parregullta të nikahut të përhapura në kohën para Islamit dhe mbeti forma e nikahut të ligjshëm. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tha: “Kur Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u dërgua me të vërtetën (me shpalljen), i prishi të gjitha format e nikahut që bëheshin para Islamit, përveç formës së nikahut që sot e bëjnë njerëzit.”[3]
  3. Martesa është shenjë nga shenjat e Allahut. Dëshirën për martesë e bëri të jetë pjesë në natyrshmërinë e të gjitha krijesave. Në mesin e tyre njeriun e nderoi duke e përkufizuar martesën e tij me kritere, dispozita dhe rregulla. Po ashtu e bëri adhurim dhe vepër të mirë që nëpërmjet saj i afrohet Allahut.
  4. Nikahu në esencë është ‘mubah’ (i lejuar, legjitim) dhe dispozita e tij ndryshon me ndryshimin e gjendjeve të njeriut: për atë që ka epsh, por e ruan veten të mos bjerë në imoralitet, martesa pëlqehet; për atë që ka mundësi të martohet dhe frikohet se po bie në imoralitet, martesa obligohet; për atë që frikohet të bëjë padrejtësi, të bëjë ndonjë dëm dhe mangësi, sikurse të jetë i paaftë të shpenzojë për gruan, ose të sillet keq me të dhe të ngjashme me to, martesa urrehet për këtë njeri.
  5. Nëse burri dëshiron të martohet është mirë të mos ngutet në zgjedhjen e gruas. Ai për grua pëlqehet që ta martojë atë që ka fe, moral dhe ndershmëri, që është e dashur dhe që lind fëmijë, të jetë beqare dhe e bukur, nga familje e mirë dhe me prejardhje fisnike.

Sa më shumë veti nga këto të lartpërmendurat t’i posedojë një grua, aq më shumë i shtohet vlera asaj.

Allahu thotë: “Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu…” (En-Nisa: 34)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Martoje atë që ka fe, të lumshin duart.”[4]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dynjaja është kënaqësi dhe kënaqësia më e mirë e dynjasë është gruaja e ndershme.”[5]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Martoni ato gra që janë të dashura dhe që lindin shumë fëmijë, sepse unë do të krenohem me ju para umeteve të tjera në Ditën e Kiametit.”[6]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur u martua me të vejë: “Pse nuk u martove me beqare, të lozësh me të dhe ajo të lozë me ty?!”[7]

Martesa me beqare në përgjithësi më shumë e afron dashurinë, e forcon afërsinë dhe lidhjen në mes bashkëshortëve, por mund të zgjedhë edhe një të vejë, nëse ajo i përshtatet gjendjes së njeriut, siç veproi Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili u martua me të vejë, që ajo të përkujdesej për motrat e tij.

Kur u pyet Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se cila grua është më e mirë, tha: “Ajo grua që e gëzon burrin e vet kur ai e shikon, e respekton atë kur ai e urdhëron dhe që nuk vepron diçka që ai e urren, në lidhje me nderin e saj dhe pasurinë e tij.”[8]

  1. Përgjegjësi i vajzës e ka për detyrë që atë ta martojë me burrë që posedon fe dhe moral si dhe t’ia lehtësojë asaj martesën e jo t’ia komplikojë atë.

Allahu thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nur: 32)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nëse ju vjen ndokush që ka fe dhe moral t’jua kërkojë vajzën për martesë, martojeni, e nëse jo, atëherë në Tokë do të ndodhin sprova dhe çrregullime të mëdha.”[9]

  1. Të përpiqesh që t’i martosh të drejtët dhe të drejtat dhe të bashkosh një burrë me një grua, është vepër e mirë madhështore që shpërblehet shumë. Ky është bashkëpunim për në bamirësi dhe devotshmëri, argument për mirësi, ndërmjetësim i mirë, hapje e dyerve të virtytshmërisë dhe mbyllje e dyerve të sprovave. Myslimanëve u bën dobi dhe shpirtrave të tyre u jep gëzim e lumturi.
  2. Obligim dhe përgjegjësi e kanë të gjithë, që nëpërmjet mjeteve morale dhe materiale të mundshme, t’u ndihmojnë të rinjve që të themelojnë familje myslimane. Kjo mund të bëhet duke i nxitur për martesë, duke i udhëzuar për te të drejtët dhe të drejtat, duke i bashkuar të rinjtë me të rejat që dëshirojnë martesë, duke ua larguar çdo pengesë, duke u dhënë të holla për martesë atyre që kanë nevojë, duke i nxitur bujarët dhe fisnikët nga pasanikët që të shpenzojnë për martesën e të rinjve, derisa të bëhemi nga ata që Allahu thotë: “ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira…” (El-Muminun: 61)
  3. Nuk ka pengesë nëse prindi ia ofron vajzën e tij për martesë një djali të ndershëm, kjo nuk llogaritet e metë, turp, nënçmim për veten ose për vajzën, siç mendojnë disa njerëz. Neve Kurani na rrëfen për një burrë të ndershëm që jetonte në qytetin e Medjenit dhe kur e pa Musain, alejhi selam, se kishte fe dhe ndershmëri ia ofroi vajzën e tij për martesë: “O babai im, – tha njëra nga ato të dyja, – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund t’i marrë në shërbim”. Plaku tha: “Unë dua të ta jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.” (El-Kasas: 26-27)

Omer ibën El-Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, vajzën e tij Hafsën ia ofroi për martesë Othmanit dhe më pas Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, por në fund atë e martoi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.[10]

  1. Feja e merr në konsideratë përshtatshmërinë në mes burrit dhe gruas në nikah dhe për këtë dijetarët janë të një mendimi. Prindi, nëse e marton vajzën e ndershme për një mëkatar, nikahu i tyre është në rregull, ndërsa gruaja e ka të drejtën që të zgjedhë, të qëndrojë ose ta kërkojë prishjen e nikahut.

Kurse për sa u përket gjërave që nuk ndërlidhen me fe, dijetarët nuk janë të një mendimi, mirëpo pëlqehet që përgjegjësi i vajzës ta marrë në konsideratë përshtatshmërinë edhe në gjëra të tjera që e ndihmojnë burrin dhe gruan të përshtaten sa më mirë me njëri-tjetrin dhe ta vazhdojnë jetën bashkëshortore.

  1. Është e ndaluar që vajza të pengohet të martohet me atë që përshtatet. Nëse vajza ka dëshirë që të martohet me dikë që përshtaten dhe përgjegjësi nuk e marton, atëherë bie e drejta e përgjegjësit që ta martojë me dikë tjetër. Allahu thotë: “…mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre, nëse merren vesh me të mirë.” (El-Bekare: 232)
  2. Është e ndaluar që vajza të detyrohet të martohet për atë që ajo nuk e pëlqen. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk martohet beqarja derisa t’i merret leje.” – I thanë: “O i Dërguari i Allahut! E si është leja e saj?” U përgjigj: “Heshtja e saj.”[11]
  3. Nuk i takon asnjërit nga të dy prindërit, që fëmijën e tyre ta detyrojë të martohet me një grua që atij nuk i pëlqen. Nëse fëmija në këtë rast nuk e respekton vullnetin e prindërve, nuk llogaritet mosrespektues i tyre. “Nëse nuk e ka atë të drejtë askush që dikë tjetër ta detyrojë të hajë diçka që prej saj ndien neveri, duke qenë mundësia për të ngrënë diçka tjetër që e ngop dhe e dëshiron vetja e tij, e njëjta vlen edhe te nikahu madje edhe më shumë. Kur ndonjëri ha diçka që e urren, shija e hidhur atij ushqimi ndihet vetëm për disa orë dhe më pas largohet, ndërsa shoqërimi i padëshiruar dhe maltretimi në mes bashkëshortëve ndihet për një kohë të gjatë dhe ky maltretim nuk mund të largohet.”[12]
  4. Kushdo që dëshiron të fejojë një vajzë, lejohet që të shikojë në ato pjesë të trupit të vajzës që në përgjithësi shfaqen prej saj, si: fytyra, shputat e duarve dhe shputat e këmbëve. Shikimi duhet të jetë me qëllim fejese dhe jo të vetmuar ata dy, por në prezencë të mahremit. Po ashtu edhe vajza e ka të drejtën të shikojë në djalin që dëshiron të martohet për të.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur ndonjëri nga ju dëshiron që të fejojë një vajzë, nëse mund të shohë atë çfarë e nxit për martesën e saj, le ta shohë.”[13]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur u fejua Mugire ibën Shu’be, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha: “Shihe atë, sepse kjo ju afron dhe jua shton dashurinë.”[14]

  1. Ta shohësh një vajzë për fejesë lejohet vetëm nëse plotësohen katër kushte:

Kushti i parë: Të jesh i vendosur për fejesë.

Kushti i dytë: Nuk lejohet të vetmohesh me të, duhet të jetë prezent edhe mahremi.

Kushti i tretë: Të sigurohesh nga fitneja.

Kushti i katërt: Të shohësh tek ajo vetëm atë që ajo e shfaq në përgjithësi para prindit të saj, vëllait të saj dhe të ngjashmit me ta. Më tepër se kjo nuk lejohet.

  1. Nuk lejohet të fejohet një grua që është e fejuar me dikë tjetër. Kush kërkon të fejohet me një grua dhe ajo pranon, të tjerëve u ndalohet që ta fejojnë atë, përveç atëherë kur prishet fejesa ose i pari ia jep lejen tjetrit.[15] Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk fejohet një grua që është e fejuar me dikë tjetër, derisa të prishet fejesa ose t’ia japë lejen i fejuari i parë tjetrit.”[16]
  2. Kusht për saktësinë e nikahut është përcaktimi i identitetit të bashkëshortëve, pëlqimi i tyre që të martohen me njëri-tjetrin, veliu (përgjegjësi i vajzës), dy dëshmitarë të drejtë, të mos kenë burri dhe gruaja pengesa që e ndalojnë fejesën, si: ideti (koha e caktuar e pritjes pasi që të divorcohet), ihrami (d.m.th. janë në ihram, qoftë në umre apo haxh) etj.
  3. Nikahu nuk është i saktë pa pëlqimin e veliut (përgjegjësi i vajzës), dhe prezencën e dy dëshmitarëve të drejtë. Gruaja nuk e ka atë të drejtë që ta martojë veten dhe as që ta martojë dikë tjetër, e nëse ajo e marton veten ose e marton dikë, nikahu i saj nuk pranohet.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ka martesë pa pëlqimin e veliut dhe pa dëshminë e dy dëshmitarëve të drejtë.”[17]

Po ashtu Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo grua që martohet pa lejen e veliut (përgjegjësit), nikahu i saj është i kotë, nikahu i saj është i kotë, nikahu i saj është i kotë.”[18]

  1. Martesa pëlqehet që të publikohet dhe njerëzit të njoftohen. Për ta publikuar martesën lejohet që gratë t’i bien defit (kjo është e veçantë për gratë, ndërsa burrat nuk lejohet t’i bien defit), dhe të këndojnë me fjalë të zakonta për dasma, jo me fjalë që nxitet për në haram dhe lavdërohet harami. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Publikojeni martesën.”[19]

Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dallimi në mes hallallit dhe haramit në nikah është rënia e defit dhe publikimi i martesës.”[20]

  1. Për gruan që martohet Islami e caktoi t’i jepet ‘mehri’ (dhurata e kurorëzimit). Mehri është një nga dukuritë e fisnikërisë dhe nderit që Islami ia bëri gruas. Mehri është e drejta e saj që ajo e meriton plotësisht me kryerjen e aktnikahut.

Pëlqehet që sasia e mehrit të përcaktohet gjatë kryerjes së aktnikahut.

Allahu thotë: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit…” (En-Nisa: 4)

Mehri (dhurata e kurorëzimit) është quajtur me emrin ‘sadak’[21] për shkak të fuqisë së tij, për shkak se është hak që patjetër duhet t’i jepet gruas dhe për shkak se e shpalos dëshirën e sinqertë të atij që e jep në martesë, gjë që është bazë në detyrimin e mehrit.[22]

  1. Esenca e mehrit është që të jepet në pasuri, si: ari dhe para, ose në kapital, ose në diçka që ka vlerë materiale dhe burri ia dhuron gruas si p.sh. t’i bëjë burri ndonjë shërbim ose dobi, sikurse t’ia mësojë Kuranin ose ta dërgojë në haxh. Mehri mund të jetë i menjëhershëm ose i vonshëm.

Lejohet që gruaja për mehër të kërkojë diçka tjetër nga ajo që u përmend më lart, si: të kërkojë që burri ta pranojë Islamin (nëse gruaja është myslimane dhe burri që e kërkon nuk është mysliman -sh.p-), ose të kërkojë që burri të kërkojë dije, ose ta mësojë Kuranin përmendsh tërësisht ose pjesërisht, e të ngjashme me to.

“Mehri në esencë është bërë i ligjshëm si e drejtë e gruas që ajo të përfitojë prej tij. Nëse ajo për mehër dëshiron që burri i saj të kërkojë dije, të kapet për fe, ta pranojë Islamin dhe ta lexojë Kuranin, lejohet dhe ky është mehri më i vlefshëm, më i dobishëm dhe më i miri.”[23]

  1. Islami nxiti që mehri të jetë sa më i lehtë dhe sa më i vogël. Kjo është më e bereqetshme dhe ndjekje e rrugës së Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

Në një hadith ceket: “Mehri më i mirë është ai më i lehti”, me një transmetim tjetër: “Martesa më e mirë është ajo më e lehta (në shpenzime).”[24]

Me një hadith tjetër: “Nga bereqeti i gruas është: lehtësimi i fejesës, lehtësimi i mehrit dhe lehtësimi i mbetjes shtatzënë dhe lindjes së fëmijëve.”[25]

  1. Pëlqehet të bëhet dasmë, qoftë edhe me një dele, që të publikohet martesa. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e porositi Abdurrahman ibën Aufit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, duke i thënë: “Bëj dasmë, qoftë edhe me therjen e një deleje!”[26]

Nuk ka pengesë që myslimani gostinë e dasmës ta bëjë natën e dhëndërisë ose edhe para, ose kur ta bëjë aktnikahun ose edhe para. Çështja është e tillë që në të ka hapësirë të veprohet gjerësisht, edhe pse më e mira është që të veprohet sipas traditës së vendit ku jeton.

  1. Përgjigjja e ftesës dhe prezenca në dasmë është detyrim. Kush nuk dëshiron për të ngrënë ushqim, bën dua për vëllanë mysliman dhe largohet nga dasma.

Kush ftohet në dasmë dhe në të ka mëkate, si: alkool, dhe ka mundësi ta largojë të keqen prej aty, pa probleme dhe çrregullime, e ka për detyrë të shkojë dhe ta largojë të keqen, e nëse nuk ka mundësi, atëherë nuk prezenton në dasmë.

E nëse nuk ka dijeni se në dasmë ka mëkate dhe këtë e kupton vetëm pasi të arrijë në vend, e ka për detyrë ta largojë mëkatin, nëse mundet e nëse jo, atëherë largohet prej aty.

  1. Pëlqehet për të porsamartuarit të bëhet dua, duke thënë: “Allahu ju bekoftë ju dhe pasardhësit tuaj, si dhe ju bashkoftë ju të dy në të mirë.”[27]
  2. Pëlqehet që burri natën e dhëndërisë të jetë xhentil me gruan e vet, t’i japë diçka për të pirë dhe të ngjashme me të dhe ta vendosë dorën e tij në ballin e saj dhe të lutet: “O Allahu im, kërkoj nga Ti të më dhurosh të mirën e saj dhe të mirën që e ke bërë natyrë të saj. Dhe kërkoj mbrojtje te Ti nga sherri i saj dhe nga sherri që e ke bërë natyrë të saj.”[28]

Nëse pastaj i falin bashkërisht dy rekate, nuk ka pengesë, sepse përcillet nga disa të parët tanë të mirë që kanë vepruar kësisoji.

Kur t’i afrohet gruas për marrëdhënie intime thotë: “Me emrin e Allahut, o Allahu im, na e largo djallin prej neve dhe prej asaj që do të na furnizosh me të.”[29]

Myslimani, kur t’i afrohet gruas për marrëdhënie, llogarit në shpërblimin e Allahut dhe e bën nijetin që gruas t’ia japë hakun e saj, ta mbrojë nderin e saj dhe të tij, ta shtojë afërsinë me të, të kërkojë fëmijë të ndershëm dhe të synojë të mira të tjera të ngjashme me to.

  1. Lejohet burri që t’i afrohet bashkëshortes së vet si të dëshirojë, natën ose ditën, përveç gjatë menstruacioneve dhe lehonisë si dhe ndalohen marrëdhëniet në anus.
  2. Nuk ka pengesë për bashkëshortët që të lahen bashkërisht në një vend dhe me një enë.
  3. Ndalohet që burri dhe gruaja t’i shpalosin fshehtësitë e tyre të shtratit. Ato janë amanet i madh dhe ata të dy duhet të përkujdesen që ato t’i ruajnë për vete.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Njeriu me pozitë më të keqe në Ditën e Kiametit tek Allahu është ai burrë që i afrohet gruas së vet dhe ajo i afrohet atij, e pastaj i shpalosin fshehtësitë e tyre.”[30]

  1. Islami nxiti dhe e vërtetoi mirësinë e sjelljes së mirë me gruan. Po ashtu Allahu i nxiti burrat që ta shtojnë kujdesin dhe sjelljen e mirë me gratë.

Allahu thotë: “Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (En-Nisa: 19) Dhe po ashtu thotë: “…gruaja të mbahet me të mirë…” (El-Bekare: 229)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ju porosis të silleni mirë me gratë tuaja.”[31]

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Më i mirë ndër ju është ai që është më i mirë me familjen e tij, ndërsa unë jam më i miri në mesin tuaj me familjen time.”[32]

Sjellja e mirë me gruan e përfshin sjelljen e mirë me fjalë dhe me vepra, duke filluar nga shoqërimi i mirë, shprehja e ndjenjave me fjalë dhe me dhurata, paraqitja e dashurisë dhe respektit, të qenët xhentil dhe mik i mirë me të, mosdëmtimi i saj, të qenët bamirës me të, sjellja e mirë, butësia, përkujdesja për ndjenjat e saj, ngushëllimi i saj, durimi gjatë gabimeve të saj, futja e gëzimit në shpirtin e saj, zbukurimi për të, dhënia e të drejtave të saj me tolerancë dhe lehtësime jo me kokëfortësi dhe vështirësi.

Në sjelljen e mirë përfshihet edhe shpenzimi dhe veshmbathja dhe të ngjashmet me to. Edhe gruaja detyrohet të sillet mirë me burrin e saj, ajo ka të drejta ndaj tij sikurse ai që ka të drejta ndaj saj, në të njëjtën kohë dhe vend, dhe ato dallojnë me ndryshimin e gjendjeve.

Allahu thotë: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato.” (El-Bekare: 228)

Disa komentues të Kuranit thanë: “Ajo një shkallë (e përgjegjësisë), që burrat e kanë mbi gratë është epërsia e tij karshi saj, realizimi i të gjitha obligimeve që i ka ai ndaj gruas së vet dhe toleranca e tij me gruan në obligimet e saj, që i ka ndaj tij ose në disa nga to.”[33]

Kjo shkallë është një tregues që e nxit burrin të sillet mirë me gruan, të jetë më zemërgjerë me gruan në pasuri dhe moral, dhe më e mira për të do të ishte që të përpiqet përtej mundësive.”[34]

Prandaj, përcillet për Ibën Abasin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të ketë thënë: “Nuk dua që ta marrë gjithë hakun tim që gruaja e ka ndaj meje, sepse Allahu thotë: “…ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato.” (El-Bekare: 228)[35]

  1. Allahu e urdhëroi burrin të sillet mirë me gruan e tij në të dy gjendjet, kur e mban dhe kur e ndan, dhe thotë: “…i mbani ato si ka hije ose ndahuni me to në mënyrë të pëlqyeshme…” (Et-Talak: 2)

D.m.th. mbani ato si i ka hije dhe me shoqërim të mirë, e jo në atë mënyrë që t’i dëmtoni, t’ju bëni keq dhe t’i pengoni ato. Mbajtja e tillë nuk lejohet.

Nëse ndaheni me to, ndahuni në mënyrë të pëlqyeshme, d.m.th. ndarje pa rrezik dhe frikë, pa sharje dhe armiqësi, pa e përdorur dhunën dhe fuqinë për të marrë diçka nga pasuria e saj.[36]

Allahu thotë: “Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!” (El-Bekare: 237)

  1. Gruaja ka detyrime ndaj burrit të saj: respektimin e udhëheqësisë së tij, respektimin e tij me mirësi, t’i përgjigjet nevojës së burrit për në shtrat, të zbukurohet në suaza të së lejuarës, të jetë bashkëshorte e mirë, ta ruajë nderin dhe pasurinë e tij, të mos agjërojë nafile pa lejen e tij, të mos e futë askënd në shtëpi pa lejen e tij, t’i shërbejë, ta falënderojë dhe jo t’i mohojë të mirat e tij që i vepron për të, të jetë e kënaqur me atë që e posedon dhe të mos e ngarkojë me shpenzime.
  2. Burri po ashtu ka detyrime ndaj gruas së tij: respektimin e kushteve që i kanë vendosur në mes tyre gjatë aktnikahut, shpenzimi për të, dhënia e hakut të shtratit dhe ruajtja e nderit të saj, sjellja e mirë, urdhërimi i saj t’i respektojë kufijtë e Allahut, mbajtja e drejtësisë në mes grave për atë që ka më shumë se një grua, t’ia respektojë marrëveshjen asaj dhe të mos e harrojë mirësinë e saj, të mos i shpalosë fshehtësitë e saj, të durojë dhe t’i mbyllë sytë përballë disa gabimeve të saj.
  3. Të krijosh familje të lumtur duhet që ajo të ndërtohet mbi dashuri dhe mëshirë, kurse me dije ajo zhvillohet shëndoshë. Faktor tjetër që e zhvillon familjen është studimi i jetës së Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me anëtarët e familjes së tij dhe zbatimi i atyre mësimeve në realitet në jetën bashkëshortore.

Pejgamberi ynë, Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte ai që tha: “Më i miri ndër ju është ai që është më i mirë me familjen e tij, ndërsa unë jam më i miri në mesin tuaj me familjen time.”[37]

“O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

 

E lusim Allahun të na japë lumturi, neve dhe të gjithë myslimanëve në dynja dhe ahiret dhe të na japë mbarësi ta veprojmë atë që Ai e do dhe Atë e kënaq.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

[1] Buhariu (5063), Muslimi (1401).

[2] Buhariu (1905), Muslimi (1400).

[3] Buhariu (5127).

[4] Buhariu (5090), Muslimi (1466).

[5] Muslimi (1467).

[6] Ebu Davudi (2050), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[7] Buhariu (5247), Muslimi (715).

[8] Nesaiu (3231), imam Ahmedi (7421), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[9] Tirmidhiu (1085), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

[10] Shih: Sahih El-Buharij (4005).

[11] Buhariu (5136), Muslimi (1419).

[12] Mexhmual Fetava (32/30).

[13] Ebu Davudi (2082), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[14] Tirmidhiu (1087), Nesaiu (3235), Ibën Maxhe (1866), shejh Albani e saktësoi.

[15] D.m.th. ai që do të fejohet shkon tek i fejuari i parë dhe i thotë: Më ka ardhur lajmi që e ke fejuar filanen, shpresoj prej teje që ta lësh këtë fejesë dhe ta martoj unë. (Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë.) https://islamqa.info/ar/101117 (sh.p)

[16] Buhariu (5142), Muslimi (1408).

[17] Ibën Hibani (4075), hadithi gjendet në Sahih El-Xhami’ (7557), baza e hadithit gjendet në Sunenët.

[18] Ebu Davudi (2083), Tirmidhiu (1102), shejh Albani hadithi e saktësoi.

[19] Imam Ahmedi (16130), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në Sahih El-Xhami’ (1072).

[20] Tirmidhiu (1088), Nesaiu (3369), Ibën Maxhe (1896), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[21] ‘Sadak’ do të thotë prikë, pagesë (e dhëndrit për nusen), sinqeritet, fortësi etj. (sh.p)

[22] Shih: Mugnij El-Muhtaxh, Hatib Esh-Sherbinij (4/366).

[23] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (5/162).

[24] Ebu Davudi (2117), El-Hakimi (2742), shejh Albani e saktësoi.

[25] Imam Ahmedi (24478), Ibën Hibani (4095), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në Sahih El-Xhami’ (2235).

[26] Buhariu (6386), Muslimi (1427).

[27] Shih: “Mburoja e Muslimanit” – te kaptina ‘Duaja për të porsamartuarit’ – e përkthyer në shqip (sh.p.)

[28] Shih: “Mburoja e Muslimanit” – te kaptina ‘Duaja gjatë martesës dhe blerjes së kafshës’ – e përkthyer në shqip (sh.p.)

[29] Shih: “Mburoja e Muslimanit” – te kaptina ‘Duaja para se t’i afrohesh bashkëshortes’ – e përkthyer në shqip (sh.p.)

[30] Muslimi (1437).

[31] Buhariu (5186), Muslimi (1468).

[32] Tirmidhiu (3895), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[33] Shih: Tefsir Et-Taberij (4/122, 123).

[34] Shih: El-Muharer El-Vexhiz, Ibën Atije (1/306).

[35] Shih: Tefsir Et-Taberij (4/123).

[36] Shih: Tefsir Es-Sadij (fq.869).

[37] Tirmidhiu (3795), shejh Albani hadithin e saktësoi.

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”