eklips

EKLIPSI I DIELLIT DHE EKLIPSI I HËNËS

  1. Me eklips të Diellit (në gjuhën arabe el-kusuf) dhe me eklips të Hënës (në gjuhën arabe el-husuf) nënkuptojmë humbjen e shkëlqimit të Diellit ose të dritës së Hënës, plotësisht ose pjesërisht, dhe errësimin e tyre.

Fjalët “el-kusuf” dhe “el-husuf” janë sinonime, fjalë me kuptim të njëjtë, që aludojnë në errësim dhe eklips.

Në Kuran është përmendur fjala “el-husuf” ku Allahu thotë: “Por, kur sytë t’i verbohen dhe të zihet Hëna.” (El-Kijame: 7-8)

Disa thonë që më gramatikore dhe më e drejtë është të përdoret termi “el-kusuf” për zënien e Diellit, ndërsa “el-husuf” për zënien e Hënës. Me këtë mendim më së tepërmi dallohen fukahatë (juristët islamë).

Të tjerët thanë që “el-kusuf” përdoret kur dielli ose hëna e humbin shkëlqimin dhe dritën pjesërisht, ndërsa “el-husuf” përdoret kur Dielli ose Hëna e humbin shkëlqimin dhe dritën plotësisht.[1]

  1. Eklipsi i Diellit dhe eklipsi i Hënës, Dielli dhe Hëna, nata dhe dita, furtunat dhe vërshimet, retë dhe era, të nxehtët dhe të ftohtët, yjet dhe orbita, tërmetet dhe vullkanet, këto të gjitha janë shenja nga shenjat e Allahut të Madhëruar që aludojnë në njëshmërinë e Tij, në të besuarit në një Zot të vetëm dhe në veprimtarinë e Tij, përjetshmërinë e Tij dhe se Ai është Mbajtësi i gjithçkaje me fuqinë e madhe të Tij, me sundimin dhe drejtimin e përsosur të Tij, në të merituarit e adhurimit vetëm të Tij, të Cilit nuk i përshkruhet ortak dhe se nuk i takon adhurimi askujt tjetër me të drejtë përveç Atij, dhe të gjitha krijesat kanë nevojë për Të, i binden dhe i përulen Atij. Natyra në gjithë këtë nuk ka ndikim, as fuqi dhe çfarëdo që na godet nuk ka mundur të mos na godiste dhe çfarëdo që nuk na ka goditur as që ka mundur të na godiste.

Allahu në disa ajete thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” (Ali Imran: 190)

“Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë?” (Edh-Dharijat: 20-21)

“A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu, duke menduar se mund t’u jetë afruar fundi?! Në çfarë Shpallje tjetër do të besojnë pas kësaj?!” (El-Earaf: 185)

“Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as në qiej, as në Tokë. Ai është vërtet i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” (Fatir: 44.)

  1. Zënia e Diellit dhe zënia e Hënës janë nga shenjat e Allahut që na e kujtojnë Ditën e Kiametit dhe vështirësitë e ahiretit, ashtu siç Allahu thotë: “Por, kur sytë t’i verbohen dhe të zihet Hëna, dhe Dielli e Hëna të bashkohen, atë ditë njeriu do të thotë: “Ku të iki?” ” (El-Kijame: 7-10)

Allahu në Ditën e Kiametit do t’i bashkojë Diellin me Hënën, do të zihen, errësohen dhe do ta humbin shkëlqimin. Hëna do të zihet e do ta humbë dritën e saj, dielli do të mblidhet e do ta humbë shkëlqimin e tij, e më pas do të hidhen në zjarr, ashtu siç Allahu thotë: “Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin;…” (Et-Tekuir: 1)

  1. Dielli dhe hëna janë dy shenja të mëdha nga shenjat e Allahut. Ato janë nga dhuntitë e Allahut dhe janë burim i jetesës së shumë gjallesave, gjë që e bën të detyruar falënderimin e vazhdueshëm të Allahut, ashtu siç Allahu thotë: “Ai e ka bërë Diellin burim drite, kurse Hënën e ka bërë të shkëlqejë, duke ia caktuar asaj fazat, që ju ta dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës. Allahu i krijoi këto vetëm me të vërtetën. Ai ua shpjegon shenjat e Tij njerëzve që kuptojnë.” (Junus: 5)

“…e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën.” (Ibrahim: 33)

Në eklipsin e Diellit dhe në eklipsin e Hënës ka paralajmërim dhe kujtim se kjo dhunti ka mundësi të humbet. Eklipsi ua kujton krijesave varfërinë e tyre të madhe për Allahun dhe panevojshmërinë e plotë të Allahut për krijesat, ngase Ai është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim, por edhe në të gjitha nevojat, gjendjet dhe gjërat e patjetërsueshme, krijesat të gjitha Atë e synojnë. Kjo e detyron frikërespektin e robërve për Zotin e tyre dhe frikën nga zbritja e ndëshkimit të Tij si dhe kthimin e robërve kah Allahu me nënshtrim, pendim dhe kërkimfalje.

  1. Zënia e Diellit dhe zënia e Hënës ndodhin si rezultat i shkaqeve të dukshme që perceptohen dhe urtësive hyjnore. Këto të dyja nuk bien ndesh njëra me tjetrën dhe nuk ka kundërshtim në mes vete. Myslimani i mençur dhe me zemër të gjallë nuk ngatërron mes tyre. Ai nuk angazhohet vetëm se me shkakun material duke e braktisur urtësinë hyjnore, sikurse që veprojnë ateistët materialistë, që nuk besojnë në Allahun dhe që merren vetëm me shkaqet, e braktisin meditimin dhe përsiatjen në madhështinë e Allahut dhe urtësinë e Tij, ashtu siç Allahu thotë: “Ata e dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm.” (Er-Rum: 7); dhe po ashtu thotë: “Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin!” (Jusuf: 105)
  2. Nga urtësitë e ndodhjes së eklipsit të Diellit dhe të Hënës është se ato janë shenja që Allahu i dërgon për t’i frikësuar njerëzit që ata të pendohen e t’i kthehen Atij. Allahu thotë: “Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit.” (El-Isra: 59.)

Katade, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i frikëson njerëzit me çfarëdo nga shenjat e Tij, kështu që ata të qortohen, apo të rikujtohen, apo t’i kthehen me pendim Allahut.”[2]

Allahu thotë. “Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!” (El-Enam: 65)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, thotë. “Dielli dhe Hëna nuk zihen për shkak të vdekjes ose të lindjes së ndokujt, por ato janë shenja të Allahut që me to i frikëson robërit e Tij.”[3]

  1. Në periudhën para Islamit, arabët besonin se yjet kanë ndikim në ndodhitë dhe ndryshimet e gjendjes së tokës. Ata besonin se zënia e Diellit vjen shkaku i ndonjë ndryshimi në tokë, si vdekja e ndonjë njeriu të madh, ose shkaku që ka ndodhur ndonjë dëm e të ngjashme me to. Kur ndodhi zënia e Diellit në kohën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, po atë ditë ndërroi jetë i biri i tij, Ibrahimi dhe njerëzit thanë: zënia e Diellit u bë shkaku i vdekjes së Ibrahimit!

Atëherë Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha. “Dielli dhe Hëna janë dy shenja nga shenjat e Allahut, ata nuk zihen për shkak të vdekjes ose të lindjes së ndokujt, e nëse e shihni zënien e tyre, lutjuni Allahut dhe falni namaz derisa sërish të qartësohen.”[4]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i mësoi që kjo bindje është e kotë dhe që dielli dhe hëna janë krijesa që i nënshtrohen Allahut, ato nuk kanë pushtet te krijesat e tjera e as fuqi që ta mbrojnë veten, por ata zihen me fuqinë e Allahut dhe me urdhrin e Tij, sepse janë shenja nga shenjat e Allahut.[5]

  1. Sipas dijetarëve të astronomisë dhe të fizikës, eklipsi i Diellit ndodh kur Hëna vjen midis Diellit dhe Tokës, ndërhyn mes tyre, me ç’rast i pengon rrezet e diellit dhe shkëlqimin e tij prej tokës, tërësisht ose pjesërisht.

Ndërsa eklipsi i Hënës ndodh kur toka vjen midis Diellit dhe Hënës, ndërhyn mes tyre, me ç’rast Hëna e humb dritën e saj, plotësisht ose pjesërisht, sepse burimi i dritës së saj është Dielli, e me ndërhyrjen e Tokës mes tyre drita nuk depërton deri tek ajo, pjesërisht ose tërësisht.

Këto shkaqe nuk e mohojnë faktin se eklipsi i Diellit dhe eklipsi i Hënës janë shenja të Allahut për t’i frikësuar me to njerëzit.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tërmetet janë shenjë që me të Allahu i frikëson robërit e Tij, ashtu siç i frikëson me eklips dhe me shenja të tjera. Ndodhitë kanë shkaqe dhe urtësi, dhe vetë fakti se tërmetet janë shenja që me të Allahu i frikëson njerëzit, është një nga urtësitë e ndodhjes së tërmeteve.”[6]

Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Fakti që eklipsi është shenjë që mund të dihet me llogari dhe prognozë, kjo nuk mund ta mohojë realitetin se ato janë edhe frikësim dhe paralajmërim për njerëzit. Allahu shenjat i krijon si të dojë dhe shkaqet e saj i rregullon si të dojë. Dielli që lind dhe perëndon në kohë të caktuar, po ashtu hëna dhe yjet, të gjitha këto janë shenja nga shenjat e Allahut të Madhëruar. Fakti që Allahu shenjave u krijoi shkaqe dhe nëpërmjet tyre e njohin zënien e Hënës, siç e përmendin dijetarët e astronomisë, nuk e mohon realitetin se ato janë frikësim dhe paralajmërim nga Allahu për njerëzit. Shenjat e dukshme, si: Dielli, Hëna, yjet, të nxehtët dhe të ftohtët, të gjitha janë që frikësojnë dhe paralajmërojnë nga të bërit mëkat Allahut duke i mohuar këto begati. Prandaj, duhet të jenë të kujdesshëm, t’ia kenë frikën Allahut dhe t’i përulen Atij derisa të përqendrohen në atë që Allahu e urdhëroi dhe ta braktisin atë që Allahu ua ndaloi.”[7]

  1. Edhe eklipsi i Diellit edhe eklipsi i Hënës i kanë kohët e veta të caktuara. Allahu e bëri rregull që eklipsi i Diellit të ndodhë në kohën e fshehjes së hënës, kurse eklipsi i Hënës të ndodhë kur hëna del e plotë[8]:

Eklipsi i Diellit nuk ndodh vetëm se në fund të muajit hixhri (ditën e 28-të ose të 29-të, kur muaji është i mangët, ose ditën e 29-të ose të 30-të, kur muaji është i plotë).

Eklipsi i Hënës nuk ndodh vetëm se në netët kur del hëna e plotë, në netët e bardha (natën e 13-të, 14-të ose 15-të).

  1. Nuk ka gjë nëse ndodhinë e eklipsit të Diellit, eklipsit të Hënës, tërmetit dhe të tjerave, e ndërlidh me shkaqet e tij, sikurse të thuhet shkak për ndodhjen e eklipsit të Diellit është kjo dhe kjo, e tërmetit ka qenë kjo dhe kjo, mirëpo, njëkohësisht duhet pasur kujdes që të mos harrohet urtësia e ndodhjes së tij dhe të mos harrohet se Allahu është Krijuesi i tij dhe Ai që e rregulloi dhe e përcaktoi ndodhinë e tij. Kjo mënyrë e meditimit dhe rikujtimit e ngjall frikën dhe përuljen në zemër dhe kthimin me pendim, ashtu si do dhe është i kënaqur Allahu.
  2. Eklipsi i Diellit dhe i Hënës, tërmetet dhe shenjat e tjera të Allahut, në esencë janë frikësim për njerëzit dhe paralajmërim për ta dhe rikujtim për t’iu kthyer me pendim Atij, mirëpo ky frikësim mund të vijë edhe si ndëshkim shkaku i mëkateve. Për këtë njerëzit janë urdhëruar që gjatë eklipsit të strehohen dhe mbrohen me namaz, lëmoshë, istigfar dhe lutje, që mos t’u bjerë ndëshkimi që Allahu paralajmëroi prej tij dhe i frikësoi me eklips, tërmete dhe të ngjashme me to, gjë që aludon se ato janë paralajmërim dhe frikësim për zbritjen e ndëshkimeve, si rezultat i veprimit të shkaqeve që bëjnë për t’i merituar ato ndëshkime.[9]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, thotë: “… Prandaj, nëse shihni diçka nga to, strehohuni në të përmendurit e Allahut, lutuni dhe kërkoni falje prej Tij.”[10]

Në një hadith tjetër: “Nëse e vëreni eklipsin e Diellit, lutjuni Allahut dhe bëni tekbir, faluni dhe jepni lëmoshë.”[11]

  1. Kur të ndodhë eklipsi i Diellit ose i Hënës, pëlqehet strehimi në namaz, lutja, frikërespekti dhe përulja para Allahut, bërja e tekbirit (shqiptimi i fjalës Allahu ekber – Allahu është më i Madhi), dhënia e sadakasë, strehimi në përmendjen e Allahut dhe istigfar (kërkimfalje), kërkimi mbrojtje tek Allahu nga ndëshkimi në varr, afrimi për tek Allahu me vepra të mira sipas mundësive, derisa të largohet eklipsi i Diellit ose i Hënës.

Për këto veprime erdhën hadithe të sakta:

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për zënien e Diellit dhe të Hënës thoshte: “Këto janë dy shenja nga shenjat e Allahut që i dërgon për njerëzit, nuk ndodhin shkaku i vdekjes apo i lindjes së ndokujt, por Allahu me to i frikëson robërit e Tij. Prandaj, nëse shihni diçka nga to, strehohuni në namaz.”[12]

Në një hadith tjetër: “Nëse e vëreni eklipsin e Diellit, lutjuni Allahut dhe bëni tekbir, faluni dhe jepni lëmoshë.”[13]

Në një hadith tjetër: “Më pas i urdhëroi që të kërkonin mbrojtje nga ndëshkimi në varr.”[14] Bazuar në këtë hadith imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e përpiloi kapitullin: “Kapitulli i kërkimit të mbrojtjes nga ndëshkimi në varr gjatë eklipsit të Diellit.”[15]

Në një hadith tjetër: “Dielli dhe Hëna nuk zihen shkaku i vdekjes së ndokujt prandaj, nëse shihni diçka të tillë, faluni dhe lutjuni Allahut derisa t’jua largojë atë që ju ka goditur.”[16]

Në një hadith tjetër: “Këto shenja që Allahu i dërgon për njerëzit, nuk ndodhin shkaku i vdekjes apo i lindjes së ndokujt, por Allahu me to i frikëson robërit e Tij. Prandaj, nëse shihni diçka nga to, strehohuni në të përmendurit e Allahut, lutuni dhe kërkoni falje prej Tij.”[17]

Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Këto janë argument se gjatë zënies së Diellit dhe të ngjashmeve me të, pëlqehet istigfari (kërkimfalja), i cili është shkak që e largon belanë (fatkeqësinë).”[18]

Esma, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Më urdhëroi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që gjatë zënies së Diellit të liroj skllevër.”[19]

  1. Çudi është me disa njerëz që dukurinë e eklipsit të Diellit dhe të Hënës e shndërrojnë në dëfrim dhe lojë, i marrin syzet dhe teleskopin për ta shikuar eklipsin e Diellit ose të Hënës dhe angazhohen me to, e në anën tjetër e braktisin strehimin në namaz, lutje dhe istigfar (kërkimfalje). Kjo është shkujdesje e madhe!
  2. Eklipsi i Diellit dhe i Hënës është mundësi e madhe për ta ringjallur adhurimin e frikës nga Allahu i Lartmadhëruar.

Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, e përmendi që njerëzit deri para disa viteve kur zihej Dielli frikoheshin aq shumë, saqë vraponin për në xhamia të frikësuar e të trembur.[20]

  1. Atij që Allahu ia ndriçoi mendjen dhe e bëri të kuptojë kohën e eklipsit të Diellit ose të Hënës, nuk ka pengesë që ai të parapërgatitet dhe t’i kushtojë kohë. Kjo nuk bie ndesh me frikërespektin ndaj Allahut.
  2. Pëlqehet strehimi në namaz gjatë ndodhjes së shenjave të mëdha të frikshme trishtuese jo të zakonshme, si: eklipsi i Diellit, eklipsi i Hënës, tërmetet, rrufetë, stuhitë dhe erërat e forta trishtuese të vazhdueshme, vërshimet shkatërruese dhe të ngjashme me to, namazi është nga veprat më të vlefshme që nëpërmjet tij largohen ndëshkimet dhe sprovat.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e mundonte ndonjë çështje, falte namaz.[21]

  1. Namazi i eklipsit është sunet i fortë dhe urrehet mosfalja e tij. Te shumica e dijetarëve namazi i eklipsit llogaritet namazi më i fortë në mesin e namazet vullnetare. Është vërtetuar në sunetin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me vepër dhe me fjalë. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vetë e veproi, si dhe urdhëroi për faljen e tij.

Disa dijetarë thanë që namazi i eklipsit është obligim.[22] Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky mendim se është obligim, është tepër i fortë.”[23]

Disa të tjerë thanë që është detyrim kolektiv.[24] Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kjo është më e vogla që mund të thuhet për të. Ai vetë e ka mendimin që është obligim të falet, qoftë individualisht ose kolektivisht.”[25]

  1. Namazi i eklipsit të Diellit bëhet i ligjshëm kur zihet Dielli, për këtë dijetarët janë unikë në mes tyre, si dhe namazi i eklipsit të Hënës bëhet i ligjshëm kur zihet Hëna, sipas shumicës së dijetarëve.[26]

Hadithe të sakta kanë ardhur paralelisht për të dyja eklipset. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dielli dhe Hëna nuk zihen shkaku i vdekjes së ndokujt, prandaj, nëse shihni diçka nga to, faluni.”[27] Kjo nënkupton që urdhëresa për faljen e namazit është një, si për eklipsin e Diellit ashtu edhe për eklipsin e Hënës.

  1. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vetëm një herë e ka falur namazin e zënies së Diellit në Medine. Zënia e Diellit ndodhi në mëngjes, ditën kur ndërroi jetë i biri i tij, Ibrahimi, në vitin e dhjetë hixhri.[28]
  2. Namazi i eklipsit është i ligjshëm për burra dhe për gra, udhëtar dhe vendas, në xhami dhe shtëpi, me xhemat dhe vetmas. Falja e tij në xhami (jo faltore) me xhemat është më i vlefshëm, shkaku se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e fali në xhami.
  3. Namazi i eklipsit bëhet i ligjshëm atëherë kur zënia e Diellit ose e Hënës vërtetohet me pamje dhe jo me llogari astronomike, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, faljen e namazit e ndërlidhi me pamjen e zënies së Diellit, e jo me llogari dhe parashikimin e ekspertëve meteorologjikë se eklipsi do të ndodhë;[29] dhe tha: “Prandaj, nëse shihni diçka nga to, strehohuni në të përmendurit e Allahut, lutuni dhe kërkoni falje prej Tij.”[30]
  4. Nëse zënia e Diellit ose e Hënës ndodh në një vend, nuk është e ligjshme për banorët e vendeve të tjera të falin namazin e eklipsit për shkak se eklipsi ka ndodhur në një vend tjetër, e nëse zënia ndodh edhe në vendin e tyre, atëherë e falin, përndryshe jo.[31]
  5. Nuk pëlqehet që për namazin e eklipsit të thirret ezan dhe as ikamet. Ajo që pëlqehet është thirrja duke thënë “ es-salatu xhamiatun – tubohuni për në namaz”, një herë ose edhe më tepër derisa t’i duket myezinit që njerëzit e kanë dëgjuar thirrjen, qoftë kjo ditën ose natën, bazuar në hadithin e Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tha: “Kur është zënë Dielli në kohën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u bë thirrje duke thënë “inne salate xhamiatun”.”[32]
  6. Namazi i eklipsit falet dy rekate. Imami në të dy rekatet lexon me zë, pavarësisht namazi a falet natën ose ditën. Çdo rekat i namazit të eklipsit përbëhet nga dy lexime, dy rukuja dhe dy sexhde:

Pra, imami në rekatin e parë e lexon El-Fatiha dhe një sure të gjatë, më pas shkon në ruku ku qëndron gjatë, pastaj ngrihet nga rukuja në këmbë ku qëndron gjatë. Prapë e lexon El-Fatiha dhe një sure më të shkurtër se të parën, më pas shkon në ruku ku qëndron më shkurt se herën e parë, pastaj ngrihet nga rukuja dhe bie në sexhde. I bën dy sexhde ku qëndron në to gjatë, sexhden e parë e bën më të gjatë se të dytën, si dhe e zgjat qëndrimin në mes dy sexhdeve.

Pastaj ngrihet për në rekatin e dytë ku vepron njëjtë si në rekatin e parë, por e fal më shkurt qoftë në lexim, qëndrim në këmbë, në ruku dhe në sexhde.

Në fund ulet në teshehud, e thotë etehijatin, salavatet, lutjet dhe jep selam.

  1. Në namazin e eklipsit pëlqehet që qëndrimi në këmbë, në ruku dhe në sexhde të jetë më i gjatë. Kjo vlen edhe për shtyllat e tjera të namazit. Zgjatja mund të zbatohet atëherë kur koha e zënies së Diellit ose Hënës është e gjatë, përndryshe në raste e tjera namazin e zgjat sipas mundësive.[33]

Në hadithin që e përcjell Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thuhet: “Nuk e kam parë ndonjëherë Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ta zgjatë qëndrimin në këmbë, në ruku dhe në sexhde sikurse në namazin e eklipsit.”[34]

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell dhe thotë: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u priu njerëzve në faljen e namazit të eklipsit. Qëndrimin në këmbë e zgjati, më pas shkoi në ruku duke qëndruar gjatë në të, dikur u ngrit nga rukuja për të qëndruar në këmbë, por nuk e zgjati këtë qëndrim sikurse herën e parë. Më pas shkoi prapë në ruku duke e zgjatur atë, por jo si herën e parë dhe pasi u ngrit nga rukuja, ra në sexhde ku e zgjati atë. Në rekatin e dytë e veproi të njëjtën si në rekatin e parë.”[35]

  1. Nuk ka sure të veçanta që pëlqehet të lexohen në namazin e eklipsit. Çfarëdo sure që lexohet nga Kurani lejohet, pavarësisht se leximi a është i gjatë apo i shkurtër.[36] Për atë që nuk e di Kuranin përmendsh, nuk ka pengesë që të lexojë nga Mus’hafi.
  2. Transmetimi më i saktë dhe më i njohur që përcillet për mënyrën e faljes së namazit të eklipsit është ai që thotë se namazi falet dy rekate, në çdo rekat nga dy ruku. Dijetarët e mëdhenj, si: imam Ahmedi, Buhariu dhe Shafiu, Allahu i mëshiroftë, transmetimet e tjera i gjykuan si të pasakta dhe të gabuara nga ana e transmetuesve, sikurse transmetimi “tri ruku në një rekat”, “katër ruku në një rekat” dhe transmetime të tjera. Pra, nuk lejohet të shtohen më tepër se dy ruku në një rekat.[37]
  3. Nëse namazi i eklipsit falet sikurse namazet e tjera vullnetare, namazi është në rregull dhe arrihet esenca e sunetit, por braktiset ajo më e vlefshmja, ngase namazi i eklipsit i ka dy qëndrime, ruku dhe dy sexhde në çdo rekat, e me braktisjen e tyre namazfalësi humb mirësi, por namazi i tij është i vlefshëm edhe pa to, shkaku se ato janë nga suneti dhe nuk detyrohet të veprohen.[38]
  4. Koha e namazit të eklipsit fillon me paraqitjen e eklipsit të Diellit ose të Hënës dhe mbaron me largimin e tërësishëm. Me faljen e namazit fillohet menjëherë sa të fillojë zënia dhe nuk pritet të plotësohet zënia e Diellit ose e Hënës.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, thotë. “Dielli dhe Hëna janë dy shenja nga shenjat e Allahut, ato nuk zihen për shkak të vdekjes apo të lindjes së ndokujt, nëse e shihni zënien e tyre lutjuni Allahut dhe falni namaz derisa sërish të qartësohen”[39] Me një transmetim: “…derisa sërish të paraqiten.”[40]

Në një hadith tjetër: “…nëse e shihni zënien e tyre, falni namaz dhe lutjuni Allahut, derisa ta largojë atë që ju ka goditur.”[41]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në hadith e qartësoi se namazi përfundon me largimin e eklipsit dhe me paraqitjen e sërishme të dritës dhe shkëlqimit të Diellit ose të Hënës. Namazi pëlqehet të falet që t’i afrohemi Allahut dhe me këtë ta kthejë shkëlqimin e Diellit ose Hënës, e kur të arrihet kjo, me të përfundon edhe synimi i faljes së namazit.[42]

  1. Nëse, para se të fillohet me faljen e namazit, Dielli ose Hëna qartësohen, në këtë rast koha e namazit vetëm se ka kaluar dhe namazi më nuk përsëritet. Në këtë janë unikë të gjithë dijetarët, sepse namazi i eklipsit është sunet dhe koha e faljes së tij më ka kaluar. Namazi i eklipsit është namaz që falja e tij ndërlidhet me shkak (arsye) dhe kur mungon shkaku (arsyeja), në këtë rast zënia e Diellit ose e Hënës, nuk ligjërohet më falja e tij. Me namaz synohet largimi i eklipsit, e kjo veç më është arritur, prandaj bie edhe falja e namazit.[43]
  2. Nëse je duke e falur namazin e eklipsit, ndërkohë largohet eklipsi i Diellit ose i Hënës, namazi nuk ndërpritet, por vazhdohet dhe plotësohet, sipas formës së tij të ligjshme, vetëm se e shkurton dhe nuk e zgjat, pavarësisht qoftë kjo në rekatin e parë ose të dytë. Në këtë janë unikë dijetarët.[44]
  3. Nëse Dielli ose Hëna përgjatë zënies së tyre mbulohen me re dhe kjo pastaj i bën njerëzit të dyshojnë se a është larguar eklipsi apo jo, mundet që namazin ta falin, sepse në këtë rast esenca është që ka eklips.

Kur Dielli mbulohet me re dhe dyshohet në fillimin e eklipsit të tij, këtu namazi nuk falet, sepse në këtë rast esenca është që nuk ka eklips dhe në këtë janë unikë të gjithë dijetarët.[45]

  1. Nëse ndodh eklips e pastaj qielli mbulohet nga retë, nuk ka pengesë nëse u kthehemi dijetarëve të astronomisë për ta kuptuar kohën e largimit të eklipsit, sepse është vërtetuar me prova që mendimi i tyre është i rregullt.[46]
  2. Kur Dielli është me eklips dhe vjen koha e perëndimit të tij, dhe Hëna është me eklips dhe vjen koha që sabahu të lindë, namazi i eklipsit në këto raste nuk falet, sepse koha e përfitimit nga drita dhe shkëlqimi i tyre vetëm se më ka kaluar.[47]
  3. Nëse falja e namazit të eklipsit përfundon, kurse eklipsi i Diellit ose i Hënës ende nuk ka përfunduar, nuk ligjërohet përsëritja e namazit. Ajo që ligjërohet në këtë rast është angazhimi me dhikër dhe dua, derisa të largohet eklipsi i Diellit ose i Hënës, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk ka shtuar më tepër se dy rekate.[48]
  4. Në namazin e eklipsit rekati arrihet me arritjen e rukusë së parë nga secili rekat, sepse rukuja është shtyllë e namazit. Ai që i humb njëri rekat, e kompenson atë pasi imami të japë selam, duke e falur rekatin, me dy ruku dhe dy sexhde.

Disa dijetarë të tjerë thanë: “Kush e arrin njërën ruku nga të dyja rukutë e një rekati (çdo rekat në namazin e eklipsit i ka nga dy ruku) e ka arritur rekatin e plotë, sepse të dy rukutë e një rekati janë sikurse një ruku.[49]

  1. Nëse namazfalësi arrin që ta falë namazin me xhemat, por jo të tërin shkaku i vonesës, pasi imami të japë selam, ai duhet të ngrihet dhe ta falë pjesën e tjetër të namazit që i ka ikur, pavarësisht a ka kaluar eklipsi apo ende vazhdon. Nëse eklipsi ende vazhdon, mirë është që namazin ta zgjasë, a nëse ka kaluar, atëherë e plotëson namazin duke e falur më shkurt.[50]
  2. Namazi i eklipsit është namaz me shkas (arsye) dhe, sipas mendimit më të saktë, ligjërohet që të falet edhe në ato kohë që urrehet të falet namazi vullnetar, sikurse pas namazit të ikindisë dhe pas namazit të sabahut.[51]
  3. Nëse koha e namazit të eklipsit përputhet me kohën e namazit farz, i jepet përparësi namazit farz në çdo rast dhe gjendje, edhe kur ekziston mundësia dhe frika që namazi i eklipsit të ikën, sepse është sunet. Po ashtu në mesin e xhematit ka të dobët, pleq dhe me nevoja, e për ata është e vështirë dhe e mundimshme që ta falin njëherit namazin e eklipsit e pastaj ta falin farzin, prandaj e falin farzin dhe kush do pastaj e fal namazin e eklipsit.[52]
  4. Nëse fillohet me faljen e namazit të eklipsit para se të hyjë koha e namazit farz dhe ndërkohë hyn koha e namazit farz, në këtë rast, nëse koha është e ngushtë, detyrohet që namazi i eklipsit të shkurtohet që farzi të falet me kohë e, nëse ka hapësirë, atëherë mund të vazhdohet në faljen e namazit të eklipsit.[53]
  5. Nëse koha e eklipsit përputhet me vitrin, teravitë, ose namazin e xhenazes, i jepet përparësi atij namazi që koha e tij është në prag të ikjes. Nëse janë të barabartë në këtë aspekt, i jepet përparësi atij namazi që është më i fortë se tjetri në vlerë, pra, i jepet përparësi namazit të xhenazes para namazit të eklipsit, i jepet përparësi faljes së namazit të eklipsit para namazeve vullnetare të rregullta (që falen para dhe pas farzit), vitrit dhe teravive.[54]
  6. Imami pëlqehet që pas faljes së namazit të eklipsit ta mbajë hutben[55], t’i këshillojë njerëzit dhe t’ua zbusë zemrat e tyre, t’ua rikujtojë çështjen e eklipsit dhe ndërlidhjen e tij me Ditën e Kiametit, me Xhenetin dhe me Xhehenemin, t’i paralajmërojë nga shkaqet që e detyrojnë futjen e njeriut në zjarr, t’i urdhërojë ta shpeshtojnë duanë, istigfarin, të përmendurit e Allahut, sadakanë dhe kërkimin e mbrojtjes nga ndëshkimi në varr.

Është vërtetuar në hadith të saktë që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në ditën e zënies së Diellit, pasi e fali namazin e eklipsit iu drejtua njerëzve dhe e mbajti hutben e eklipsit, në të e falënderoi Allahun dhe e lavdëroi, dhe tha: “Dielli dhe Hëna janë dy shenja nga shenjat e Allahut, ato nuk zihen për shkak të vdekjes apo të lindjes së ndokujt, nëse e vëreni eklipsin, lutjuni Allahut dhe bëni tekbir, faluni dhe jepni lëmoshë.” Pastaj tha: “O ju umeti i Muhamedit! Pasha Allahun, nuk është më xheloz askush nga ju se Allahu, kur robi i Tij ose robëresha e Tij kryejnë imoralitet! O ju umeti i Muhamedit! Pasha Allahun, po ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit më pak dhe do të qanit më shumë! A e kam përmbushur detyrën dhe e kam përcjellë mesazhin!”[56]

  1. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në hutben e eklipsit e përmendi imoralitetin dhe paralajmëroi nga ai, përmendja e këtij mëkati të madh në veçanti në këtë hutbe ka urtësi të mrekullueshme për atë që e mediton. Paraqitja e imoralitetit është nga shenjat e shkatërrimit të botës, ai është nga shenjat e ndodhisë së Kiametit, ashtu siç erdhi në hadith: “Nga shenjat e Kiametit: pakësimi i dijes, paraqitja e injorancës, paraqitja e imoralitetit…”, me një transmetim tjetër: “…përhapja e imoraliteti…”[57] Kur të paraqitet imoraliteti, Allahu zemërohet dhe zemërimi i Tij shtohet, dhe ky zemërim patjetër e sjell ndëshkimin dhe lë gjurmë në Tokë. Kjo është tradita e Allahut në krijesat e Tij.

Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Nuk është përhapur kamata dhe imoraliteti me një vend vetëm se Allahu e jep lejen e Tij për ta shkatërruar atë vend.”[58]

  1. Njohja e kohëve të eklipsit të Diellit dhe të Hënës dhe faktit se a do të jenë të pjesshëm apo të tërësishëm, njohja e kohëve të rënies së shiut, të tërmeteve dhe fryrjes së erërave dhe pritshmëria e tyre që të ndodhin, nuk bën pjesë në shtënien e fallit sipas yjeve apo pretendimit të njohjes të së ardhmes, sepse ato informata bazohen në gjëra që perceptohen, mbi prova dhe në studime universale në ligjet e Allahut, kështu që nganjëherë mund të qëllohet e nganjëherë të gabohet, dhe këtu s’ka të bëjë me besimin se yjet kanë ndikim në gjendjet tokësore.

Kjo që u cek më lart nuk bie ndesh dhe nuk e mohon faktin që eklipsi i Diellit, i Hënës apo tërmetet janë shenja nga shenjat e Allahut që me to i frikëson robërit e Tij, që ata t’i kthehen Zotit të tyre dhe të përqendrohen në adhurimin e Tij.[59]

  1. Kur të ndodhin eklipsi i Diellit ose i Hënës, tërmetet dhe shenja të tjera të mëdha, pëlqehet frikërespekti dhe përulja para Allahut, kthimi kah Allahu dhe largimi nga mëkatet, ngutja për në pendim dhe istigfar, këmbëngulja në lutje dhe dua, bërja e dhikrit, dhënia e sadakasë dhe bërja e veprave të tjera me qëllim që ato të jenë shkak që të largohet ndëshkimi dhe fatkeqësia.

Allahu thotë: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Er-Rum: 41)

Po ashtu thotë: “Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija.” (El-Enam: 43)

Dhe thotë: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” (El-Enfal: 33)

  1. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej sunetit në shkaqet e hairit dhe të sherrit është që njeriu gjatë shkaqeve të hairit të dukshëm të veprojë vepra të mira, që me to Allahu ta sjellë hairin, kurse te shkaqet e sherrit të dukshëm të veprojë adhurime që me to Allahu ta largojë sherrin.”[60]

E lusim Allahun që të na japë mbarësi për atë që Ai e do dhe Atë e kënaq dhe kërkojmë mbrojtje tek Ai nga sprovat, të dukshme dhe të padukshme.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

[1] Shih: El-Mexhmua, En-Nevevij (5/43), Lisanul Arab, Ibën Mendhur, (9/67/298), El-Misbah El-Munir, El-Fejumij (1/169, 2/533).

[2] Tefsir Et-Taberij (14/638).

[3] Buhariu (1044), Muslimi (901).

[4] Buhariu (1060), Muslimi (901).

[5] Shih: Fet’hul Barij (2/527).

[6] Mexhmual Fetava (24/264).

[7] Fetava ue Risail Ibën Baz (30/290).

[8] Shih: Mexhmua El-Fetava (23/255), Esh-Sherh El-Mumtia’, Ibën Uthejmin (5/174).

[9] Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajimi (2/1411), Fetava Ibën Uthejmin (16/320), dhe Fetava Nur ala Derb.

[10] Buhariu (1059), Muslimi (912).

[11] Buhariu (1044), Muslimi (901).

[12] Buhariu (1047), Muslimi (901).

[13] Buhariu (1044), Muslimi (901).

[14] Buhariu (1050).

[15] Thuhet me këtë rast se errësira e eklipsit të Diellit kur e përfshin diellin tërësisht i shëmbëllen errësirës së varrit, prandaj ka frikë nga kjo dhe nga ajo, kështu që nëpërmjet eklipsit arrihet deri te këshillimi për t’u kapur për veprat që e shpëtojnë njeriun nga vështirësitë e ahiretit. Shih: Fet’hul Barij, Ibën Haxher (2/538), Irshad Es-Sarij, El-Kastalanij (2/275).

[16] Buhariu (1040), Muslimi (911).

[17] Buhariu (1059), Muslimi (912).

[18] Fet’hul Barij (2/546).

[19] Buhariu (1054).

[20] Shih: Esh-Sherh El-Mumtia’ (5/178).

[21] Ebu Davudi (1319), Albani e vlerësoi si të mirë hadithin.

[22] Shih: Bedaiu’ Es-Sanaia’, El-Kasanij El-Hanefij (1/280).

[23] Kitabu Es-Salah (fq.34).

[24] Shih: El-Insaf fi marifeti er-raxhih minel hilaf, El-Merdavij El-Hanbelij (2/443).

[25] Shih: Esh-Sherh El-Mumtia’ (4/7).

[26] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (3/321), El-Mexhmua, En-Nevevij (5/44).

[27] Buhariu (1040), Muslimi (911).

[28] Shih: Mexhmual Fetava (18/17), Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/439), Tevdihul Ehkam min Bulugil Meram, El-Besam (3/60).

[29] Shih: Mexhmual Fetava (24/258), Fetava Ibën Baz (13/30), Esh-Sherh El-Mumtia’ (5/170, 223).

[30] Buhariu (1059), Muslimi (912).

[31] Fetava Ibën Baz (13/31).

[32] Buhariu (1051), Muslimi (910).

[33] Shih: Mexhmual Fetava (24/260), Fetava Ibën Uthejmin (16/322), El-Insaf, El-Merdavij El-Hanbelij (2/442).

[34] Buhariu (1059), Muslimi (912).

[35] Buhariu (1044), Muslimi (901).

[36] Shih: El-Mugni (3/322), Mexhmual Fetava (5/47).

[37] Shih: El-Mugni (3/322), Mexhmual Fetava (5/47),

[38] Shih: Sherh En-Nevevij ala Muslim (6/198), Mexhmual Fetava (24/259), Zadul Mead. Ibën El-Kajim (1/436). Irva El-Galil, shejh Albani (3/132).

[39] Shih: El-Mexhmua’, En-Nevevij (5/63), El-Insaf, El-Merdavij (2/448), Esh-Sherh El-Mumtia’ (5/197).

[40] Buhariu (1060), Muslimi (915).

[41] Buhariu (1040), Muslimi (911).

[42] El-Mugni. Ibën Kudame (3/330).

[43] El-Mugni. Ibën Kudame (3/330), Fet’hul Barij (2/528), ), Esh-Sherh El-Mumtia’ (5/190).

[44] El-Mugni. Ibën Kudame (3/330), El-Mexhmua’ (5/54), El-Insaf (2/445).

[45] El-Mugni. Ibën Kudame (3/330), El-Mexhmua’ (5/54).

[46] Esh-Sherh El-Mumtia’ (5/189).

[47] El-Mugni. Ibën Kudame (3/330), El-Insaf (2/446).

[48] El-Mugni. Ibën Kudame (3/331), El-Mexhmua’ (5/54), Mexhmual Fetava (24/260), Fetava Ibën Baz (13/43).

[49] El-Mugni. Ibën Kudame (3/332), El-Mexhmua’ (5/61), Edh-Dhehira, El-Karafij (2/430), El-Insaf, El-Merdavij (2/448), Esh-Sherh El-Mumtia’ (5/197).

[50] El-Mexhmua’ (5/61).

[51] Fetava Ibën Baz (13/42).

[52] El-Mugni (3/331), Fetava Ibën Uthejmin (16/308).

[53] Esh-Sherh El-Mumtia’ (5/190).

[54] El-Mugni (3/331).

[55] Hutbeja nuk mbahet sikurse e xhumasë, dy pjesë me një ulje, por mbahet sikurse e Bajramit pa ulje (sh.p.)

[56] Buhariu (1044), Muslimi (901) dhe shtojca “A e kam përmbushur detyrën dhe e kam përcjellë mesazhin!” është e Muslimit.

[57] Buhariu (81), Muslimi (2671), transmetimi i dytë është i Muslimit.

[58] Shih: Ed-Dau ue Ed-Deva, Ibën El-Kajim (fq.379).

[59] Shih: Fetava El-Lexhnetu Daime (1/634, 635, 8/323), El-Kaul Mufid, Ibën Uthejmin (1/531).

[60] Mexhmual Fetava (35/170).

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”