Besimtarët nga Kosova nisën drejt vendeve të shenjta për ta kryer umren

Nën organizimin e Drejtorisë së Haxhit në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, 44 besimtarë nga vendi janë nisur sot për në vendet e shenjta për të kryer umren. Besimtarët pritet që të mbërrijnë gjatë ditës së sotme në vendet e shenjta, ku do të qëndrojnë atje për 10 ditë.

Besimtarët para nisjes, të emocionuar për këtë rrugëtim shprehen të gëzuar se do të kenë mundësi të vizitojnë këto vende. Ata thonë se një dëshirë të tillë e kanë pasur qysh nga fëmijëria.

“Për mua gëzim ma të madh nuk ka, bile po shihet edhe kah po flas se jam shume i emocionuar prej gëzimit.”

“Prej kur jam kanë i vogël kam ëndërrua me shku me i vizitu këto vende, shyqyr që madhështia e Allahut ka ba që sot me u nis e me i vizitu këto vende”, thotë një tjetër besimtar.

Fitim Gashi nga Drejtoria e Haxhit, thotë se besimtarët do të qëndrojnë 10 ditë në vendet e shenjta për të kryer umren, ku do të kenë mundësi të falin namazet në Qabe, në Xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe në vende të tjera.

Përveç organizimit të haxhit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, organizon rregullisht kryerjen e umres për besimtarët e vendit. Organizime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen, për besimtarë që duan t’i vizitojnë këto vende.