lapsi-31nm02wx9ljo0g8n3y2n7k

NË MES TË GJYNAHUT DHE PROBLEMIT

I riu mund të bjerë në ndonjë gjynah, e më pas mundohet ta largojë veten prej atij gjynahu dhe hulumton për shkaqet që e çuan deri aty. Pas gjithë atij mundi, në fund e ndien që nuk ka shpëtim nga ky gjynah, e vëren që ka rënë në një problem dhe ka nevojë për ta zgjidhur atë. Interesohet për problemin e tij, kërkon prej të tjerëve zgjidhje dhe ilaç për problemin e tij.

Posta ma solli një ditë një letër që e kishte shkruar një i ri i cili ankohej se kishte rënë në gjynah, e unë ia ktheva letrën gjerësisht për atë që e mendova si zgjidhje fetare për problemin e tij. Më vonë ma ktheu letrën me falënderim dhe respekt. Pas disa muajve posta ma solli një letër tjetër me shkrim të njëjtë dhe problem të njëjtë, por me emër tjetër. E kuptova menjëherë se ishte i njëjti person. Në vete thashë se për këtë person ka zgjidhje që fshihet në vullnetin e prerë dhe vendosmërinë e sinqertë për ta braktisur gjynahun.

Kjo është e vërtetë. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Çdo besimtar e bën të njëjtin gjynah herë pas here (d.m.th. e braktis dhe prapë i kthehet), apo ka gjynah që e bën në vazhdimësi dhe nuk ndahet prej tij deri kur ta braktise dynjanë. Besimtari është krijuar që të sprovohet (me bela, gjynahe dhe fitne), të pendohet (ta shpeshtojë pendimin pasi e ka bërë gjynahun) dhe të harrojë (i harron disa nga obligimet që bien mbi të), mirëpo, megjithatë, kur ia kujton (Allahun dhe dënimin e Tij), atëherë kthjellet (d.m.th. e bën gjynahun, më pas pendohet, por pas një kohe harron dhe sërish i kthehet gjynahut. Pastaj ia kujtojnë gabimin dhe ai pendohet. Çdoherë që bie në gjynah, nuk dorëzohet dhe kthehet shpejt e pendohet)”[1]

– Së pari: Pavarësisht që çdo gjynah ka sebepe dhe nxitës, ka pengesa dhe shërim, vetëm se kriteri i vërtetë për ta braktisur atë është vendosmëria dhe durimi. Nëse një njeri e humb çelësin e veturës së tij në një vend të shkretë, zgjidhja e vetme do të ishte ta kërkonte çelësin. Kjo punë është e rëndë dhe e vështirë. Kur do t’i pyesë njerëzit se kush do ta ndihmojë të gjejë zgjidhje për problemin e tij, shumica e tyre kishin për t’i thënë: Kërkoje çelësin në vendin ku e ke humbur atë. Ai ndoshta do të thotë që e kam kërkuar, po nuk e kam gjetur, e ata do t’i thonë se nuk ke zgjidhje tjetër veçse ta kërkosh atë.

– Së dyti: Myslimani e di bindshëm që Allahu ia ka ndaluar vetëm ato gjëra që njeriu mund t’i braktisë dhe e ka obliguar veçse me ato gjëra që njeriu mund t’i veprojë. E përderisa një çështje është e ndaluar, do të thotë që ti e ke mundësinë ta braktisësh atë dhe përderisa një çështje është obligative, do të thotë që e ke mundësinë ta veprosh atë, përveç rasteve specifike dhe të domosdoshme, në këso raste bie përgjegjësia.

– Së treti: Ka dallim në mes të së vështirës dhe së pamundshmes dhe në mes të asaj që është e rëndë për ty ta braktisësh dhe mes asaj që ti mundesh. Brenda përgjegjësive fetare gjithmonë duhet të ketë ndonjë lloj vështirësie, megjithatë është vështirësi që bartet dhe durohet. Për këtë shkak Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Është rrethakuar Zjarri me epshe dhe është rrethakuar Xheneti me vështirësi.”[2]

Madje, si mund të shpërblehet njeriu për braktisjen e gjynahut, përveç kur nefsi i tij e thërret për në gjynah? Dhe, si shpërblehet për ibadetin, përveç kur kërkohet prej tij sakrificë dhe mund?

Së katërti: Ndjenja e të riut se ka rënë në gjynah dallon nga ndjenja e tij se ka rënë në problem. I pari ndien se ka mangësi në vete, dobësi në iman dhe se ka nevojë për ta shëruar këtë sëmundje reale, ndërsa i dyti duke hulumtuar pas zgjidhjes së asaj që e quan problem, e anashkalon shkaktarin e vërtetë dhe ilaçin fetar. Prandaj, e gjen të thotë që e provova këtë opsion si zgjidhje, por nuk munda, e provova këtë metodë, por pa sukses.

Sigurisht se ka gjëra me të cilat mund ta këshillojmë dikë për t’u larguar nga mëkati, megjithatë, pa vendosmërinë e sinqertë të tij, këto këshilla mbeten asgjë dhe asnjë hap nuk mund të qesim para.

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

[1] Taberaniu në el-Kebir dhe në el-Evsat, ashtu si në el-Mexhmea (10/201), dhe tha që njëri zinxhir i transmetuesve në librin el-Kebir janë të besueshëm.

[2] Buhariu (6487), Muslimi (2823).