thumbs_b_c_ca0b867bfa66afcb701d5311401b51bd

Kosovë, të shtëna me armë në drejtim të Policisë në veri të vendit

Policia e Kosvoës ka njoftuar se persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësive policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të Liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare Bërnjak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia në njoftimin për media ka bërë të ditur se zyrtarët policorë “në vetëmbrojtje janë detyruar t’u kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur”.

“Po ashtu, bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri. Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara”, njofton Policia.

Si masë paraprake të sigurisë, për shkak të disa bllokimeve në rrugën në drejtim të Pikës Kuftiare Bërnjak, si dhe rrugët në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia ka mbyllur këto rrugë për qarkullim përkohësisht.

“Meqë tani dy Pikëkalimet Kufitare në veri të vendit janë mbyllur për qarkullim si pasojë e barrikadave të vendosura, ftohen qytetarët që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim”, shton Policia.

Kurti: Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion

Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Serbia ka disa ditë që po e kërcënon Kosovën me agresion. Ai tha se presidenti dhe kryeministrja serbe po bëjnë thirrje për kthim të ushtrisë serbe në territorin kosovar duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

“Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan e cila nuk do konflikt por paqe dhe progres, “por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, derisa theksoi se “Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse”.

Tutje Kurti ka theksuar se mosdënimi i veprimeve të serbëve në veri nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas tij, do ta nxisin Beogradin zyrtar për më shumë destabilizim të Kosovës.

“Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe SHBA-së i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në fund të reagimit të tij, kryeministri kosovar bëri thirrje që barrikadat e vendosura në rrugët në drejtim të dy pikave kufitare të Kosovës me Serbinë të largohen menjëherë.

“Ministri i Brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, shkroi Kurti.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar nga 6 dhjetori kur u sulmuan Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe, atje ku zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në shoqërim me pjesëtarë të policisë së vendit shkuan për t’u përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të parapara të mbaheshin më 18 dhjetor. Në incidentet e regjistruara sipas autoriteteve u përdorën shok-bomba, granata dore dhe armë zjarri, të cilat rezultuan pa incidente në njerëz por me demolim të zyrave të komisionit komunal zgjedhor.

Zgjedhjet e planifikuara për 18 dhjetor, me konsensus midis partive politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje dhe presidentes së vendit, Vjosa Osmani, u shtynë për 23 prill të vitit 2023.