e-gjelbert-3221g2pf2sezllx8ujatq8

SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

Njeriu në këtë botë shumë lakmon që t’i shtohet në kohë, në jetë, në pasuri, në fëmijë dhe në të gjitha gjërat e dashura të tij, të cilat ai i mendon se janë shkak i lumturisë së tij në dynja. Prandaj muslimani i lutet Allahut që ta bekon dhe Po ashtu Profeti, salallahu alejhi ue selem, kërkonte prej Allahut ta bekojë në shumë çështje. Me bekim (bereqet) nënkuptojmë zbritjen e mirësisë hyjnore në ndonjë gjë. Zbritja e saj jep fryte madhështore, pakicën e shton, shumicën e bën të dobishme, ndërsa prej fryteve më të mëdha të bekimit në të gjitha çështjet është përdorimi i tij në adhurimet ndaj Allahut.

Kush e mediton gjendjen e njerëzve të mirë dhe dijetarëve të dalluar do ta vëren bereqetin haptazi në jetën e tyre. E sheh ndonjërin prej tyre i cili ka të hyra materiale si të tjerët, se si Allahu i dërgon bereqet në pasuri, nuk shpenzon pa mos patë dobi dhe gjendja e tij është stabile pa borxhe. E sheh tjetrin se si Allahu i çon bereqet në vajzën e tij, e respekton prindin, e mbron nderin dhe kur të martohet i lind nipa të cilët i bëhen kënaqësia e syve të tij. E sheh tjetrin se si kohën e tij e shfrytëzon në adhurime dhe në vepra të dobishme, sikurse orët e ditës së tij të jenë më të gjata se sa orët dhe ditët e njerëzve tjerë.

Në anën tjetër medito gjendjen e atyre të cilëve Allahu nuk u zbret bereqet. E sheh ndonjërin se si posedon miliona, mirëpo ditën e sheh të pikëlluar dhe të lodhur, e natën nuk bën gjumë duke llogaritur dhe duke menduar për pasurinë e tij. E sheh tjetrin se si posedon makinë luksoze, mirëpo është vizitor i shpeshtë i automekanikut, sa del prej te njëri hyn tek tjetri. E sheh tjetrin se është prind i shumë fëmijëve, por ata i gjen armik të prindit të tyre, nuk e respektojnë, prindi nuk dëgjon prej tyre vetëm se të keqen dhe nuk vëren në sytë e tyre vetëm se një pyetje, se kur do të lirohemi prej teje?

Allahu kur e zbret bereqetin përfshin çdo gjë: pasurinë, fëmijën, kohën, punën, prodhimin, gruan, diturinë, kafshën, shtëpinë, mendjen, gjymtyrët, shokun, e shumë gjëra tjera, prandaj edhe kërkimi i tij bëhet shumë i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm.

Parashtrohet pyetja se si të arrijmë deri tek bereqeti?

Gjërat më kryesore që na e mundësojnë fitimin e bereqetit me lejen e Allahut janë:

Devotshmëria, e cila është çelësi i çdo të mire:

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka”. (El-A’raf: 96); “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

Prej të parëve tanë kanë ardhur disa shprehje të cilat kanë sqaruar këtë fjalë, por të gjitha sillen rreth një kuptimi. E ajo është, që njeriu të kryej atë të cilën ia ka obliguar Allahu dhe të largohet nga ajo të cilën ia ka ndaluar Allahu, që të jetë kjo mbrojtje për njeriun nga dënimi i Allahut.

Nga Aliu kanë ardhur transmetime, i cili e ka sqaruar kuptimin e devotshmërisë duke thënë: “Devotshmëri është frika prej Allahut, veprimi me Kur’an, kënaqësia me pakë, dhe përgatitja për botën tjetër”.

Po ashtu është definuar si: “Të veprosh në bindje ndaj Allahut, duke shpresuar në mëshirën e Tij prej një drite prej Tij dhe t’i lësh veprat e mosbindjes duke pasur frikë Allahun prej një drite prej Tij”.

Janë ankuar disa tek një njeri i mirë se çmimet e mallrave janë rritur. Ka thënë: Zbritni ato me devotshmëri.

– Leximi i Kur’anit:

Kur’ani është libër i bekuar, është shërim për zemrat e sëmura dhe ilaç i sëmundjeve të trupit. Allahu, azze ue xhel, thotë: Ky (Kur’an) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët”. (Sad: 29)

Pra, veprat e mira janë shkak i fitimit të mirësisë dhe bereqetit.

– Duaja:

Profeti, salallahu alejhi ue selem, kërkonte bereqet në shumë gjëra. Një prej lutjeve që na mësoi është ajo për të martuarit, ku muslimani duhet të thotë: “Allahu të bekoftë ty edhe pasardhësit e tu dhe ju bashkoftë ju të dy në të mirë”.

Po ashtu na mësoi lutjen për atë që na ushqen: “O Zot, bekoji në atë që i ke furnizuar, fali mëkatet e tyre dhe mëshirojë ata”.

E shumë lutje tjera të dobishme për jetën dhe ahiretin e muslimanëve.

– Sinqeriteti në shitblerje:

Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: Shitblerësit kanë të drejtë zgjedhjeje derisa s’janë ndarë. Si të kishin qenë të sinqertë në shitblerjen e tyre, Allahu do t’iu zbret bereqet në atë tregti. Si ta kishin fsheh ndonjë mangësi të mallit ose ta kishin mashtruar njëri-tjetrin, Allahu do ta largon bereqetin e asaj tregtie”.

– Realizimi i veprave herët në mëngjes:

Profeti, salallahu alejhi ue selem, bëri lutje për bekim për ata që fillojnë të veprojnë herët në mëngjes.

Sahr el Gamedij, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: O Allah, bekoje Umetin tim kur e nisin (një punë) herët!”

Sahri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte tregtar dhe çdo herë i urdhëronte punëtorët e tij ta fillojnë punën herët në mëngjes, kështu që iu shtua pasuria aq shumë sa që nuk dinte ku ta deponon.

Një prej selefit thoshte: Çuditem me atë i cili e fal namazin e sabahut pas lindjes së diellit, se prej nga i vjen furnizimi?!

– Pasimi i Sunetit në çdo çështje:

Pasimi i Sunetit nuk sjell përveç se mirësi. Prej haditheve që flasin rreth saj e veçojmë: Bereqeti (begatia) zbret në mes të pjatës me ushqim e hani nga skajet e mos filloni nga mesi i saj”.

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar që gjatë ngrënies të lëpihen gishtat dhe të fshihet ena me ushqim dhe ka thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bereqeti”.

(Në një transmetim tjetër të tij thuhet: “Kur t’i bjerë në tokë kafshata e ushqimit ndonjërit prej jush, le ta marrë, le t’ia shkundë pluhurin, pastaj le ta hajë dhe të mos ia lërë djallit: askush prej jush të mos i fshijë duart me shami para se t’i lëpijë gishtat e vet, sepse nuk e di në cilin prej ushqimeve të tij është bereqeti”.)

– Mbështetja e sinqertë në Allahun, azze ue xhel:

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”. (Et-Talak: 3)

Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Sikur ju të mbështeteshit në Allahun me mbështetje të njëmendtë, do t’ju furnizonte siç i furnizon shpezët, gdhijnë të uritur, ndërsa ngrysen të ngopur”.

– Kërkimi i mbarësisë prej Allahut në çdo çështje:

Robi duhet të kërkojë mbarësi prej Allahut, ta pranojë dhe t’i mbështetet zgjedhjes së Allahut e jo zgjedhjes së tij, për shkak se ajo është më e mirë për dynjanë dhe ahiretin e tij.

Duaja e Istihares është transmetuar nga Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë se: Profeti, alejhi selam, na mësonte të bëjmë Istiharen për gjithë çështjet tona, ashtu siç na mësonte suret e Kur’anit. Na thoshte Profeti, alejhi selam: “Nëse ndonjëri prej jush mendon të bëjë diçka, le ti falë dy rekate namaz (jo prej namazit farz) dhe të thotë (pas namazit) duanë e Istihares: “O Zoti im, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate; kërkoj nga të mirat e Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, kurse unë s’kam mundësi, Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë imja (emërton nevojën e tij), është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso realizimin e saj, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo e më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bë të jem i kënaqur me të”.

(Imam Neveviu thotë: “Pas Istihares duhet ta bëjmë atë çështje për të cilën na hapet zemra dhe nuk bazohemi në atë që kemi pasur dëshirë para se të falnim namazin. Prandaj kërkohet nga ne që ta ndërpresim zgjedhjen dhe të mos mendojmë për të derisa ta falim namazin e nëse nuk e bëjmë kështu, atëherë nuk numërohet se ne i jemi drejtuar Allahut me sinqeritet që të na zgjedhë çështjen që është më e mirë për ne.”)

– Shpenzimi dhe lëmosha:

Shpenzimi në rrugë të Allahut dhe lëmosha janë shkaqe për shtimin e riskut, ashtu siç na njofton Allahu, azze ue xhel: Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”. (Es-Sebe’: 39)

Në një hadith Kudsij: “Allahu, azze ue xhel, thotë: “O biri i Ademit shpenzo, që të shpenzoj Unë për ty”.

– Largimi prej pasurisë haram:

Largimi prej pasurisë së fituar në mënyrë të palejuar, edhe atë prej të gjitha pamjeve dhe formave që i merr ajo pasuri, është shkak i humbjes së bereqetit në pasuri. Allahu, azze ue xhel, thotë: Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë”. (El-Bekare: 276)

– Falënderimi dhe mirënjohja për begatitë e dhëna:

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia”. (Ibrahim: 7)

– Falja e namazeve të detyruara:

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. (Ta Ha: 132)

– Vazhdimësia në istigfar:

Allahu, azze ue xhel, thotë: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj! “. (Nuh: 10-12)

E lus Allahun të na begatojë në atë çka e posedojmë dhe të na mundëson të bëhemi prej atyre që i kërkojnë shkaqet të cilat e rrisin bereqetin.

Shejh Dr. Abdulmelik El Kasim 

Nga arabishtja: Irfan JAHIU