IMG_8100

Situatë e qetë në veri të Kosovës pas arrestimit të të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

Situata në Mitrovicën e Veriut në Kosovë është e qetë aktualisht, pas arrestimit të njërit prej organizatorëve të sulmit ndaj pjesëtarëve të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) në kuadër të protestave të 26 majit në veri të vendit, raporton Anadolu.

Në anën veriore të Lagjes së Boshnjakëve një numër i vogël i serbëve lokalë janë mbledhur në rrugën ku policia kreu aksionin orë më parë.

Banorët serbë tentuan të pengojnë arrestimin dhe në këtë rast, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, tre policë të Kosovës janë lënduar lehtë.

Pas këtij aksioni, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë tërhequr në anën jugore të Lagjes së Boshnjakëve me kërkesë të komandantit amerikan të KFOR-it për rajonin verior, i cili ka menaxhuar edhe situatën në Zveçan gjatë përshkallëzimit të situatës së fundit kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it.

Policia e Kosovës aktualisht po i ndalon të gjitha automjetet në urën në hyrje të Lagjes së Boshnjakëve, në mënyrë që të mund të kalohet vetëm në këmbë nga pjesa jugore drejtë asaj veriore të qytetit.

Gjithashtu, policia po këshillon gazetarët që të mos shkojnë në veri, pasi nuk garantojnë për siguri.

Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

Më herët, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në pjesën veriore të vendit me shumicë serbe është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Milun Milenkoviq – Llune, për të cilin ka thënë se është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.

Sveçla tha se Milenkoviq ka terrorizuar ndër vite qytetarë dhe ka sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe institucione.

Në katër komunat veriore me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok serbët lokalë po protestojnë nga 26 maji, kur filluan punën kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur nga zgjedhjet e prillit në këto komuna.

Serbët nuk morën pjesë në këto zgjedhje, ndërsa kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të rinj në këto komuna me protesta.

Gjatë ditës, në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për situatën në veri, ka thënë se ia ka dërguar një letër-propozim me pesë pika për shtensionimin e situatës, Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ku përfshihet edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale si dhe tërheqja e menjëhershme e grupeve të dhunshme nga veriu.