Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi si dhe ai i Serbisë Petar Petkoviq kanë përfunduar pa ndonjë rezultat takimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian (BE) në Bruksel, ku u diskutua për çështjen e dinarit, transmeton Anadolu.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se në takimet e zhvilluara në Bruksel, Kosova dhe Serbia prezantuan propozimet e tyre për rrugën përpara për qytetarët e prekur nga rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“Diskutimet tona të gjatë ndihmuan në sqarimin e detajeve të rëndësishme.
Javën e ardhshme ne ramë dakord të mblidhemi sërish me ambicien për të gjetur një zgjidhje”, shkroi Lajçak në rrjetet sociale.
Kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi ka thënë pas takimeve se ka nevojë edhe për një takim tjetër, pasi sipas tij, propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë larg njëra-tjetrës.
“Ne kemi komentuar propozimet e palës tjetër për të parë se në çfarë mase ato janë brenda kornizave për të cilat jemi dakorduar dhe pastaj kemi argumentuar secili për secilin nen të propozimit tonë, por pastaj gjatë bilateraleve është parë që ka ende nevojë për përafrim të qëndrimeve, andaj është dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar Bislimi.
Sipas Bislimit, pala kosovare ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv.
“Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolikë, por e ka qytetarin në fokus kryesor, por unë kisha dashur që të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, është shprehur Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar palën kosovare se nuk ka treguar “fare vullnet politik” për të arritur marrëveshje.
Petkoviq ka thënë se me palën kosovare ka pasur diskutim afro tri orë e gjysmë e më pas është vendosur në takim me ndërmjetësuesit që raundi i radhës i diskutimeve të mbahet më 4 prill.
Takimet e sotme ishin vazhdimësi e takimit gjatë javës së kaluar ku Kosova dhe Serbia u pajtuan për të propozuar zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
BQK-ja me rregulloren e saj të re të miratuar gjatë muajit janar, e bëri të ndaluar operimin me para të gatshme me ndonjë valutë tjetër përpos euros, gjë e cila preku më së shumti komunitetin serb të Kosovës të cilët ende marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinar.